Bojana Milovanović (Beta) – Gjuha shqipe dhe serbe janë mësuar në mënyrë të barabartë deri në vitet ’90-ta, e atëbotë filluan konfliktet, por edhe përjashtimi i gjuhëve nga sistemi arsimor.
Përshtypja e përgjithshme, dhe gjendja evidente, është se prishtinasit e rinj nuk flasin serbisht, ndërkohë që ata mbi 30 vjeç, të cilët kanë mësuar serbisht në shkolla, e flasin apo së paku e kuptojnë. Disave prej tyre sikur edhe ju ka munguar ta përdorin, kështu që nisin të flasin gjerë e gjatë.
Nëse në Prishtinë e ndalni një taksi, mos u çuditni që pranë timonit ta takoni shoferin i cili flet serbisht, madje i interesojnë detajet lidhur me atë se si jetohet në Beograd, sa kushton buka, sa është kursi i euros dhe, natyrisht, prej nga ju në Prishtinë?
Derisa kaloni nëpër Prishtinë, në shitoret, billbordet apo bankat nuk do të shihni asnjë mbishkrim në gjuhën serbe. Në tabelat me emrat e rrugëve do t’i vëreni shkurtesat “r” dhe “u” që janë shenja për fjalën shqipe “rruga” dhe fjalën serbe “ulica”, por emërtimi i rrugës është vetëm në gjuhën shqipe.
Në bisedë me prishtinasit, disa prej tyre do të pranojnë se menjëherë pas konfliktit, nja 15 vjet më parë, nuk është gjithaq e sigurt të flitet serbisht në rrugët e Prishtinës, por sot emocionet megjithatë janë zbutur.
Sipas legjislacionit kosovar, gjuha shqipe dhe serbe janë në përdorim të barabartë në territorin e tërë Kosovës. I gjithë dokumentacioni dhe funksionimi i institucioneve do të duhej të ishte dygjuhësor. Megjithatë në vet Universitetin e Prishtinës nuk ekziston katedra e gjuhës serbe, kështu që as nuk ka kuadër që në mënyrë profesionale do të merrej me përkthime ose që shqiptarëve do t’u mësonte gjuhën serbe. Megjithatë, nëse doni të mësoni serbisht këtë mund ta bëni përmes orëve private.
Mungesa e kuadrit profesional ndikon edhe në cilësinë e përkthimit të dokumenteve që rrjedhin nga institucionet. Në gazetat kosovare, në shpalljet ose konkurset që i publikojnë institucionet zyrtare do të hasni në përkthime të vrazhdëta e joprofesionale në gjuhën serbe. Konkurset për lektorët e gjuhës serbe në institucionet zyrtare shpallen nga disa herë. Institucionet në vendet publike i kanë mbishkrimet dygjuhësore, por shpesh të shkruara në gjuhë të dobët serbe, kështu që “Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë” është e shkruar me shkronja të madhe në fillimin e çdo fjale. Në vet ndërtesën e kësaj ministrie të gjitha shpalljet dhe mbishkrimet janë në gjuhën shqipe.
Gjuha në Ballkan ka nxitur, provokuar, shkaktuar konflikt dhe krijuar keqkuptime. Si do që t’i quajnë, t’i konsiderojnë gjuhë të njëjta apo të ndryshme, serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve nuk u nevojitet përkthyesi.
Por, ç’të bëjmë me shqiptarët e serbët në Kosovë të cilët, sipas udhëzimeve të bashkësisë ndërkombëtare, do të duhej të pajtoheshin dhe të ndërtonin bashkëjetesën, ndërkohë që në praktikë ndarja është aq e madhe sa që vështirë që njëri tjetrit mund t’i thonë “dobar dan” apo “mirëdita”.
Se si funksionin ky, për dikë “shtet i pavarur”, për të tjerët “krahinë jugore serbe”, ku krahas të gjitha ndarjeve territoriale, emotive dhe etnike paraqitet edhe ajo perdja jetësore, e përditshme – gjuhësore?
Në mesin e shqiptarëve në Kosovës gjuha serbe ende mbijeton tek gjeneratat më të vjetra, filloristët, nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e sotëm nuk e flasin gjuhën e fqinjëve të tyre. As serbët në Kosovë nuk mësojnë shqip në shkolla, kështu që shtrohet pyetja si do të merren vesh mes veti brezat e ardhshëm?
Në bisedë me shqiptarët e rinj shihen dallimet në qëndrimin ndaj serbëve dhe gjuhës serbe. Ka të tillë që do të donin të mësonin serbisht, por edhe të tillë që as që ju shkon mendja.
Rina është studente njëzetetrevjeçare e Juridikut dhe planifikon të marrë orë private të gjuhës serbe.
“Ka shumë më tepër mundësi për punësim nëse e dini serbishten. Gjithnjë e më tepër ka dokumente dhe procedura që duhet përkthyer gjatë regjistrimit të pronës”, thotë Rina.
Nga ana tjetër, Albina është një gazetare njëzetegjashtëvjeçare për të cilën gjuha serbe është një ndër gjerat “më të urryera”.
“Nuk dij serbisht dhe as që dua ta mësoj” e bën të qartë qëndrimin e saj.
Megjithatë, ka edhe të tillë që po përpiqen të krijojnë raporte më të mira dhe të avancojnë mirëkuptim mes gjeneratave më të reja në Kosovë.
Analisti politik Behlul Beqaj ishte student i Beogradit në Fakultetin e Shkencave Politike, e tash si bashkëpunëtor i jashtëm në universitetin publik dhe dekan në një fakultet privat në Prishtinë, përpiqet t’ua thyejë studentëve paragjykimet mbi serbët, madje organizon edhe ardhjen e ligjëruesve mysafirë nga Beogradi. Ndryshimet, megjithatë, janë shumë të vogla, e si thotë, ka edhe të tillë që e kundërshtojnë këtë.
“Studentët në Kosovë janë të orientuar në mënyrë etnocentriste. Nuk u interesojnë interesat apo çështja serbe, as problemi serb, ose eventualisht i interesojnë në aspektin negativ”, konsideron Beqaj.
Ai thekson se çelësi për një raport më të mirë dhe mirëkuptim mes serbëve dhe shqiptarëve qëndron në kontaktet, shoqërimet dhe bisedat sa më të shpeshta, meqë kështu thyhen paragjykimet. Megjithatë, mendon se problem nuk qëndron në njohjen e pamjaftueshme mes dy popujve, përkundrazi.
“Procesi i largimit nuk ndodh ngase ne njëri tjetrin e njohim pak, por nga fakti se jemi njohur shumë mirë. Problemi është në praktikën që diku është kultivuar politikisht, diku ka pasur nxitje spontane, e diku është e rrënjosur në vet thelbin nacionalist të atyre që konsiderojnë se biseda në gjuhë të huaj është rrezik dhe nënçmim i gjuhës vetanake”, thotë Beqaj.
Ai tërheq vërejtjen se kemi hyrë në një etapë ku gjuha do të jetë më shumë mjet I manipulimit sesa I komunikimit të ndërsjellë.
“Manipulimi vërehet më së shumti tek liderët politik dhe shtresat e lidhura me ta”, vlerëson ai.
Beqaj u lind më 1957 dhe për vete thotë se është një nga pjesëtarët e gjeneratës së fundit të shqiptarëve të Kosovës të cilët kanë lexuar më shumë libra në gjuhën serbe sesa në shqipet. E si shembull të raportit ndaj gjuhës dhe tërë kulturës të mbi të, e përmend një të njohur të tij, shitësin prishtinas të librave, i cili i ofronte veprat e përmbledhura të autorëve si Ivo Andric, Tin Ujevic, Laza Kostic dhe disa shkrimtarë të tjerë, për 10 euro.
“Unë e kuptoj një shitës librash, por athua nuk tregon kjo raportin ndaj një thesari kulturor. Nuk duhet t’i fajësojmë shitësit e librave, ata kanë përcjellë logjikën e imponuar nga politika dhe mediat. Në rrethanat e tilla gjuha bëhet pengesë, me vetë faktin se askush nuk është i interesuar të lexojë përmbajte në gjuhën serbe apo ndonjë gjuhë tjetër, bëhet peng i njëtrajtshmërisë”, konsideron analisti politik.
Ai porosit se edhe paragjykimet edhe stereotipet nuk mund të thyhen brenda natës, dhe se problemi qëndron aty se nuk po punohet rreth kësaj ose po punohet në mënyrë të gabueshme. Duhet hequr barrën e së kaluarës.
“Është me rendësi si ka qenë në të kaluarën, por më me rendësi është se çfarë raportesh krijojmë sot, e më me rendësi është se çfarë raportesh do të kemi në të ardhmen. Në një rregullim të tillë vlerash gjuha do të jetë mjet i komunikimit të mirë dhe do të shërbejë për lehtësimin e integrimeve. Do të arrihet përafrimi, mirëpo nuk e di se sa do të zgjas kjo, mbase disa dekada. Tashmë kemi humbur mjaft kohë, duhet punuar në këtë drejtim”,përfundon Beqaj.
(Ky tekst është realizuar në kuadër të projektit Kosovo Serbia: LIVE të cilin e financon Bashkimi Evropian në kuadër të Mbështetjes Shoqërisë Civile 2013. Përmbajtja e kësaj storjeje dhe qëndrimet e paraqitura në të janë përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.)