Kosova ka kushte mjaftë të përshtatshme për t`u marrë me bletari, sidomos Rrafshi i Dukagjinit. Bletarët profesionistë thonë se në Rrafshin e Dukagjinit ekzistojnë 127 lloje të bimëve mjaltëdhënëse me vegjetacion nga pranvera e hershme deri në vjeshtën e vonshme, gjë që ofron mundësi të volitshme për prodhimin e mjaltit cilësor.
Pikërisht në këtë rajon vepron edhe njëra ndër kompanitë më të suksesshme në degën e bletarisë. Është kjo kompania ‘’Gruda’’ me seli në Pejë, e cila veprimtarinë e saj e ka filluar para një çerek shekulli, më 1990, ndërsa kultivon traditën familjare rreth 65 vjeçare me bletarinë. Kjo kompani viteve të fundit e cila pos mjaltit prodhon edhe disa produkte të saj dhe tregton edhe pajisje për bletari.
Gramoz Gruda tregon për KosovaLive për kultivimin e bletarisë si traditë e familjes dhe shton se edhe kompania “Gruda” është fryt i këtij biznesi familjar me traditë shumë të hershme. Ai nënvizon se bletaria është profesion i vështirë, delikat, i ndjeshëm por edhe fitimprurës, por që fatkeqësisht te ne në Kosovë ende nuk stimulohet sa duhet, madje edhe nuk kontrollohet sa duhet.
Gruda përmend si shqetësim për kompaninë e tyre konkurrencën jolojale dhe mungesën e kontrollit të cilësisë dhe të mjaltit dhe të preparateve që përdorën në bletari, duke nënvizuar se këta dy faktorë po dëmtojnë prodhuesit vendor. Ai përmend konkretisht se në treg ka shumë produkte jo cilësore me çmim më të lirë se që është kostoja e prodhimit vendor. Si shembull merr fletët e dyllit, për të cilat thotë se viteve të fundit janë futur në mënyra ilegale në Kosovë me prejardhje nga Kina, duke i shkaktuar konkurrencë jolojale kompanisë “Gruda”, e cila prodhon fletë dylli shumë cilësore.
Bashkëbiseduesi ynë thotë se në Bashkimin Evropian ka më shumë se 10 vjet që është ndaluar importimi i fletëve të dyllit, por shteti ynë nuk po merr asnjë masë për mbrojtjen e prodhuesve vendor.
“Gjithsesi ne jemi optimistë për të ardhmen dhe mendojmë se me kohë edhe populli do të sensibilizohet për të përdorur produkte vendore dhe interesimi për prodhime të vendit të rritet pak e nga pak, sidomos për prodhimet e bletës’’, u shpreh Gramoz Gruda për KosovaLive.
Ai nuk la pa përmendur edhe faktin se në Kosovë ka bletarë shumë të dalluar dhe disa prej tyre janë shpërblyer edhe me çmime ndërkombëtare për mjaltin cilësor që nxjerrin. Edhe kompania e bletarisë “Gruda” është bartëse e çmimeve të këtilla, madje edhe e certifikuar në vitin 2005 në Gjermani me ISO-22000.
Gruda flet edhe për aktivitetin e Shoqatës së bletarëve ‘’Peja’’, ku është anëtar i Këshillit organizativ për seminarin “Mbarështimi dhe kultivimi i mëmave”, që u organizua ditë më parë në Pejë, për të tretin vit me radhë. Ai e vlerëson shumë të rëndësishëm këtë seminar pasi është sezoni i kultivimit dhe mbarështimit të bletëve. Sipas tij, vetë qëllimi i këtij organizimi është që bletarëve të rinj, po ashtu edhe atyre me eksperiencë më të gjatë, t’iu jepet mundësia që të mësojnë më shumë nga përvoja shumëvjeçare e bletarëve, siç ishte sivjet takimi me prof. Fadil Kuklecin.
‘’Interesimi nga njerëz të rinj tejkaloi pritjet tona, pasi që bletarë të ndryshëm kishin ardhur nga Shqipëria e Maqedonia, kurse në përfundim të seminarit pjesëmarrësit u pajisën me certifikata. Një e veçantë tjetër është se gjatë këtij seminari në shoqatat e bletarëve u anëtarësuan mbi 30 bletarë të rinj, gjë që flet për interesimin e njerëzve të merren me bletari’’, thotë Gruda përKosovaLive.
Ai thekson se edhe bletarët, sikurse fermerët në çdo sektor tjetër të bujqësisë, shprehin nevojën për përkrahje, në mënyrë që të rrisin efiçiencën dhe aftësitë konkurruese, bashkë me të edhe kapacitetet.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural(MBPZHR) viteve të fundit ka rritur përkrahjen financiare për bletarët përveç me subvencione edhe me grante investive për shtim të numrit të koshereve të bletëve, modernizimit të pajisjeve për prodhimin e mjaltit dhe për rritje të sasisë së mjaltit të certifikuar si mjaltë organike.
Ministri Memli Krasniqi në një takim të mbajtur me përfaqësuesit e Lidhjes së Bletarëve të Kosovës, ka premtuar se ministria do të vazhdojë të ofrojë mbështetje financiare dhe profesionale për bletarinë.
/Albiana Shala – Vajzat ngrisin zërin/