Në një hapsirë prej rreth 30 metra katrorë fëmijët me aftësi të kufizuara po gjejnë lumturi dhe përkrahje: shoqata Hendikos në Ferizaj ka hapur një biblotekë të pazakontë ku këta femijë mund të luajnë e të huazojnë lodra edukative e libra të ndryshëm.
Xhemile Murseli, menaxhere e kësaj shoqate tash 16 vjet, tregon se për herë të parë në Kosovë ka një hapësirë të tillë, e cila ka lodra të ndryshme që ndikojnë në zhvillimine aftësive dhe imagjinatës së fëmijëve.’
Biblioteka e lodrave është hapur në muajin nëntor të këtij viti dhe qasje në të kanë të gjithë personat nën moshën 18 vjeçare. Lodrat zgjidhen për secilën kategori të femijeve nga konsultimet të cilat bëhen me asistenten e bibliotekës Besmire Bajrami.
Hapësira mund të shfrytëzohet çdo dite pune për aq sa atyre iu duket e nevojshme: nga personeli fëmijët marrin edhe trajtime fizioterapie, mësim mbështetes, kurse prindërit këshilla se si të punojnë me fëmijët e tyre.
Hendikosi është një prej organizatave të para që u themelua në vitin 1997 për ofrimin e shërbimeve për personat me aftësi të kufizara, me fokus të veçantë fëmijët.
Edhe komuna jep mbështetjën e saj për këtë kategori të qytetarëve, duke e ndihmuar në aspekte të ndryshme.
”Kujdesi institucional ndaj kësaj kategorie asnjëherë nuk do të mungojë”, thotë kryetari i komunës së Ferizajit, Muharrem Svarça.
Mirëpo, mbështetësit kryesorë, të cilët edhe janë shtylla kryesore e shoqatës, janë dhënësit e donacioneve, respektivisht organizatat e huaja.
Save The Children, që është në partneritet me Hendikosin, përveç që e financon me mjete të nevojshme, gjithashtu mundëson edhe trajnime të ndryshme për punorët.
”Punëtorët janë me përgatitje adekuate, janë të licensuar për shërbime sociale. Gjatë tërë vitit vijojnë trajnime të ndryshme të financuara nga projektet, duke marrë si model shtetet e zhvilluara. Pra investohet vazhdimisht për ngritjen e kapaciteteve.”, shton menaxherja e Hendikosit, Murseli.
Prindërit janë të kënaqur me mbështetjen që fëmijët e tyre e gëzojnë në këto hapësira, ku përvec lojës marrin edhe mësime shtesë dhe trajtime fizioterapie.
Ata së bashku kanë krijuar tri grupe vetëpërkrahëse, duke u ndarë sipas kategorive të aftësive të fëmijëve të tyre. Në takimet e tyre diskutojnë se si të përballen me sfidat që i kanë dhe i ofrojnë përkrahje dhe këshilla njëri-tjetrit, sikur që dhe inicojnë nisma për përmirësimin e kushteve të ofruara nga komuna.
”Në qytet do të bëjmë përpjekje që të bëjmë gjithçka që është e mundur që edhe kjo kategori ta ndjejë veten të barabartë me të gjithë”, ka thënë kryetari Svarça.
Niveli i arsimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në komunën e Ferizajit është i kënaqëshëm. Prej 132 fëmijëve, vetëm 47 janë të papërfshirë në procesin e mësimnxënies. Kjo mospërfshirje vjen si rezultat i mosnjohurive nga ana e mësimdhënsëve se si të punojnë më këta fëmijë, si dhe i kushteve sociale, ekonomike, transportit etj.
Problemet me transportin anëtarëve të Hendikosit ua vështirësojnë edhe planifikimin dhe zhvillimin e aktiviteteve jashtë qendrës. Ata posedojnë një automjet, i cili u është dhënë nga komuna në vitin 2005, e që në të shumtën e rasteve, sipas punëtorëve të shoqatës është me defekt. Kjo ua vështirëson realizimin e aktivitetve të cilat janë të planifikuara edhe me qëllim të integrimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në shoqëri.
Xheneta Hasani