Interesimi për t’u ushqyer shëndetshëm është në rritje të vazhdueshme, kjo vjen si arsye e fillimit të vetëdijësimit të njerëzve rreth përfitimeve shëndetësore.
“Po të krahasoj njerëzit dhe kërkesat e tyre ushqimore para 4 vitesh, ndryshimet janë drastike. Dhe nisem edhe nga kërkesat që marr vazhdimisht në faqen time mbi njohuritë që njerëzit duan të dinë mbi produktet bio,” thotë nutricionistja Diola Dosti Baftiu.
Prej tre vitesh në Ferizaj funksionon shkolla e mesme me një ndër profilet e vetme në Kosovë – profil i sigurisë ushqimore dhe dietave. Nxënësit e këtij profili së bashku me kujdestaren e tyre Brilantina Berisha kanë në plan të hapin një lokal me ushqime të shëndetshme në kuadër të shkollës. Përveç që ky lokal do ishte shumë i mirëpritur për shumë nga qytetarët, të hollat e fituara nga shitja e këtyre produkteve do të shfrytëzoheshin prej nxënësve.
Plani për lokalin me ushqimet e shëndetshme nuk është ende i realizueshëm pasi shkolla po pret leje nga komuna. Deri tani ndikimi i vetëm që këta nxënës mund të bëjnë është duke këshilluar shoqërinë rreth dobive të të ushqyerit shëndetshëm.
“Plan programi mësimor është përpiluar në atë mënyrë që secila klasë të ketë ndikim në vendet të cilat ata bëjnë praktikë. Praktika kryhet në mensë të spitaleve, në çerdhe, lokale private ku nxënësit tregojnë rreth asaj se me çka duhet ushqyer secila grupmoshë,” thotë Brilantina Berisha.
Me interesim vijnë edhe preokupimet nga konsumatorët: çmimi dyfish më i lartë i këtyre ushqimeve, cilësia e dobët janë disa prej tyre. Informata të mjaftueshme nuk kanë as konsumatorët e as prodhuesit për domethënien e produktit “bio” si pasojë e mosvetëdijësimit të qytetarëve nga ana e institucioneve.
“Prodhimi dhe oferta e ushqimeve bio akoma nuk e gëzon kujdesin e merituar shoqëror. Ato pak produkte kanë edhe numër të vogël konsumuesish, analogjikisht proporcional,” konfirmon Selatin Kaçaniku nga Shoqata e Konsumatorit.
Kaçaniku thotë se edhe pse ka pakënaqësi, institucionet e vendit shumë pak iu përgjigjen shqetësimeve dhe ankesave të qytetarëve.
“Kjo vërtetohet edhe nga numri i vogël i inspektorëve. Për këtë është e pamundur që të arrihen rezulatet e pritshme që do ishin të kënaqshme nga konsumatori.”
Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë të Veterinarisë dhe Ushqimit të Kosovës, thotë se vendi ynë i përmbahet rregullave të CEFTA-së.
Përveç që ekzistojnë rregulla për lokalet të cilat nuk kanë cilësi në ushqim, ka ligj edhe për AVUK nëse nuk zbaton përgjegjësit e saj.
”Pa marrë parasysh, kushdo që ka dyshime apo ka ndonjë pakënaqësi rreth moszbatueshmërisë së këtyre ligjeve atëherë janë organet tjera të cilat mund t’i marrin masat edhe ndaj nesh edhe ndaj secilit. Udhëzimi 17/2008, është në fuqi që nga viti 2008”, tha Thaçi.
Pavarësisht të gjitha problemeve që ekzistojnë, Diola Dosti Baftiu, ndryshe një femër e suksesshme nga Shqipëria, e cila tani jeton dhe punon në Kosovë, po mundohet të rrit vetëdijësimin tek qytetarët. Përmes faqes së saj ajo ka arritur të bind shumë njerëz me këshillat e saj të kenë kujdes me mënyrën e të ushqyerit. Ajo është shumë optimiste, madje thotë se ne kemi aq shumë mundësi për treg bio sa edhe vendet e tjera si Gjermani, Zvicra mund të furnizohen nga ne.
Edhe pse mundësitë për këtë treg janë shumë të mëdha, lokale me ushqime bio nuk ka mjaftueshëm.
Arsyeja kryesore se pse duhet kushtuar rëndësi se me cka ushqehemi, sipas saj është rritja e sistemit imunitar.
Xhenete Hasani