Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kë e sheh rinia kosovare si autoritet dhe sa ka mendim kritik?

Shk 4, 2016

(Teksti i botuar si editorial nga salloni i Demokracisë për Zhvillim në temën me të njëjtin titull)

Kush do të ishim sot nëse do të jetonim në një botë ku autoritet të vetëm do të kishim veten – as prindërit, as profesorët, as shoqërinë e as punëdhënësit? Çka o të isha sot nëse nuk do të më thonin nga fëmijëria që jam e gatuar për shkollë? Ku e çka do të isha sot nëse do të mendoja vetëm për veten?

Kur kam qenë më e re, kam menduar që veç babai im e ka mirë. Kam menduar që çfarëdo që ai bën, e bën se ashtu duhet. Gjithnjë kam menduar që ai e ka një plan për jetën time. Kur fillova t’i kuptoj gjërat më mirë, e kuptova që në fakt babai im nuk e ka gjithnjë mirë dhe se ai nuk kishte një plan për jetën time – plani për jetën time, më takonte mua. Unë jam vetëm një ndër personat e shoqërisë sonë që e kanë parë deri vonë babain a nënën e tyre si hero. Ne kemi vrapuar entuziazshëm për ta përmbushur kriterin që të na quajnë prindërit tanë “fëmijë të mire”, e fëmijët e mirë gjithnjë kanë qenë ata që nuk ua kanë kthyer fjalën asnjëherë prindërve, mësuesve e autoriteteve të tjera. Nuk e mbaj mend që kam menduar ndonjëherë që për ta përmbushur këtë kriter të të qenit vajzë e mirë, do t’u hapte rrugën pritjeve për të qenë gjithnjë ashtu – gjithnjë një vajzë e mirë. E, as nuk e kam menduar ndonjëherë që pas togfjalëshit “vajzë e mirë” ka aq sforcime.

Kështu, që në fazat e hershme të fëmijërisë, fëmija mësohet t’i bindet autoritetit sepse në shtëpi nuk na mësojnë të themi “Jo!” për çkado, nuk na mësohet ta vëmë në pyetje atë që thuhet. Kush nuk bindet është vajzë/djalë rebel, i pa edukuatë. Ndarjet e tilla si në familje e si në shkolla pastaj, çojnë në atë që fëmijët të mos inkurajohen të jenë tolerantë ndaj diversitetit e pluralizmit të mendimeve në shoqëri. Autoriteti patriarkal është gjithmonë më i rëndë me vajzat – krejt shokët e shoqet e klasës e kemi ditur që duhet t’i bindemi autoritetit të prindërve e të mësuesit a profesorit, njashtu të dyja palët gjithnjë e kemi ditur se vajzat duhen t’iu binden pak më shumë.

Pra, vajza e mirë i dëgjon prindërit, mësuesit e profesorët. Vajza e mirë i përmbush pritjet e secilit autoritet; e zgjedh degën që i sugjerohet (imponohet) prej prindërve, merr nota të mira në fakultet. Ajo e di që ajo është gjeni në sytë e prindërve të saj. Ajo e di që prindërit e saj presin që ajo t’i realizojë krejt ëndrrat që prindërve të saj iu kanë mbetur pezull. Vajza e mirë vjen në Prishtinë duke u financuar prej prindërve dhe çdo herë tenton t’ua vërtetojë prindërve që investimi i tyre ia vlen. Vajza e mirë e di gjendjen ekonomike të vendit dhe e di që gjysma e më shumë e moshatarëve të saj janë pa punë, vajza e mirë gjendet nën presion prej pritjeve por ajo nuk e ngrit zërin kundër autoritetit se e di që tash për tash nuk ka më mirë.

Në anën tjetër, vajzës së mirë nuk i ndihmojnë as universitetet dhe punëdhënësit eventualë për t’i dhënë zë mendimit të saj kritik. Në universitetet tona më së paku stimulohet mendimi kritik itudentit, aty më shumë promovohet dija e profesorit si diçka e padiskutueshme. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë ndonjë profesor timin (ani pse deri tani kam studiuar në tri degë të Universitetit të Prishtinës) t’i thotë ndonjë studenti-studenteje: “Dysho, dysho në atë që them unë dhe në atë që të thonë ato që i lexon.”

Dikur, vajza e mirë rebelohet dhe vendos ta gjejë një punë. Punësohet për një rrogë 180 euro në muaj me 10 orë punë, pa kontratë. Vajza e mirë dëshiron t’i ikë autoritetit tradicional familjar e arsimor. Vajza e mirë i nënshtrohet autoritetit të punëdhënësit. Kështu, ajo nuk arrin prapë të shkëputet prej autoritetit. Kështu përmbyllet cikli që i bën gjërat gjithnjë të përsëriten –  vajza e mirë i përmbush pritjet e prindërve dhe profesorëve dhe të punëdhënësve, secila për hir të tjetrës, por pritjet e vetvetes, në qofshin bërë të gjalla deri atëherë, ajo i ndrydh dhe i lë pezull për një kohë kur autoritetet ta humbasin fuqinë e tyre.

Në Sallonin e të Martës, pati diskutime të shumta për fatin e “vajzës së mirë”. Disa e përkrahën autoritetin që ekziston në shoqëri duke iu frikësuar anarkisë; disa fajësuan pikërisht sistemin arsimor e disa traditën e autoritetit patriarkal. Disa e fajësuan “vajzën e mirë” për mungesën e guximit për t’u ballafaquar me autoritetet por të gjithë e gjetën veten diku e dikur në togfjalëshin “vajzë/djalë i mirë”.

Sikur gjendja ekonomike të ishte më e mirë në vend, sikur mundësitë për ta realizuar vetëveten do të ishin rrugë me krye; vajzat e djemtë e mirë do ta kishin më lehtë të mendonin se kush do të ishin sot nëse do të jetonim në një botë ku autoritet të vetëm do të kishim veten – as prindërit, as profesorët, as shoqërinë e as punëdhënësit.

/Gentianë Paçarizi – Vajzë Dëgjohu/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM