Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kur zgjedhje e vetme mbesin martesa e hershme dhe… ikja

Jan 25, 2016

Nata kishte mbuluar fshatin Pobërgjë, në rrethinën e Deçanit, në pjesën perëndimore të Kosovës dhe të gjithë ishin në gjumë, kur një vajzë e re kishte marrë guximin dhe kishte vendosur të ikën nga shtëpia. Atëbotë, 17 vjeçarja nuk ishte pajtuar me fatin që ia kishte përcaktuar familja – mosshkollimin, duke i lënë alternativë martesën e hershme ose ikjen. Familja prej 87 anëtarëve, e cila jetonte me traditat dhe zakonet e trashëguara nuk pranonte assesi faktin që edhe femra ka këtë dhe shumë të drejta të tjera.

Shumë vite pas, Xhejranja e cila ndërkohë ka hapur organizatën “Inciativa për gratë e Dragashit” dhe vazhdimisht punon në drejtim  të shkollimit të vajzave dhe ndalimin e martesave të hershme,  kujton atë që kishte përjetuar.

“Kam pritur tre vjet për t’u bindur prindërit e mi për shkollimin tim. Pa marrë parasysh lutjet e asimtarëve, drejtorit të shkollës, kryetares së rinisë, ata nuk u pajtuan kurrsesi kështu që unë u largova dhe kërkova ndihmë në policinë e Deçanit.

Unë vazhdimisht iu kam thënë mos të më fejojnë se do të kenë problem me mua, kështu që nuk kanë pasur guximin me më martua ngase unë haptaz iu kam bërë me dije se nuk martohem sipas zakoneve, traditave dhe vullnetit të tyre. Dhe kur u shterrën të gjitha mundësitë e bindjes për shkollimin tim, unë i lash të gjithë në gjumë dhe u largova për të mos u takuar me familjen plot një vit”, shprehet ajo plot emocion.

Xhejranja nuk është e vetmuar me këtë histori. Janë shumë vajza në fshatin Restelicë, Komuna e Dragashit, në pjesën jugore të Kosovës, që edhe sot i përcjellë i njëjti fat.

“Në fshatin Restelicë femra akoma jeton sipas rregullave të fshatit: e pashkolluar dhe e edukuar që duhet të martohet në moshë shumë të re”, rrëfen ajo.

Martesat e hershme janë një fenomen ende i pranishëm në vendin tonë, që shkel të drejtat e të miturve, sidomos të vajzave. Si pasojë e martesave të hershme vijon një mohim i shumë të drejtave të tjera, duke filluar nga ajo e shkollimit.

Lindita Piraj, zyrtare për barazi gjinore në Komunën e Dragashit flet për martesat e hershme në këtë komunë.

“Martesat e hershme fatkeqësisht janë një dukuri që është prezente në komunën tonë, gjegjësisht te komuniteti gorano-boshnjak, me numër më të madh në fshatin Restelicë.

Numri më i madh i martesave të hershme është i vajzave të moshës 15 dhe 16 vjeçare, të cilat janë të ndikuara kryesisht prej prindërve apo familjarëve të tyre, kinse vajzat duhen të martohen në këtë moshë dhe nuk është i nevojshëm shkollimi i mëtutjeshëm”, shprehet Lindita.

Vajza e mitur përballet me diskriminime ndërgjinore në shoqëri duke u bërë viktimë e një mentaliteti të ulët. Shpesh, pa dëshirën e vet, kokë ulur nga frika për ta ngritur zërin, detyrohet të martohet në moshë të mitur, duke u ndarë përgjithmonë nga bankat shkollore. Kështu fëmija-vajzë “shndërrohet” në një grua që bartë mbi supe përgjegjësi të mëdha për bashkëshortin e saj, ndonëse ende e papërgatitur fizikisht apo psikikisht për këtë.

Edhe pse martesat e hershme janë mjaft të shpeshta, zyrtarisht dihet vetëm për një numër të vogël, tregon  Astrit Baxhaku, drejtor i ofiqarisë në komunën e Dragashit.

“Martesa të hershme ka shumë mirëpo shumë pak prej tyre e bëjnë zyrtare. Brenda vitit kemi pasur dy martesa zyrtare nën moshën 18 vjeçare”, thotë ai.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Dragashit, Hajri Ramadani, pohon se në Komunën e Dragashit nuk ka raste kur prindërit e ndalojnë shkollimin e fëmijëve dhe se të gjithë fëmijët e kësaj komune ndjekin arsimin fillor dhe atë parafillor. Nga ana tjetër, dhënat që i ofron, dëshmojnë se një numër më i vogël i vajzave ndjekë gjimnazin pas përfundimit të fillores.

“Në Komunën e Dragashit mësimin fillor e ndjekin të gjithë djemtë dhe vajzat (2144 meshkuj dhe 2149 femra). Numri i vajzave që ndjekin mësimin në shkollën e mesme: në klasën X, nga 207 nxënës, 57% janë meshkuj e 42,99 % janë femra”, thotë Ramadani.

Organizatat joqeveritare në bashkëpunim me Komunën e Dragashit zhvillojnë aktivitete për parandalimin e martesave të hershme dhe shkollimin e vajzave.

Në vitet 2012-2013, Xhejrane Lokaj në bashkëpunim me komunën zhvilloi aktivitetin për arsimimin e vajzave, me vizita shtëpi-për-shtëpi në fshatrat e kësaj komune. Ajo arriti sukses në disa fshatra siç është fshati Krushë, ku 6 vajza filluan shkollimin e mesëm. Mirëpo, ishte ndarë mjaft e zhgënjyer kur në fshatin Restelicë nuk kishte pasur sukses.

“…Kam shkuar në çdo shtëpi të fshatit Restelicë duke i lutur prindërit për shkollimin e vajzave. Vajzat ishin plot vullnet për t’u shkolluar, mirëpo ato as nuk guxonin ta shprehnin dëshirën e tyre. Prindët nuk pajtoheshin assesi, më thanë që për vajzën primare është martesa dhe krijimi i familjes.

Sipas tyre, vajzat ishin në moshën ideale për martesë dhe shkolla është një vend i pasigurt. Jetojnë ende me traditat e vjetra. Shumica prej atyre vajzave ishin të moshës 15 vjeçare, mirëpo kishte edhe mosha të tjera”, tregon Xhejranja.

Restelica vazhdon të mbajë epitetin famëkeq të fshatit ku ende asnjë vajzë nuk vazhdon shkollimin e mesëm.

/Nita Ismaili – Vajzë Dëgjohu/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM