Komuna e Skenderajt, një ndër komunat më të goditura nga lufta, në vitet e pasluftës po përballet me kapacitetet e mangëta ekonomike që i kishte, disa prej të cilave nuk i mbijetuan periudhës së tranzicionit.
Para luftës në Skenderaj vepronin Fabrika e Tekstilit, Fabrika e Municionit, Fabrika e Lodrave, Fabrika e Miellit dhe Fabrika e Materialit Ndërtimor, sot veprojnë vetëm këto dy të fundit, të cilat janë punëdhënëse të një numri të vogël nga 78.900 banorë sa i ka gjithsej Skenderaj.
Tri nga pesë fabrikat që i kishte Skenderaj tani më nuk janë funksionale. Fabrika e Tekstilit është privatizuar dhe nuk funksionon. Fabrika e Municionit është shkatërruar, ndërsa Fabrika e Lodrave është shndërruar në qendër tregtare private.
Mbyllja e këtyre tri fabrikave të mëdha e të rëndësishme për punësimin e qytetarëve të Skenderajt, ka lënë pa ta ardhura një numër të madh familjesh.
“Fabrikat të cilat tash janë joekzistente në Skenderaj, dikur kanë qenë një shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe kanë sjellë bukë në sofrat e qindra banorëve të kësaj rrethine”, thekson Sejdi Koca, ish-aktivist politik në Skenderaj.
Skenderaj sot ani pse ka numër të madh të fuqisë punëtore përballet me papunësi e varfëri të lartë. Mbi 12% e popullsisë së këtij qyteti jetojnë nga ndihmat sociale.
Sipas të dhënave komunale, ekonomia e këtij qyteti mbahet kryesisht nga bizneset e vogla lokale, ndërsa ndër sektorët më të mëdhenj të punësimit mbetet administrata komunale me shërbyesit e saj civil.
Viteve të fundit vërehet tendenca për një ngritje ekonomike, por kjo sikur duket e pa hetueshme pasi bartës kryesor të ekonomisë në Skenderaj konsiderohen të jenë ndërmarrjet e vogla private, industria e materialit ndërtimor dhe agro-biznesi.
Banorët e këtushëm sytë ia kanë në projektin ideor që pritet të realizohet për ndërtimin e fabrikës së parë të sheqerit në Kosovë.
Ata shpresojnë se potenciali mjaft i madh për zhvillimin e bujqësisë, që mbetet vetëm si biznes familjar, do të marrë krah me fabrikën e ardhme të sheqerit.
Edhe tani rreth 65% e banorëve të rrethinave të Skenderajt i sigurojnë të ardhurat e tyre përmes prodhimtarisë bimore dhe saj blegtorale.
Për ngritjen e fabrikës së ardhshme të sheqerit, që do të jetë e para në Kosovë, do të investohen 27 milionë euro. Për këtë vjet Komuna e Skenderajt nënshkroi një kontratë me investitorët britanik.
Nënkryetari i komunës, Fadil Nura, shprehet entuziast për një hap kaq të madh ekonomik dhe e cilëson model të mirë të bashkëpunimit mes komunës dhe investitorëve.
“Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për komunën tonë duke pasur parasysh se do të punësojë në mënyrë direkte 400 punëtorë dhe mijëra bujq të këtij rajoni”, theksoi ai.
Përfitues nga ndërtimi i kësaj fabrike në Skenderaj do jenë prodhuesit e panxharsheqerit jo vetëm nga rrethina, por anë e mbanë Kosovës. Ndoshta, ky do të jetë një fillim i mbarë për ekonominë e venitur të Komunës së Skenderajt, e cila gjatë luftës pësoi dëme të mëdha materiale, por edhe në njerëz, me 746 martirë dhe 140 persona ende të pagjetur.
/Gresë Koca – Vajzat Ngrisin Zërin/