Nga gjithsej 2,100 biznese të regjistruara në komunën e Klinës ,sipas të dhënave nga zyrtarët e Drejtorisë së këtushme të Financave, vetëm 5% e tyre kanë pronare femra.
Bizneset të cilat udhëhiqen nga femrat janë të ndryshme duke filluar nga shëndetësia, edukimi, gastronomia, tregtia ushqimore, tekstili por edhe profile tjera.
Edita Gashi 32 vjeçarja, nga Klina, farmaciste e diplomuar, është pronare e një barnatoreje të cilën e drejton qe shtatë vite me radhë. Ajo shpjegoi sukseset dhe vështirësitë në krijimin e këtij biznesi duke thënë se nëna e saj ishte ajo që e nxiti të fillojë biznesin edhe ishte ajo e cila e mbështeti gjatë tërë kohës pa marrë parasysh paragjykimet e të tjerëve.
Gashi thekson edhe vështirësitë që ka pasur në fillim nga bashkëpunëtorët.
”Punën e marrin më serioze nëse je mashkull dhe kanë një sjellje tjetër, mirëpo me kohë kur e kuptojnë se edhe një femër mund të ketë sukses prap ndryshojnë mendimin ”, thotë Gashi.
Edhe Afërdita Binakaj sikurse shumica e grave të tjera në komunën e Klinës, që në fillim ishte pre e shumë paragjykimeve. Për një kohë të gjatë ajo ka jetuar në Itali me familjen dhe vendosi që në vitin 2001 të kthehej në Kosovë. Embëltorja të cilën ajo e drejton qe 15 vite quhet “Dollomiti”.
“Aq shumë jam paragjykuar si femër që udhëheq një biznes të tillë sa që kam rishqyrtuar mendimin se a po veproj drejt apo jo”, thotë Afërdita dhe shtoi se vetëm me vendosmëri të lartë mund të arrihen të gjitha synimet në jetë.
Ajo shpjegoi se si biznesin e ka filluar vetëm me një kamarier në lokalin në qendër të Klinës, ndërsa tani embëltorja numëron 15 punëtorë në dy pika shitëse. Ajo shtoi se prindërit dhe bashkëshorti ishin personat të cilët ofruan mbështetje në çdo aspekt duke e motivuar atë të arrijë qëllimet e saj.
Një tjetër femër e sukseshme është edhe Mevlude Murtezi, e cila përveç që është udhëheqëse e Organizatës ”Childprof-CIPOF” ajo po ashtu e udhëheq edhe kopshtin e fëmijeve ”Margherita Kids” në fshatin Zllakuqan të Klinës.
Kjo çerdhe vepronte në fshatin Shtupel që nga viti 1999, nga një grup vullnetarësh italian që vendosën të bëjnë organizime për fëmijë. Ndërsa në vitin 2010 janë zhvendosur në fshatin Zllakuqan.
Sfidat për hapjen e këtij biznesi ishin të mëdha sepse nga viti 1999 deri në vitin 2008 kjo çerdhe ishte pa pagesë dhe ka funksionuar si projekt nga donacionet. Ndërsa nga 2010 është dashur të krijojnë të hyrat në mënyrë vetanake.
“Kjo ka qenë sfida më e madhe pasi që komuniteti tashmë ishte mësuar që këto shërbime t’i merrnin pa pagesë. Mirëpo edhe kjo është tejkaluar me edukimin e komunitetit në idenë se duhet të paguash për të marrur një shërbim”, thotë Murtezi.
Ajo shpjegoi se në çerdhen” Margherita Kids” janë rreth 50 fëmijë. Ndërsa stafin e çerdhes e përbëjnë dy edukatore, një asistente, një kuzhiniere, një pastruese, shoferi edhe psikologu.
“Në përgjithësi jam njeri me vetëbesim të lartë dhe një sfidë tjetër për mua ka qenë t’i bind njerëzit se unë mund t’ia dal, dhe këtë e kam arritur gradualisht”, thotë ajo.
Ajo veçon rastet kur njerëzit kanë marrë fonde vetëm pse kanë qenë meshkuj.
“Po të kisha qenë edhe unë mashkull dhe të shkoja në dreka me ta ndoshta do të kisha përfituar edhe unë fonde të caktuara”, thotë Murtezi.
Ajo ka edhe një mesazh inkurajues që femrat të jenë aktive.
“Mos keni frikë t’i shprehni idetë tuaja sepse ato kanë vlere të madhe, dhe mbajeni në mend, vetëm atëherë kur je aktive si femër je edhe më e rëndësihme për familjen dhe në këtë mënyrë i mbroni vlerat tuaja”, thotë ajo.
Adelina Gjergji