Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kosova, shteti i vetëm që Ditën e Evropës e ka festë zyrtare

Maj 9, 2016

Kosova që është shteti më i ri i Evropës, edhe pse duket që ditën kur do mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian de ka të largët, në kalendarin e festave zyrtare e ka 9 Majin – Ditën e Evropës, të cilën e feston edhe me pushim.

Me Ditën e Evropës, festë zyrtare, Kosova dallohet thuaja nga të gjitha vendet e kontinentit evropian, në të cilat institucionet punojnë gjatë Ditës së Evropës, ndonëse atë e shënojnë si ditë me organizimin e ndonjë aktiviteti.

Në të vërtetë Kosova dallohet nga vendet e zhvilluara evropiane me atë se ka papunësinë më të lartë, shkallën më të lartë të varfërisë, shkallën ndër më të lartat të analfabetizmit funksional, si dhe shkallën e lartë të korrupsionit e të krimit të organizuar.

Sido që të jetë, të hënën është Dita e Evropës, festë zyrtare e Kosovës, pra edhe ditë pushimi. Këtë vit, qytetarët e Kosovës e festojnë Ditën Evropës një hap më afër Bashkimit Evropian. Kosova tashmë ka filluar zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit që është marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian. Para pak ditësh, përkatësisht më 4 maj, Kosovës iu dha rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian dhe pas disa muajsh, qytetarët e saj, që ishin më të izoluarit në Evropë, do të mund të lëvizin pa viza në shtetet evropiane të zonës Shengen.

Por çka mendojnë qytetarët për këtë ditë feste dhe pushimi që është përcaktuar me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës. Qytetarët e intervistuar nga KosovaLive kanë shprehur mendime të ndryshme sa i përket festimit me pushim të kësaj dite.

“Për mendimin tim, 9 Maji mund të shënohet si një datë e rëndësishme, por jo të radhitet në festat zyrtare dhe të jetë ditë pushimi. Kosova ende nuk njihet si shtet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian e as të institucioneve të tij, ndërsa Ditën e Evropës e ka renditur në festat shtetërore. Nuk di ndonjë shtet evropian që këtë ditë e shënon si festë shtetërore”, thotë Geldona Shehu.

Ajo shpreh habinë që në kalendarin e festave shtetërore nuk është ta zëmë 28 Nëntori që populli shumicë i Kosovës e ka festuar duke rrezikuar edhe burgun, nuk është një ditë e dëshmorëve, një ditë e çlirimit të Kosovës, e kështu me radhë.

E pyetur pse ndodh kështu, Shehu fajëson udhëheqjen shtetërore e politike të cilën e konsideron shumë servile ndaj faktorit ndërkombëtar.

Studenti i Juridikut, Blerim Krasniqi, thekson se Kosova e ka dëshmuar edhe në të kaluarën dhe po e dëshmon edhe aktualisht se ka përqafuar vlerat evropiane dhe me hapa konkret ka lëvizur përpara që të ofroj fqinjësi të mirë edhe për shtetet të cilat kanë provuar të ushtrojnë gjenocid në Kosovë, por nuk ka asnjë arsye që në emër të proevropianizmit kosovarët të kanë festë zyrtare Ditën e Evropës para shteteve tjera evropiane.

“Nuk do të bëhemi më evropian se që jemi me nëse si festë zyrtare e kemi Ditën e Evropës, ndërsa nuk i kemi disa ditë të tjera që lidhen me të kaluarën e lavdishme të Kosovës dhe të popullit tonë”, thotë Krasniqi.

Vesa Sekiraqa mendon ndryshe. Sipas saj, Dita e Evropës duhet të festohet siç është festuar deri më tani.

“Kosova si shtet është pjesë e Evropës dhe synon të hyjë në Bashkimin Evropian, prandaj 9 Maji duhet të festohet. Nuk është e thënë që të jetë ditë pushimi, mirëpo duhet të organizohen aktivitete për nder të kësaj dite”, thotë ajo për KosovaLive.

Të rikujtojmë se Dita e Evropës zanafillën e ka te 9 maji i vitit 1950, kur ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të thëngjillit dhe çelikut, si detyrim për ruajtjen e marrëdhënieve paqësore mes vendeve.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra-tjetrën. Si rezultat i këtij propozimi një vit më vonë u krijua Bashkimi Evropian, ndërsa në Samitin e Milanos të mbajtur më 1985 udhëheqësit e Bashkimit Evropian vendosën që 9 Maji të festohej si Dita e Evropës.

Dita e Evropës bashkë me himnin, flamurin, moton dhe monedhën e përbashkët- euron janë simbolet identifikuese të Bashkimit Evropian.

/Teuta Berisha – Vajzat ngrisin zërin/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM