Studentët e Fakultetit të Gjeoshkencave dhe Teknologjisë, i themeluar më 2013, pjesë e Universitetit të Mitrovicës, aktualisht zhvillojnë mësimin në objektin e ish Fabrikës së Akumulatorëve “Trepça”.
Në shikim të parë njeriu do të thoshte se ky mund të jetë shembull i ndërlidhjes së mësimit teorik dhe praktikës. Por, vetëm në shikim të parë.
Aty kryhet vetëm mësimi teorik, praktikën e kryejne gjetkë.
Objekti në të cilin sot mbahet mësimi dikur ka qenë Fabrikë e Akumulatorëve. Kjo fabrikë ka prodhuar sasi të mëdha të akumulatorëve për tregun e ish Jugosllavisë, por edhe për eksport, kryesisht në ish Bashkimin Sovjetik. Periudha kur kjo fabrikë ka prodhuar me kapacitetin më të lartë ka qenë në vitet e ‘80-ta.
Objekti i vjetër i fakultetit, që më heret është quajtur Xehetaro-Metalurgjik, ndodhet në rrugën “Xhon Kenedi”, në pjesën veriore të Mitrovicës. Në kuadër të tij funksiononin drejtimet e xehëtarisë, gjeologjisë, metalurgjisë dhe teknologjisë. Ky objekt sot është i uzurpuar.
Vështirësitë më të mëdha në zhvillimin e mësimit teorik dhe praktik i hasin sidomos studentët e Degës së Metalurgjisë dhe Materialeve, ku ata i zhvillojnë ushtrimet eksperimentale të parapara me planprogramet mësimore me ato pak pajisje në disa laboratorë.
“Ka mungesë të pajisjeve, t’i quaj moderne, që edhe koston e kanë të lartë. Sa i përket punës praktike studentët i dërgojmë në fabrikat që janë duke punuar në Kosovë,” thotë shefi i këtij departamenti, Muharrem Zabeli.
I vetëdijshëm se është vështirë të zhvillohet mësimi në një objekt industrial, ai pohon se vullneti i studentëve dhe profesorëve po e lehtëson paksa këtë situatë.
Studentët thonë se fakulteti nuk u ofron kushtet e duhura për zhvillimin e mësimit dhe se në objektin ku mbajnë mësim ka mungesë të mjeteve elementare, si bankat dhe karriget.
Ka të ngjarë se krejt kjo të ketë ndikuar edhe në numrin e vogël të studentëve. Që prej pasluftës asnjëherë nuk janë plotësuar 60 vendet që ofrohen në konkurs.
Në vitin e parë, këtë vit akademik, fakulteti ka regjistruar rreth 40 studentë e në vitet më të larta numri është më i vogël. Në mesin e tyre ka edhe vajza, mirëpo numri i tyre është shumë i vogël. Në studimet master këtë vit është regjistruar grupi prej 8 studentëve.
“Arsyet unë i shoh kryesisht te jofunksionimi i industrisë për prodhimin dhe përpunimin e metaleve në Kosovë pas luftës,” thotë Zabeli.
Nga ana tjetër, studentëve të cilët përfundojnë studimet në këtë drejtim nuk u ofrohen mundësi të mëdha në tregun e punës, me çka, sipas tij, “zvogëlohet perspektiva dhe interesi për studime në këto drejtime në përgjithësi.”
Zabeli tregon se vetëm një numër i vogël i studentëve pas diplomimit janë punësuar në minierën e Trepçës, Feronikel dhe nëpër ndërmarrje private.
Studentët dhe ligjeruesit e Universitetit të Mitrovicës janë në pritje të përfundimit të objektit të ri në Mitrovicë. Atyre iu është premtuar se objekti i ri i fakultetit do të funksionalizohet për vitin e ri akademik.
Edina Avdiu