Në dhjetor 2016, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Ferizaj, dënoi Fatos Rizvanollin me shtatë vite burgim për veprën penale rekrutim për tërrorizëm. Ai nuk është i pari që është dënuar në lidhje me ekstremizmin. Sipas autoriteteve, deri më tani në Kosovë janë dënuar rreth 40 persona dhe mbi 127 persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Në shtator 2015, Qeveria e Kosovës miratoi strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm. Megjithatë, shumë njohës të kësaj problematike mendojnë se vetëm miratimi i strategjisë dhe ligjit që ua ndalon qytetarëve bashkimin në luftërat e huaja nuk janë të mjaftueshme për parandalimin e këtij fenomeni.
Gazetarja, Serbeze Haxhiaj është e mendimit se përpos arrestimeve, Kosova mund të përdorë edhe mekanizma të tjerë për parandalim.
“Kam parë elemente mjaft dyshuese brenda institucioneve të Kosovës ose një forme joadekuate të ndjekjes së njerëzve të përfshirë në ekstremizëm fetar dhe organizata terroriste. Ka një qasje mjaft selektive dhe jo një trajtim të barabartë të rasteve prej Sirisë dhe Irakut”, thotë Haxhiaj.
Skender Përteshi, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) konsideron se Kosova është vonuar deri në vitin 2014 të mirret me fenomenin e ekstremizmit fetar, që ka filluar të shfaqet që nga viti 2012. Por edhe pse reagimi i qeverisë ishte i vonshëm, Përteshi thotë se ata janë të kënaqur me masat e marra.
Megjithatë, ai mendon se duhet që të ketë një buxhet më të madh për të përmirësuar kushtet sociale dhe ekonomike që kanë ndikuar në shkuarjen në luftë në mënyrë që kur ata persona të kthehen në Kosovë të mos ballafaqohen me problemet e njëjta.
Përpos kritikave ndaj Qeverisë së Kosovës, një numër përfaqësuesisht të shoqërisë civile mendojnë që edhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) nevojitet të mirret më shumë me parandalimin e ekstremizmit fetar.
Sipas gazetares Arbana Xharra, BIK mban përgjegjësi sepse disa persona që kanë rekrutuar qytetarë e kanë bërë këtë në xhamitë nën juridiksionin e BIK-ut.
“Heshtja e tyre deri tani ka pasur një efekt negativ. Ata mund të fillojnë ta luftojnë ekstremizmin me anë të emërimit të imamëve tradicional, që do të kishin më shumë fuqi t’i bindin këta të rinj sesa dikush jo fetar”, thotë Xharra.
Burim Ramadani nga Security Policy Research Center (SPRC) e sheh BIK-un si një institucion kyç në parandalimin e ekstremizmit.
“Nuk po flas vetëm me aktet e mundshme terrorriste ose me veprime të caktuara sepse me ato merren policia, intelegjenca dhe institucionet e tjera të sigurisë dhe të drejtësisë, por BIK-u njëjtë si intitucionet e tjera që ofrojnë shërbime publike, ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe në informimin publik se çka është e vërteta univerzale fetare dhe çka është manipulim i ndjenjës”, thotë Ramadani.
Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti, thotë se BIK ka përdorur ligjërata fetare nëpër xhami që të apelojnë tek të rinjtë të mos u bashkohen luftërave të tilla, dhe kanë suspenduar nga BIK-u ata ndaj të cilëve është ngritur padi.
“Ekstremizmi ka karakteristikë qenësore kapërcimin e mesatares, vetë mesatarja është relative, prandaj edhe variojnë definicionet për ekstremizmin, rreziku qëndron në radikalizimin e ekstremistëve që mund të shpie në dhunë”, thotë Sahiti.
Ai konsideron se Ligji për Parandalimin e Ekstremizmit, në masë të madhe ka parandaluar shkuarjen e të rinjëve në këto luftëra.
Por Arbana Xharra, e cila ka qenë pjesëmarrëse gjatë hartimit të strategjisë së Qeverisë së Kosovës për parandalimin e ekstremizmin, nuk mendon se ky dokument mjafton.
Duke u bazuar në hulumtimet e saj në këtë temë ajo merr shembull Francën ku bëhen fushata të ndryshme përmes mesazheve që përcjellin të kthyerit prej Sirisë apo prindërit e personave të rekrutuar që tregojnë për përvojën e tyre dhe pse nuk duhet të shkuar.
“Duhet të punohet në terren, duhen të organizohen debate me prindër, me nëna. Duhet të organizohen trajnime me mësues; duhet nëpër shkolla të ketë psikologë që të shohin sinjale; duhet të punohet më tepër në preventivë”, thotë Xharra.
Me këtë pajtohet sociologia Sibel Halimi e cila kritikon Qeverinë që është marrë më shumë me aspektin statistikor, e nuk i është dhënë mjaft hapësirë inicimit të fushatave të ndryshme televizive apo fushatave nëpër shkolla.
Ajo mendon se kjo lloj sigurie tradicionale nuk ka dhënë efektet e duhura që do të jepte përfshirja e më shumë profesionistëve që njohin kontekstin social, psikologjik të secilës kategori shoqërore.
“Kur zbulojmë teknikat e tyre atëherë ne duhet të përdorim po të njëjtën teknikë, vetëm për të ndërtuar kundërpërgjigjjen e asaj se çfarë ata promovojnë dhe rekrutojnë”, thotë Halimi.
Ramadani i SPRC-së shton edhe kontrolli financiar si aspekt të cilin institucionet e drejtësisë dhe inteligjencës duhet ta zhvillojnë shumë më shumë sepse kjo sipas tij, është një prej elementeve të cilat kanë ndikuar në përhapjen e kësaj ideologjie.
Bulza Çapriqi