Për 15 vite si shitës ambulant librash në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, Samedin Beqiri, me prejardhje nga fshati Dashevc i Skenderajt, i ka siguruar të ardhurat për familjen e tij gjashtë anëtarëshe si person i vetëpunësuar në rrugët e Prishtinës.
I kthyer nga Gjermania në vitin 2001, ai ishte përballur me sfida të mëdha për gjetje të një vendi të punës.
“Unë jam banor i Prishtinës që nga 1975, mirëpo për pesë vite jam shpërngulur në Gjermani për shkaqe ekonomike. Pas kthimit tim në Prishtinë kam hasur në një vakuum ekonomik. As që bëhej fjalë për të gjetur një vend pune që do të më siguronte të ardhura të mjaftueshme”, tregon ai për KosovaLive.
Zgjidhjen e vetme e kishte parë në ndonjë formë vetëpunësimi, ndërsa ideja për tu bërë shitës ambulant i librave i kishe ardhur krejt papritur.
“Rrugës për në Kosovë kam parë plot tenda ku shiteshin libra me një çmim të volitshëm. Mendova të filloj të mbledh libra duke i blerë ato nga bibliotekat personale të njerëzve. Ishte e pabesueshme se për çfarë çmimi të ultë mi shisnin librat që i kishin në shtëpi. Ndoshta për shkak të kushteve të vështira ekonomike të asaj kohe. Për fatin tim, unë mund t’i blija ajo për një shumë krejt të vogël e pastaj t’i shisja me një çmim standard“, rrëfen Beqiri.
Sot ai ka mbi 2000 ekzemplarë librash nga letërsia e huaj dhe vendore. Për çdo ditë të javës, nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orët e mbrëmjes, ai vendos rreth 100 libra në një stendë ambulantore në qosh të Sheshit “Zahir Pajaziti” dhe i pret blerësit.
“Për një dekadë e gjysmë i kam gjetur vetes punë dhe jam i lumtur me këtë që bëj. Edhe pse këtë vit shitja nuk ka qenë aq e lartë, prapë kam shumë njerëz qe ndalen për ta blerë libra, ndoshta për shkak të çmimeve të volitshme”, thotë Beqiri.
Çmimi i librave në stendën e Samedin Beqirit variron nga 1 euro për librat e përdorur, deri në 40 euro kompletet voluminoze të autorëve klasik.
/Gresë Koca – Vajzat Ngrisin Zërin/