Me fillimin e studimeve në universitete në Kosovë, shumica e studentëve, sidomos ata të cilët nuk jetojnë në vendin ku vijojnë studimet, kanë dy mundësi kryesore si do të sigurojë një jetë të mirëfilltë studentore.
Pyetja e parë është ku do të jetojnë ose si do të organizojnë kushtet për të qenë të suksesshëm në universitet.
Shumica e studentëve, prej të cilave më shumë vajza zakonisht janë të vendosura në konvikte.
Një numër më i vogël, që nuk pranohen në konvikte ose me dëshirën e prindërve, jetën studentore e zhvillojnë në banesa private.
Aktualisht nuk ekziston statistika sa studentë janë të vendosur në banesa private. Në anën tjetër, në Qendrën e Studentëve në Prishtinë janë vendosur 3,600 studentë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Fatmir Sfishta, drejtori i Qendrës së Studentëve në Prishtinë thotë se ndarja e kapaciteteve bëhet në bazë të kërkesës.
“Kërkesat nga studentët janë të mëdha, sepse banimi privat është më problematik. Në Qendrën e Studentëve ka siguri dhe prindërit e studentëve e ndiejnë vetën më mirë nëse fëmijët e tyre vendosen në konvikt”, thotë Sfishta.
Tre konvikte shfrytëzohen nga djemtë, ndërsa katër nga vajzat, ose 64% në krahasim me djemtë.
Sfishta konsideron se çmimi për strehim të studentëve është i arsyeshëm sepse paguajnë vetëm 20 euro për banim dhe 15 euro për ushqim në menzë në muaj.
Qendra e Studentëve është i monitoruar nga kamerat dhe sipas tij studentët mund të ankohen dhe se ankesat e tyre “nuk do të rrijnë nëpër dollapë”, por do të shqyrtohen.
Për studentët të cilët janë të interesuar për vend në konvikt kriter është largësia prej venbanimit dhe suksesi në arsim.
Në anën tjetër, studentët që vendosen në banesë zakonisht janë më afër venbanimeve.
Doresa Geci nga Istogu, studente e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, mendon se jeta në konvikt është një jetë tipike studentore.
“Je e rrethuar nga studentë, kushtet janë të mira, është atmosferë mësimi. Gjithmonë bibiliotekat e konvikteve janë plot me studentë, për dallim nga banesa ku ke më shumë shpenzime dhe është më tepër ambient familjar”, thotë ajo.
Meti Lezi nga Suhareka, student i mekatronikës në Fakultetin Teknik shprehet i kënaqur që banon në konvikt, por mendon se ka nevojë të ndërtohen edhe më shumë konvikte.
Arditi Limani, student i punës sociale në Fakultetin Filozofik, thotë se konvikti është zgjedhja më e mirë për studentët.
“Kushtet, është shumë normale, nuk janë luksoze, por çmimi është shumë i volitshëm. Është vend i mirë për t’u socializuar me studentët e tjerë”, tha ai.
Studentja e gjuhës gjermane, Argita Tolaj, nga Deçani, e cila ka ndërruar vendbanim nga konvikti në banesë private thotë se jeta në banesë është më dinamike, por edhe më e shtrenjtë dhe obligimet janë më të mëdha.
“Së pari, nga ana financiare për çdo student është më mirë të banojë në konvikt sepse është më lirë dhe në menzë dy herë ofrohen ushqime të nxehta. Banesa ka më shumë obligime: pagesa për qira, rrymë, ujë, internet, mbeturina, janë shumë të shtrenjta për një student. Gjatë një muaji për qira paguaj 80 euro dhe për atë arsye duhet kursyer shumë,” thotë ajo duke komentuar ndan banesën më tri vajza të tjera.
Eljesa Behluli, studente e gazetarisë nga Presheva, thotë se të jetuarit në banesë ka disa përparësi më shumë se të jetuarit në konvikt.
“Banesa ka një hapësirë më të madhe për ta shfrytëzuar nga e cila mund të ndjehesh më komode, mund të përzgjedhësh personat me të cilët mund të qëndrosh. Ujin e nxehtë e ke të rregullt dhe mund ta shfrytëzosh çdoherë që dëshiron. Poashtu mund t’i ofrosh ndonjë shoqes ndihmë duke e strehuar për ndonjë natë tek ti nëse ajo do ketë nevojë”, thotë ajo.
Haris Ademi nga Mitrovica, student në Fakultetin Filologjik thotë se i pëlqen jeta në banesë për disa arsye.
“Mund të dalësh kur të duash, ke hapësirë më të madhe për ta shfrytëzuar si dhe është një ambient i qetë ku unë mund të mësoj më shumë”, thotë Harisi i cili jeton së bashku me katër cimerë.
Në anën tjetër, Elona Komani nga Gjakova, studente e gazetarisë, jeton në banesë, por e mendon konviktin si zgjedhje me të mirë.
“Edhe pse në muaj paguaj rreth 170 euro për banesë, kam më shumë obligime dhe ndihem më pak e sigurt”, thotë Elona. Meqë përgatit vetë ushqimin edhe këtu i rriten shpenzimet.
Drejtori i Menzës së Studentëve në Prishtinë, Fahri Osmani, thotë se në menzë ofrohet një meny me ushqime kalorike duke filluar nga gjellërat, deri tek lëngjët, pemët dhe ëmbëlsirat. Dreka është e shoqëruar me supë, ndërsa darka me sallatë.
“Menza monitorohet vazhdimisht nga Inspektoriati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës. Merren mostrat . Bëhet DDD-ja (Dezinfektim, Dezinsektim dhe Deratizim)”, tregon Osmani.
Numri i studentëve që ushqehen në menzë, sipas tij, ndryshon nga muaji në muaj.
“Nga banimet private mund të ushqehen 1,500 studentë: në muajin maj janë ushqyer 981 studentë nga banimet private. Nga konviktet në muajin prill janë ushqyer 4,017 studentë, ndërsa për muajin maj 3.617”, thotë Osmani.
Për drejtorin e Konviktit V, Naser Kodraliu, jeta në konvikt ka edhe përparësi të tjera si për shembull higjena është në nivel sepse konvikti pastrohet çdo ditë nga ora 7 deri në 2.
“Këtë vit është bërë edhe rifunksionalizimi i Qendrës Mjekësore, ku mund të marrin shërbime rreth 4,000 studentë të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’”, që banojnë në konvikte”, thotë Kodraliu.
Në konvikte ka edhe biblioteka brenda konvikteve që rrijnë hapur gjatë gjithë kohës dhe jashtë që rrijnë hapur deri në orën 11:00, gjatë kohës së provimeve edhe më gjatë.
Fjolla Hajirizaj