Build Skills with our trainings

Sign up now!

Shenjëtarët me normë olimpike marrin në dorë fatin e tyre

Qer 12, 2017

Lumturije Rama, Urata Rama dhe Drilon Ibrahimi janë emra që kanë hyrë në historinë e shenjëtarisë kosovare, por gjithashtu edhe janë të vetmit që po e mbajnë gjallë këtë sport në Viti.

Ky sport i ka sjellur suksese të mëdha këtij qyteti për vite me radhë.

Fillimisht me “prraçkat” dhe lojërat me armë lodër si fëmijë, këta të tre shenjëtarë kishin arritur deri tek norma olimpike në shenjëtari. Ky rrugëtim i tyre, megjithatë nuk ishte i lehtë dhe ishte i mbushur përplot sfida.

Ata filluan karrierën në klubin e shenjëtarisë “Shënjestra” në Viti më 2002, në moshë shumë të re, 16-17 vjeçare. Pas vdekjes së themeluesit dhe trajnerit të këtij klubi, anëtarët ndryshuan emrin në “Jeton Rama” më 2006, për të nderuar kontributin e tij të  gjatë  në  këtë  klub. Ai kishte zbuluar shumë të rinj të talentuar. Në mesin e tyre jedhe Uratën, Lumturinë dhe Drilonin.

Lumturije dhe Urata Rama janë shenjëtaret e para që morën pjesë në Lojërat Olimpike në Baku të Azerbejxhanit më 2015, vetëm Urata mori pjesë në lojërat olimpike Rio 2016. Drilon Ibrahimi, ndërkaq që nga viti 2002 është kampion absolut në Kosovë e tani edhe në Shqipëri. Vitin e kaluar ai ka thyer tri herë rekordin kosovar në disciplinën ”pushkë ajrore standard” për meshkuj.

Po i njëjti klub nga i cili buruan, fatkeqësisht doli të jetë edhe sfida e tyre më e madhe në karrierë deri më tani. Borxhi që ky klub ka ndaj Federatës së Shenjëtarisë së Kosovës si dhe mosfunksionimi i duhur i tij po u pamundëson atyre të marrin pjesë në gara brenda Kosovës dhe jashtë saj.

Problemet në të cilat gjendet ky klub si dhe mosfunksionimin e duhur momental e pohon edhe Selami Bejta, kryetar i këtij klubi nga viti 2010.

“Qëkur kam marr në drejtim këtë klub, ka qenë i futur në borxhe ndaj federatës. Çdo vit ne duhet t’i paguajmë federatës një shumë të caktuar për kuotizim dhe licencim dhe sado që jemi munduar të shlyejmë këtë borxh, ai na ka përcjellur për vite me radhë”, thotë Bejta.

Ai më tutje tregon se janë duke u munduar ta shpëtojnë klubin nga shuarja e tij dhe shpreson që do t’ia dalin.

Me dëshirë të vazhdimit të kësaj discipline sportive jo edhe gjithaq të përhapur gjetkë, e për shkak të mosfunksionimit të klubit, Drilon Ibrahimi gjeti një rrugë për vazhdimin e karrierës. Ai u anëtarësua në klubin “Polici” nga Prishtina.

Në anën tjetër Lumturije dhe Urata Rama në mars të këtij viti morrën iniciativën për krijimin e një klubi të ri.

“Kur më 2015 na u hapën rrugët për gara ndërkombëtare, ne menduam se erdhi fundi i sfidave. Pasi u bllokua funksionimi i klubit si pasojë e neglizhencës se kryetarit për zgjidhjen e këtyre problemeve, kemi menduar për opsionin e hapjes së klubit të ri dhe t’ia nisim mbarë nga fillimi”, thotë Urata.

Lumturije Rama thotë se janë në proces e sipër për të finalizuar të gjitha kushtet e regjistrimit të klubit të ri të shenjëtarisë, me emrin “Anamorava”.

“Ne menduam se me një energji të re, mund ta themelonim një klub të ri,  që aktivitetet tona brenda klubit të jenë më efikase dhe funksionale. Tashmë, bashkë me Urata Ramën, me klubin e ri shpresojmë të kemi një motivim të fuqishëm për të promovuar shenjëtarinë dhe të nxisim brezin e ri të merret me aktivitete sportive”, thotë Lumturia.

Kryetari i Federatës së Shenjëtarisë në Kosovë, Gëzim Hazrolli ka konfirmuar që klubi “Anamorava” është në regjistrim e sipër.

“Shpresoj që brenda muajit të kryhen të gjitha procedurat për finalizimin e tij. Besoj që me përkrahjen tonë të vazhdueshme dhe me atë të komunës, tash e tutje do të kenë rrugët e hapura”, thotë Hazrolli.

Kampioni Ibrahimi, edhe pse për t’iu lejuar pjesëmarrja në gara u detyrua të anëtarësohej në klubin e një qytetit tjetër, me regjistrimin e klubit të ri, paralajmëron kthimin në Viti.

Ai beson se me klubin e ri dhe me përgatitjet e vazhdueshme dhe intensive do të tregojë veten si asnjëherë më parë dhe këto do të shërbejnë si motiv sidomos për të rinjtë e kësaj komune për t’u marrë me këtë sport.

“Tani kemi përkrahje nga komuna dhe nga federata e shenjëtarisë, që është shumë pozitive për ne dhe tregon një dritë në fund të tunelit”, thotë Ibrahimi.

Përveç përkrahjes tjetër financiare, Komuna e Vitisë ka siguruar edhe bursat olimpike për Uratën, Lumturijen dhe Drilonin. Në  shkurt të  këtij viti Komuna e Vitisë  dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruan një  memorandum bashkëpunimi për mbështetjen financiare të sportistëve vitias me normë  olimpike.

Tani me hapjen e klubit “Anamorava” këta tre shenjëtarë po synojnë lojërat olimpike Tokio 2020.

Trendelina Haliti

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM