Build Skills with our trainings

Sign up now!

Toleranca e shtuar për liri individuale, heq velonë e tabusë nga shkurorëzimet

Shk 3, 2017

Gentiana Terpeza, 35 vjeçare nga Prishtina, ka një vit e gjysmë që është shkurorëzuar nga bashkëshorti i saj, me të cilin ishte e martuar për 10 vjet. Ajo thotë se pas shkurorëzimit ndihet më mirë dhe sikur të ketë rilindur.

Shkurorëzimi, thotë ajo, nuk ka ndikuar keq as për sa i përket shoqërisë, e cila e shikon atë njëjtë si edhe më herët.

“Po ndihem sikur e liruar nga një burg 10 vjeçar dhe tash e kam mendjen e qetë dhe kam mundësi që të jem më e afërt me njerëzit e tjerë. Tash po e kuptoj se sa kohë kam humbur…”, rrëfen Terpeza.

Ajo i është falenderuese shumë familjes, e cila e kishte përkrahur gjithmonë. Terpeza pohon se nuk kishte hasur paragjykime nga të tjerët, por edhe po të kishte pasur, ajo thotë se do t’i kishte shpërfillur.

“Nuk më bën përshtypje se çfarë mendojnë të tjerët përderisa unë ndihem mirë,” shprehet ajo.

Sociologia dr. Vjollca Krasniqi konsideron që shkurorëzimi tanimë nuk është temë tabu në shoqëri dhe se çdo herë e më shumë ka tolerancë për liri individuale, ndonëse shkurorëzimet në shoqëritë me konformitet më të lartë shihen si prishës të baraspeshës shoqërore.

“Në shoqëri me dominim të vlerave tradicionale, të shkurorëzuarit, e sidomos gratë stigmatizohen. Shumë prej tyre nuk kanë mbështetjen e familjes, dhe poashtu nuk kanë përkrahje insitucionale, për shembull alimentacionin për fëmijë,” pohon Krasniqi.

Numri i shkurorëzimeve në Kosovë po rritet çdo vit e më shumë, që dëshmohet edhe nga të dhënat e publikuara nga Agjencia Statistikore e Kosovës (ASK). Në vitin 2013 janë regjistruar 1.040 shkurorëzime, në 2014 është shënuar rritje prej 200 rasteve, kurse ne vitin 2015 janë shkurorëzuar 1.268 çifte.

Për sociologen Krasniqi shkurorëzimet në rritje janë një tregues i transformimeve të thella të lidhjeve intime në Kosovë.

“Nga këto transformime, më të shpeshtat lidhen me punën, vendin dhe arsimin në një shoqëri e cila po modernizohet shpejtë. Për më shumë, sot shumë individë e shohin të pamundur të jetojnë sipas pritjeve shoqërore dhe dëshirojnë më shumë liri. Poashtu, shumë individë lënë prapa lidhjet intime të cilat nuk janë plotësuese, kuptimplota apo të cilat mbahen me dhunë,” thotë ajo.

Krasniqi si shkaqe kryesore të shkurorëzimeve i sheh martesat e hershme, pritjet e parealizuara, dhunën dhe pabarazinë në mes të partnerëve.

Arsyeja kryesore e shkurorëzimit të Terpezës ishte se nuk kishte gjetur gjuhë të përbashkët me bashkëshortin. Ajo i sygjeron vajzat që të mos hyjnë në martesa të shpejta, pa e njohur mirë partnerin sepse martesat e shpejta zakonisht dështojnë.

“Poashtu sygjeroj që edhe femrat që nuk kanë raporte të shëndosha me partnerin t’i japin fund martesës pasi kjo është vetëm një maltretim psikik,” përfundon Terpeza.

Numri më i madh i shkurorëzimeve më 2015 – 13.6% ishin bërë në vitin e dytë të martesës; pason viti i parë me 13.2%, kurse me më pak se një vit martesë janë shkurorëzuar 9.9%.

Për sa i përket grupmoshës, dominojnë femrat e moshës 25-29 vjeçare me 292 shkurorëzime ose 23.0% dhe meshkujt e moshës 25-29 vjec me 277 ose 21.8% në vitin 2015. Statistika të ngjashme janë edhe nga viti paraprak 2014: 25.2% femra të moshës 25-29 vjeçare, kurse te meshkujt dominon mosha 30-34 vjeçare me 25.3% .

Numri më i madh i bashkëshortëve të shkurorëzuar janë pa fëmijë me 61.8%, pastaj 14.2% me dy fëmijë dhë 11.7% me një fëmijë.

Shkurorëzimi përjetohet ndryshe nga individë të ndryshëm.

“Media shpeshherë e ekzagjeron ndikimin e shkurorëzimit tek fëmijët. Fëmijët zhvillohen më mirë në lidhje familjare ku dominon dashuria dhe në një shtëpi ku ndihen të sigurtë dhe të vlefshëm,” thotë Krasniqi.

Terpeza e cila punon në aeroportin e Prishtinës dhe vet kujdeset për vajzën, thotë se nuk ka kërkuar asgjë nga ish-bashkëshorti, as pasurinë e tij dhe asgjë për vajzën në mënyrë që të ketë shkurorëzimin më të lehtë.

 “…nga martesa ime kam vajzën time, të cilën nuk do e ç’bëja për asnjë çmim në botë, sepse është ajo që me mbushë jetën me lumturi,” thotë ajo.

Gentiana Maxharraj

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM