Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mësimdhënia edhe kërkon, edhe kërkohet nga “bota” femërore

Mar 10, 2017

Time Maraj që punon qe 42 vite si mësuese në shkollën fillore “Hysni Zajmi” në fshatin Vrellë të Istogut thotë që këtë profesion e ka zgjedhur me dëshirë dhe dashuri.

“Jam shumë e kënaqur me punën që bëj me nxënës, si dhe ndiej kënaqësi të madhe teksa punoj me fëmijë, ndonëse është një punë me shumë përgjegjësi dhe duhet shumë përkushtim”, thotë Maraj.

Ajo pohon se ky profesion është shumë i përshtatshëm për femra për shkak të orarit të shkurtër, mirëpo duhet të përgatitesh vazhdimisht, në mënyrë që mësimi të jetë në nivel më të lartë dhe reflektimi pastaj të jetë më i lehtë.

“Nëse e bëjmë me dëshirë këtë profesion, nuk është aspak e vështirë, vetëm se lypset punë e pandalshme”, thotë Maraj.

Ajo thotë se profesioni mësuese është profesion i “shenjtë” dhe se edhe sikur ta kthente kohën prapa përsëri do ta zgjidhte këtë profesion.

Egzona Blakaj, studente e vitit të katërt në Fakultetin e Edukimit, në drejtimin fillor thotë se ka zgjedhur këtë drejtim pasi qysh e vogël ka pasur dëshirë të bëhet mësuese. Madje tani që është në përfundim të studimeve thotë se i pëlqen shumë të merret me fëmijë dhe të kalojë kohë me ta, gjë që e kënaq shumë dhe e bën të ndihet mirë.

“Unë mendoj që është një drejtim shumë i përshtatshëm për femra për arsye se është një orar i shkurtër, ka shumë kohë të lirë, pastaj femrat janë më të dashura dhe me të lidhura me fëmijët dhe në përgjithësi janë më të përgatitura se meshkujt në aspektin e përkujdesjes për fëmijë”, thotë Egzona.

Ajo pohon se ka më shumë femra të orientuara drejt mësimdhënjës pasi është një drejtim i përshtatshëm për to, pasi femrave kryesisht u pëlqen të merren me fëmijë, t’i mësojnë, t’i edukojnë në një mënyrë sa më të mirë që në të ardhmen të arrijnë diçka.

“Nuk mendoj së është profesion i vështirë vetëm se duhet shumë punë dhe përkushtim”, thotë ajo.

Milaim Mazreku, sekretar i Fakultetit të Edukimit, thotë se në të gjitha drejtimet prijnë femrat. Në 2016/2017, nga 2,986 studentë të regjistruar në këtë fakultet, 2,782 janë femra. Kurse, në drejtimet parashkollor dhe zhvillimi dhe edukimi në fëmijërinë e hershme (0-3 vjec), ai thotë, se thuajse 100% janë femra, kurse për drejtimet fillor dhe pedagogji prapë më të interesuara janë femrat se meshkujt.

Demë Hoti, prodekan për shkencë në Fakultetin e Edukimit, thotë se në shoqërinë bashkohore nuk ka ndarje mes profesinesh dhe gjithsecili mund të ushtrojë secilin profesion por varet ku e gjen vetën dhe prej afiniteteve personale të individit. Mirëpo, ai vë në pah se profesioni i mësimdhëniës është kryesisht profesion i “botës” femërore.

“Si duket, femrat janë më të ndjeshme për nga emocionet, për nga natyra, janë të lindura për t’u përkujdesur për të tjerët dhe si rezultat i kësaj e ndjejn obligim shpirtëror që të përcaktohen në punë me edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja”, thotë ai.

Hoti thotë se në botën bashkohore mendohet se ky profesion zgjedhet nga femrat pasi ka më shumë kohë të lirë dhe se një nga arsyet është edhe kjo.

“Në dukje të jashtme, duket që është orari më i shkurtë, mirëpo të paktën 22 orë në javë janë punë efektive e drejtpërdrejtë me nxënës, por kjo nuk nënkupton që nuk të merr më shumë kohë pasi duhet përgatitur përpara, pastaj problemet që ndodhin në shkollë shpesh i merr në shtëpi dhe ke detyra për të kontrolluar edhe pas përfundimit të orarit në shkollë”, thotë ai.

Po ashtu, Hoti thekson se puna e drejtpërdrejt me nxënës është problem intelektual, pasi duhet pasur parasysh se çka po flet, kujt po i flet, sa të kuptojnë nxënësit, a po pavarësohen ata dhe nëse vërtetë po jep mjaftueshëm për ata fëmijë.

“Nuk është lehtë, thotë ai, të dalësh para 30 palë syve, 30 fëmijëve, pasi secili sheh diçka të veçantë dhe dikush përqendrohet në sjellje, dikush në fizionomi, dikush në mimikë, dikush në fjalët që do të thotë gjithmonë je nën vështrim, gjë që është stresuese derisa mësuesja të adaptohet që të mund t’i përmbushë pritjet e secilit”, thotë ai.

Ndonëse, femrat prej së jashtmi mendojnë se është punë e lehtë, kur ballafaqohen i kuptojnë vështirësitë e këtij profesioni andaj “edhe femrat të cilat dalin në pension e janë të ruajtura ka pak sepse ky profesion të amortizon”.

Sidoqoftë, në krahasim me profesionet që kërkojnë 8 orë punë, për shembull në administratë, ky profesion është më tolerant për sa i përket orarit dhe u përshtatet më shumë.

Gentiana Maxharraj

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM