“Po i marrka zanatin e Kuzhinjeres ne Burge e largohet nga Politika” –N. D
“Ishalla po mbushen ment tash shtine kudren ne burrg e mos te del me leh ne rrug ma”- V.F
“ Kjo veq e hanger fore edhe tash rrin ne burg knaqet qaty ka polic te bukur edin kjo qysh me hjek nenshkrimin hahahahahah” – G. SH
Këta janë vetëm disa prej një mori komentesh që gjenden në artikullin i cili flet për mundësinë e qëndrimit në burg për 10 vjet të deputetes së Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj- Bujupi. Ky artikull i publikuar nga një portal i vendit është lehtë i qasshëm në faqen e këtij portali në rrjetin social Facebook. Komentet tjera janë ofenduese e akuzuese duke përfshirë edhe fyerje në aspektin moral të kësaj deputeteje.
Reagime të tilla, me një gjuhë të ulët gjenden në një mori artikujsh në të cilin përmenden femrat në pozita publike. Artikujt për presidenten Atifete Jahjaga, deputeten Albulena Haxhiu apo femra tjera në pozita publike janë përherë të shoqëruar me komente që përmbajnë gjuhë të ulët.
Në këto komente ka disa elemente që bien në sy. Komentuesit nuk janë me profile anonime dhe ky guxim i fyerjeve publikisht duket të mos jetë problem për individët që shkruajnë këto komente. Po ashtu, në shumë raste komentueset janë femra që ofendojnë e shajnë femrat.
Sipas deputetes Alma Lama kjo formë e përdorimit të gjuhës kundër grave është pjesë e një ideologjie që ka si qëllim luftën ndaj grave.
“Kjo është një frymë anarkike, që ka filluar të instalohet. Kjo është ideologjia ekstremiste. Dhe dihet që kjo ideologji në radhë të parë e ka luftën ndaj grave, lufta është qoftë edhe me retorikën kundër tyre. Ndaj grave në përgjithësi por veçanërisht ndaj grave në pozita publike,” shprehet Lama.
Sibel Halimi, sociologe thotë se kjo mënyrë e përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe denigrimit ndaj grave publikisht, është rrjedhojë e mentalitetit të shoqërisë kosovare.
“Shoqëria kosovare duke qenë patriarkale në fuksionim të vlerave dhe normave, atëherë edhe përdorimi i gjuhës denigruese për gratë në jetën publike vjen si rrjedhë e natyrshme. Prandaj nuk është e rastësishme që identifikimi i grave me disa atribute tipike për gratë, të jenë të pranuara dhe legjitimuara edhe nga shoqëria në përgjithësi,” shpjegon Halimi.
Deputetja Lama e sheh këtë atakim ndaj grave edhe si përgjegjësi të vetë mediave pasi ato duhet të bllokojnë dhe fshijnë komentuesit që përdorin gjuhë të tillë kundër grave.
“Mediat kanë përgjegjësi , bile edhe përgjegjësi penale sepse Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka marrë vendim që komentet janë nën përgjegjësinë e portaleve, gjë që do të thotë se ato mbajnë përgjegjësi për çfarëdo lloj fyerje, sharje, shpifje, ofendimi. Fatkeqësisht i kemi edhe mediat sociale që prapë përdoren nga këto portale, ku njerëzit shfryjnë me një gjuhë krejtësisht të papranueshme sidomos ndaj grave,” deklarohet Lama.
Kryetari i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj thotë se nuk ka ndonjë politikë rregulluese për komentet edhe pse portalet janë pjesë e mediave të shkruara. Çështja e komenteve u takon vetë portaleve.
“Natyrisht, portalet duhet respektuar Kodin e Këshillit dhe Udhëzuesin për Mediat Online, në të cilat dokumente edhe flitet për gjuhën e urrejtjes, respektivisht shmangien e kësaj gjuhe në raportime. Sipas një vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, portalet janë përgjegjëse për komentet e lexuesve ashtu si dhe për storiet që i publikojnë,” shprehet Mushkolaj.
Shqetësues konsiderohet efekti që këto komente kanë mbi gratë dhe dëmin që ato ua shkaktojnë grave e vajzave që duan të përfshihen në jetën publike.
“Nëse vazhdimisht fyejnë, gënjejnë këto të gjitha bëhen për të krijuar opinion negativ, sidomos kur këto janë të organizuara, me qëllim nga subjektet politike dhe nga grupe të tjera dhe bëhen fushata dhe dëmi është shumë më i madh. Kjo me këtë qëllim bëhet për t’i dëmtuar dhe penguar gratë të marrin pjesë në jetën publike,” tha për KosovaLive deputetja Alma Lama.
Dëmin që këto komente u shkaktojnë grave në pozita publike apo atyre që synojnë jetën publike e përshkruan edhe sociologia Halimi.
“Për Hudith Butler gjinia nuk është vetëm raport i dominimit të burrave mbi gratë, por rend normativ që sjell prodhimin e një kufiri midis dy kategorive të seksit femëror e mashkullor dhe i cili në vetvete është shtypës. Prandaj, një klimë e tillë shoqërore do të ndikonte në dekurajimin e grave dhe vajzave për t`u përfshirë në jetën publike, respektivisht në ushtrimin e profesionit të tyre.”
/Florandë Morina – Vajzë Dëgjohu!/