Build Skills with our trainings

Sign up now!

Seksizmi e diskriminimi vazhdon të jetë sfidë për shoqërinë

Maj 22, 2017

Sulmi me vezë të ziera javën e kaluar ndaj Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në SHBA, në Universitetin e Denverit (Kolorado), për opinionin kosovar nuk ishte diçka e pazakontë. Megjithatë është interesant komenti i Çitakut e cila ka konkluduar se ky sulm kishte karakter “seksist”.

 “Në vezët e ziera që u hodhën drejt meje kishte të shkruara disa mesazhe seksiste,” ka shkruar Çitaku në faqen e saj në Facebook, për të shtuar se “për shkak se ishin shumë eksplicite nuk do t’i publikoj”.

Ky nuk është rasti i vetëm me të cilin ballafaqohen zyrtaret ose përfaqësueset e shoqërisë civile.

Violeta Kurti Islami, themeluese e Qendrës se Medieve të Grave (QMG) thotë se janë pikërisht vajzat dhe gratë palë e padëgjuar, e afektuar dhe jo e prezantuar duhur në media edhe pse në pothuajse çdo shoqëri, sipas saj, kontributi i tyre është i padiskutueshëm.

Rasti më i freskët ishte në emisionin Komiteti (në TV Dukagjini) kur një gazetar del në publik, dhe bën cilësime ‘burrnore odash’. Një rast tjetër gjithashtu, por tani i thënë nga një grua, gazetare e njohur (deri tash rol model për gazetari të guximshme) kur e bazon argumentin e saj për aderim në një parti duke thënë se e ka përkahjen e burrit”,  tha Islami.

Ajo deklaroi së theksime dhe porosi të tilla nga “eminenca” e personave publik vetëm se thellojnë prirjen seksiste në media dhe i hapin rrugë dhe më tej diskriminimit ndaj grave, por edhe diskursit seksist të intervistimit.

 “Prandaj mos të zhgënjehemi në rastet e mundshme kur në media gratë e reja në politikë të pyeten se a e kanë lejen e përkrahjen nga burrat e tyre për pjesëmarrje në funksion publik”, përfundoi ajo.

Rreze Abdullahu, aktiviste e shoqërisë civile thotë se deklaratat fyese ndaj femrave në pozita shtetërore janë bërë si “traditë”. Sipas saj këto kanë ndodhur edhe në Kuvendin e Kosovës, por edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga nuk i iku situatave të ngjashme.

“Atifete Jahjaga u paragjykua për kryerjen e detyrës vetëm për shkak se ishte femër. Ajo u ballafaqua disa herë edhe me grafite seksiste ndaj saj nëpër rrugët e Prishtinës. Për këtë akt, vetëm se u quajt huliganizëm politik dhe u dënua rëndë, nuk u ndërmor asgjë”, thotë Abdullahu.

Për të është shqetësuese sepse përdoren hapur fjalë ofenduese si p.sh “lopë transparente”,”lopë e Danimarkës”… Më e keqja e kësaj është se këto ofendime vijnë nga persona zyrtarë ose nga personat e njohur për publikun.

Në një analize të bërë nga Agjencia për Barazi Gjinore (ABGj) rreth disa artikujve për prezantimin e grave në media,  thuhet që shpeshherë mediat janë vetë ato që shfaqin seksizëm, duke përdorur një gjuhë jo të drejtë ndaj femrave gjatë përshkrimit të ngjarjeve.

“Shpesh ato bëjnë të ndikojnë në rrënjosjen e mentalitetit të atillë, ku femrat shfaqen jo vetëm si të paditura, por me shkrimet e tyre ata bëjnë të duken se ato as nuk ia kanë idenë se çfarë bëjnë”, shkruan në këtë analizë, që përfshinë një numër shkrimesh si ilustrim i ekzistencës së seksizmit edhe në mediat. si për shembull artikujt “Inxhet në kuvend”, “Sërish me djalë”, “Më pak femra të trafikuara në Kosovë“, etj…

Florina Imeri, studente e gazetarisë në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë konsideron se seksizmi haset thuajse çdo ditë, nëpër debate si në familje ashtu edhe në shoqëri.

“ Shpesh na thuhet ‘Mos fol, nuk din, je femër.’ Mentaliteti jonë është ende prapa, ku gjinia femërore duhet të jetë nën petkun e gjinisë mashkullore. Unë gjithnjë reagoj me kundërshtime duke referuar që gjinia jonë është superiore ndaj asaj mashkullore”, përfundon ajo.

Nga një hulumtim, i vitit  2014 nga Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer-Stifung”, kishte dalë përfundimi se roli i grave në shoqëri paraqitet në tri variante: role tradicionale nënë-bashkëshorte, paraqitje fizike, dhe si objekte seksiste.

Në anën tjetër, në një hulumtim të Komisionit te Pavarur per Media (KPM) në vitin 2013, gjatë monitorimit dy ditor të tri televizioneve, Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Kohavision (KTV) dhe  Radio Televizionit 21 (RTV21), femrat ishin paraqitur në ekran në një përqindje shumë të vogël në krahasim me meshkujt.

Në RTK – 5,21%, KTV – 7,72%  dhe RTV21 vetëm 4,20%.

Artiana Matoshi, gazetare në Klan Kosova thotë se gjatë kryerjes së punës në terren, shpesh përballesh me fjalë të ndryshme si psh.” s’është kjo punë për femra” apo ” veç je femër se të kisha kallëzu…”.

Ajo thotë që gjuha seksiste përdoret qysh nga familja, shkolla e deri tek puna/profesioni. Ajo instalohet herët dhe të ndjekë gjithmonë. Shpeshherë këtë retorikë e përdorin edhe vetë femrat dhe kjo tregon që duhet ende shumë punë që ne si shoqëri të heqim dorë njëherë e përgjithmonë nga seksizmi.

 “Duhet të fillojë ndryshimet vet familja kosovare, në mënyrë që vajzat e tyre nesër mos të përballen me seksizëm. Sa i përket medieve, duhet që drejtuesit e tyre të nxjerrin rregullore, ku dënohet gjuha fyese në baza gjinore. Duhet që vet gratë të mos lejojnë që ndaj tyre të përdoret një gjuhë e tillë dhe në rastet ku përdoret, ta raportojnë atë”, deklaroi Matoshi.

Reagime kundrejt seksizmit të shprehur në media ka gjithmonë,nga shoqëria civile e deri tek qytetarët e thjeshtë sidomos nëpër rrjete sociale.

Qendra e Medieve për Gra (QMG), ka mision të ndikojë tek mediat dhe institucionet publike në drejtim të fuqizimit të grave dhe sjelljen e zërit të tyre në vendimmarrje për të ngritur qeverisjen demokratike në Kosovë.

 “Kur gratë janë temë qëndrore e lajmit, portretizimi i tyre del të jetë me standarde dyshe. Dukja e tyre, objektivizimi i tyre dhe përçmimi janë kriteri i parë që mbizotëron një vlerësim i cili përcjellë prezantimin mediatik të femrave”, tha themeluese QMG, Violeta Kurti Islami.

Sipas saj, mediat fillimisht duhet edukuar dhe fuqizuar veten, duke ndërtuar politika gjinore dhe programore.

”Ndikimi i tyre, do të jetë edhe më korrekt ndaj grave kur fillon ky ndryshim brenda tyre, atëherë besoj mesazhi i lajmit nga këto shtëpi mediatike, do të jetë më objektiv, përfshirës, ndërsa fuqizimi i grave do vie natyrshëm”, thotë Islami.

Në faqen zyrtare të Agjencisë për Barazi Gjinore, me seli në Prishtinë, për prezantimin e grave në mediat e shkruara, shkruan:

Ata që përdorin në mënyrë profesionale median janë formues të shoqërisë. Ata mund të bëjnë një shoqëri vullgare. Mund ta bëjnë më të dhunshme. Apo, mund ta ngrisin shoqërinë në një nivel më të lartë.”

Njomza Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM