Kriza ekonomike, papunësia dhe varfëria në Kosovë patën pasojat e veta, sidomos tek rinia që u drejtuan tek feja për zgjidhje.
Format e reja të praktikimit të islamit në Kosovë, sidomos tek grupmoshat e reja, përpos që është një trend global, pasqyron mungesën e së ardhmës dhe shpresës, të cilat janë pashmangshmërisht të lidhura me ndjenjën e dëshpërimit dhe frustrimit të periudhës së pas-pavarësisë, mendon Rozafa Berisha, antropologe e kulturës.
“Kjo periudhë ndonëse premtoi siguri shoqërore dhe ekonomike, u përshkua me një thyerje të shpresave tek të rinjtë për arsye të pranisë së madhe të praktikave joetike në jetën politike dhe publike përgjithësisht”, thotë ajo.
Berisha shton se të rinjtë kosovarë, si bartës të thyerjeve dinamike në shoqëri në një periudhë shumë të shkurtër kohore, nuk kanë pasur aq alternativa sa aspirojnë dhe ishin në dijeni se u takojnë njësoj si në shoqëritë tjera demokratike. Ajo mendon se duke u ndjerë të përjashtuar, madje edhe nga mundësia e lëvizjës së lirë, një prej zgjidhjeve ekzistuese që u ofrohet është pikërisht feja, e cila u mundëson një përmirësim dhe vlerësim moral, ndjenjë të përkatësisë dhe shpresë për të ardhmen, e cila u mungon në jetën reale.
Ahmet Sadriu, drejtor për shtyp dhe veprimtari botuese në Bashkësinë Islame të Kosovës, mendon që rritja e besimit tek të rinjtë ka të bëjë me rrethanat e reja të krijuara në Kosovë pas dy zhvillimeve të mëdha – rënies së ideologjisë moniste dhe mëvetësisë së vendit. Ai mendon se këta dy faktorë kanë ndikuar që të krijohen kushte e rrethana më të volitshme për të shprehur e manifestuar besimin, respektivisht për edukim të lirë të të rinjve.
“Edukimi dhe ngritja shpirtërore është një segment i rëndësishëm për çdo shoqëri. Te ne për disa dekada është tentuar që të rinjtë tanë të edukohen në frymën ateiste, ajo kohë ka shkuar, tani është normale që rina do një edukim shpirtëror, një ngritje shpirtërore”, thotë Sadriu.
Ai shton se institucionet kompetente duhet të jenë të përgjegjshme që edukimi të bëhet drejtë dhe që të rinjtë të mos i edukojë rruga apo ideologjitë e ndryshme fetare e sektare.
Don Kastrioti, prift në Kishën Katolike në Prishtinë, mendon se në popullin shqiptar, feja dhe besimi në Zot kanë qenë të pranishme gjithmonë dhe janë përcjellur tek të rinjtë nga familjet e tyre. Ai beson se shumica e të rinjëve katolikë shkojnë të dieleve në meshë dhe në aktivitetet formuese të organizuara nga kisha.
“Besoj se të rinjtë në Kosovë janë shumë të shëndoshë. Kanë mendje dhe ideale në shumicën e rasteve me arritë diçka më të madhe në jetë dhe nuk e lënë besimin në Zot anash”, thotë ai.
OSBE tash tre vite organizon takime ndërfetare ku marrin pjesë katolikët, muslimanët, protestantët dhe ortodoksët, që të zhdukin paragjykimet që mund të ekzistojnë mes të rinjëve në Kosovë, thotë Don Kastrioti. Sipas tij, të rinjtë shfaqin mjaft interesim për këto takime dhe mirren shembull për harmoni ndërfetare.
“Ne të gjithë jemi vëllezër të një gjaku dhe një gjuhe, dhe kjo së bashku me besimin në Zot janë arsyet që na bashkojnë”, thotë ai.
Në një anketë, jopretencioze të KosovaLive, me 100 nxënës dhe studentë të moshës 17-25 vjeçare, 56 u deklaruan muslimanë, 23 katolikë, 13 agnostikë dhe 8 ateistë.
Ndonëse jo mostër shkencore, nga anketa del se 46 e respodentëve e shohin fenë si pjesë të rëndësishme të jetës së tyre, 30 mesatarisht të rëndësishme, ndërsa 24 aspak të rëndësishme. Gjithsej 40 nga të intervistuarit thanë se luten rregullisht, 22 thanë se luten ndonjëherë ndërsa 38 thanë se nuk luten.
Në pyetjen a ka tolerancë ndërfetare në Kosovë, 50 të anketuar u përgjigjën pozitivisht, 19 u përgjigjën negativisht ndërsa 31 mendojnë se ka deri në një masë por duhet të punohet më shumë.
Klarisa, 20 vjeçare, mendon se ka dy ekstreme:
“Ka të tillë që janë shumë tolerant dhe disa që s’janë aspak. Mirëpo në përgjithësi më duket se ka më shumë tolerime”, thotë ajo.
Sipas Dardanit, student 21 vjeçar, ka tolerancë “sepse ideologjia e nacionalizmit është më e fuqishme se feja”, përderisa moshatarja e tij, Nora, mendon se toleranca ekziston “vetëm deri në momentin që dy të rinj me fe të ndryshme dëshirojnë të martohen”.
Prej 100 të anketuarve, 71 kanë vizituar objekte të feve të tjera, 11 nuk kanë vizituar ndonjë objekt fetar të feve të tjera dhe 18 kanë deklaruar se nuk kanë pasur rastin.
“Mendoj se janë objekte të mira kulturore”, thotë Blendi, 18 vjeçar, i cili shton se ka vizituar si kisha ashtu edhe xhami.
Sa i përket futjes së mësimit të fesë nëpër shkolla, Arlinda, 22 vjeçare, thotë se deri në kohët e fundit nuk kishte menduar se është e nevojshme, sepse po të ishin të interesuar rreth fesë nxënësit mund të informoheshin jashtë shkollës.
“Por, duke i parë zhvillimet e fundit po vërehet që ka keqkuptime dhe persona të ndryshëm po japin leksione sipas interesave të tyre duke ngatërruar mendjet e të rinjëve. Për këtë arsye do të ishtë më mirë që të rinjtë të informoheshin në mënyrë të drejtë”, thotë ajo.
Në anën tjetër, Nora 21 vjeçare, mendon se shkolla duhet të jetë e ndarë nga feja.
“Edhe pse shumë konsiderojnë që përmes kësaj lënde do të mësohej për fenë, në mënyrë që njerëzit të mos bien pre e propagandave, prapë se prapë nuk ka indikacione që një lëndë për edukimin fetar do ta sensibilizonte popullin”, thotë ajo.
Në anketën e KosovaLive, 68 prej 100 respodentëve mendojnë se edukimi fetar nuk duhet të futet në shkolla, ndërsa 38 e përkrahin këtë mendim.
Bulza Çapriqi