Kumrie Gashi, si shumë gra të tjera në Kosovë, e ndërroi mbiemrin e saj kur u martua. Të gjitha gratë në familjen e saj kishin vepruar ashtu dhe ajo shpreson se edhe më tej të vazhdojnë me këtë traditë.
“Përderisa unë kam ardhur të jetoj me burrin tim, në shtëpinë e tij dhe ai siguron të ardhurat për familjen, unë besoj që mbiemri i tij meriton të identifikojë familjen e tonë”, thotë Gashi.
Për dallin nga e kaluara, në ditët e sotme gratë mund të zgjedhin të mbajnë mbiemrin e vet, atë të burrit apo të dy. Zyra e Ofiqarisë në Komunës e Prishtinës, nuk ka statistika të sakta se sa gra e kanë mbajtur mbiemrin e tyre, por supozojnë që nga viti 2000, rreth 70% e grave që martohen mbajnë të dy mbiemrat.
Sociologia Linda Gusia mendon se faktorë të ndryshëm si arsimimi i grave dhe kariera e tyre ndikuan që gratë e reja të hezitojnë para se të marrin një mbiemër tjetër. Atë e gëzon fakti që ato po konsiderojnë si mundësi mbajtjen e mbiemrit të vajzërisë edhe pas martesës, gjë që nuk ka qenë fare e diskutueshme në kohërat më të hershme.
“Padyshim faktor është edhe ndryshimi i konceptit të martesës tek disa. Nuk është vetëm se gruaja shkon tek burri, por bashkimi i dy individëve, dhe si i tillë ndoshta nuk e nënkupton ndryshimin e mbiemrit”, thotë Gusia.
Edhe Gusia ka vendosur ta mbajë mbiemrin e saj pas martesës. Ajo tregon se nuk e kishte konsideruar fare ndryshimin e mbiemrit sepse e kishte parë si pjesë të identitetit të saj. Fakti që është marrë me studime gjinore dhe se e dinte që shoqëria patriarkale funksiononte përmes mohimit të identitetit të grave i kishte rritur rëndësinë mosndryshimit të mbiemrit.
“Mua më është dukur absurde që një pjesë të madhe të jetës të jesh dikush dhe në momentin që dashurohesh dhe vendos të jetosh me dikë e ndryshon mbiemrin, vendos të bëhesh dikush tjetër”, thotë Gusia.
Sipas saj, disa nga arsyet se pse gratë ndryshojnë mbiemrin mund të jetë dëshira që të identifikohen si një familje me burrin e tyre, nuk ndihen rahat me mbiemrin që kanë apo nuk janë dhe aq të lidhura me të. Përderisa është zgjidhje personale dhe nuk iu është imponuar nga institucionet apo familja nuk paraqet ndonjë problem, mendon ajo. Problematike bëhet, thotë Gusia, kur institucionet u “kufizojnë qytetarëve mundësitë”.
Ajo shpjegon se së bashku me bashkëshortin e saj kishin vendosur që vajzës së tyre t’ia vinin të dy mbiemrat, mirëpo një kërkesë e tillë nuk ishte pranuar në Komunën e Prishtinës. Ata morën përgjigjje se fëmijët duhet të kenë vetëm një mbiemër. Institucionet, duhet të eliminojnë dimensionin patriarkal që kërkon ndryshimin e mbiemrit që të tregojë se kujt i takojnë fëmijët dhe gruaja.
Sara Gashi-Koraqi poashtu nuk e pati aq të lehtë të heq dorë nga mbiemri i vajzërisë që e kishte mbajtur për 19 vite. Ajo deshi ta mbajë mbiemrin e saj që t’i kujtonte rrënjët dhe origjinën e saj dhe gjithashtu të dallohej sadopak nga vajzat e tjera në familjen e burrit. Sipas saj, ndryshimi i mbiemrit iu duk si një transformim i madh duke marrë parasysh që njerëzit e njihnin me mbiemrin e vajzërisë. Duke mbajtur të dy mbiemrat njerëzit do të mund ta identifikojnë më lehtë, mendon ajo, por gjithashtu do ta kuptonin që ishte e martuar.
“Mbiemri im ka qenë pjesë e imja, diçka që familja ime ma ka dhuruar para shumë kohësh, më është dukur e padrejtë ndaj familjes mos ta mbaja”, thotë ajo.
Fatime Avdiut në anën tjetër iu duk e gjatë të mbante dy mbiemra kështu që vendosi ta mbajë të burrit.
“ Kështu ka qenë gjithmonë edhe nëna edhe gjyshja e kanë ndryshuar kështu që edhe unë e ndryshova”, thotë ajo.
Ndonëse e ndërroi mbiemrin, ajo mendon se do ishte më mirë po të mos e kishte bërë një gjë të tillë. Ajo i sygjeron vajzës së saj të mbajë mbiemrin e vajzërisë.
Bulza Çapriqi