Në çdo 100 vajza të lindura në Kosovë lindin mesatarisht 105 djem, ndërkohë që ky dallim mes “vajzë-djalë” sivjet ishte edhe më favorizues për këta të fundit.
Statistikat, ndërkaq japin një pasqyrë tjetërfare: nga numri i përgjithshëm i popullsisë së Kosovës – 1.739.825, 51% janë femra kurse 49% janë meshkuj.
Visare Mujku Nimani, udhëheqëse e hulumtimit të kryer nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, UNFPA dhe INDEX Kosova, kishte deklaruar në përmbyllje të këtij projekti se “ishte parë kronologjikisht (një) diskrepancë mes vajzave dhe djemve në Kosovë,”. Kjo sipas saj, është indikator se në Kosovë “kemi preferencë më shumë ndaj djemve, e që nënkupton se ka aborte selektive…”.
L.H, 35 vjeçare tashmë nënë e tre fëmijëve, dy djemve dhe një vajze tregon se ka bërë aborte me të vetmen arsye se kishte vajzë.
”Kam kryer dy aborte selektive. Këtë vendim e kam marrë në pajtim me burrin dhe tani jemi të kënaqur sepse kemi familjen ashtu si gjithmonë e donim”, thotë L.H.
Gjinekologia Suada Latifi nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) thotë se abortet selektive nuk janë dukuri në Kosovë.
Në repartin e gjinekologjisë në Spitalin e Ferizajt thonë se rastet për abortime selektive janë dukuri me të cilën stafi përballet rrallë. Sipas infermieres Suzana Ferati, edhe nëse ndodhin, këto aborte atëherë kryhen në ordinanca private.
“Edhe pse jam kundër aborteve selektive punën time unë dhe stafi me të cilin punoj e kryejmë atëherë kur të dy prindërit kanë marrë këtë vendim dhe kur jemi në pajtim me ligjin,” thotë ajo.
H. F. nga komuna e Ferizajt, ishte vetëm 25 vjeç kur lindi fëmijën e parë, një vajzë e cila tash është studente. Ishte gëzimi i parë, të cilin nuk e ndanin të tjerët. “Sikur të ishte djalë“ ishin fjalët që i dëgjonte në vend të urimeve.
“ Katër vajza i kam abortuar se burri edhe familjarët e tij donin me pas një djalë e kushtet ekonomike nuk na mundësonin me pas shumë fëmijë”, thotë H.F.
Sot 47 vjeçe, ajo thotë se nëse do të ishte me vendim të saj, ajo do t’i mbante të gjitha vajzat, e bindur se një familje mund të ekzistojë edhe pa një djalë.
Besa Ismaili Ahmedi, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Islame thotë se abortet selektive janë një dukuri shqetësuese e shoqërisë tonë.
“ Është një dukuri tejet shqetësuese, ndonëse në Kosovë nuk është i përhapur shumë, besimi islam e konsideron mëkat nga më të mëdhat edhe nëse kemi të bëjmë me një rast të vetëm”.
Sipas ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës aborti legal është i lejueshëm deri në javën e dhjetë të shtatëzanisë dhe në javën e 16-të vetëm në raste të jashtëzakonshme si dhe në raste të përdhunimeve apo incesteve familjare.
Xhenete Hasani