Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një nismë ngjall shpresat për punësimin e shumë të rinjve vitias

Kor 3, 2017

Gjithsej 200 të rinjve vitias së shpejti do t’u ofrohet mundësia e ndjekjes së trajnimeve profesionale dhe rrjedhimisht edhe të punësimit potencial.

Kjo do të bëhet e mundshme përmes mbështetjes së Helvetas Swiss Intercooperation që para rreth katër vitesh lancoi projektin për trajnime profesionale në disa komuna kosovare, respektivisht në Dragash, Kamenicë, Shtërpcë e Novobërdë.

Ideja e Helvetas Swiss Intercooperation ishte zgjerimi edhe në komunat tjera, por kësaj here me bashkëfinancim.

Mimoza Marashit, zyrtare e lartë për trajnim dhe aftësim në projektin “Aftësitë për punësim rural”, thotë se Vitia, pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëfinancim nga mesi i qershorit të këtij viti, është komuna e parë që fillon implementimin e këtij projekti sipas skemës së re.

“Ky projekt do të zgjasë deri në fund të vitit 2018. Një nga qëllimet e kësaj marrëveshje është funksionalizimi i Qendrës Rinore, fuqizimi i Këshillit i Veprimit Rinor Lokal dhe aftësimi që t’i identifikojnë dhe adresojnë nevojat e rinisë, kryesisht përmes trajnimeve”, thotë Marashi.

Këshilli i Veprimit Rinor Lokal në Viti, është një institucion ombrellë i rinisë i cili përfaqëson organizatat joqeveritare, Handikos, Kryqin e Kuq, si dhe këshillat e nxënësve të shkollave të mesme, i cili në bazë të Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë është struktura më e lartë e përfaqësimit rinor në nivel vendi.

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tregon se kjo marrëveshje është një mundësi e artë për funksionalizimin dhe fuqizimin e këtij këshilli.

“Këtë projekt komuna e financon me 55%, kurse Helvetas Swiss Intercooperation me 45%. Ne shpresojmë të arrijmë synimin për mbështetje të rinisë, në identifikimin dhe adresimin e nevojave që kanë ata, e në këtë mënyrë të rrisim edhe efikasitetin e aktiviteteve rinore në komunën tonë”, thotë Haliti.

Kryetarja e Këshillit të Veprimit Rinor Qendror në nivel të Kosovës, Vesa Ibrahimi shprehet se kjo është një mundësi shumë e mirë që po u jepet këtyre këshillave rinore lokale për të treguar kapacitetin e tyre dhe punën e mirë që bëhet nga këta të rinj.

Ne mbajmë takime të rregullta me keto këshille lokale dhe tani në Komunën e Vitisë ky këshill është duke u përgatitur për implementimin e këtij projekti. Detyra e këtij këshilli ka qenë që të bëhet përzgjedhja e të rinjëve, të listohen interesat e tyre e pastaj të formohen grupet me interesat më të përbashkëta, në të njëjtën mënyrë të bëhet edhe përzgjedhja e trajnerëve dhe të fillohet me trajnimet sa më shpejt”, thotë Ibrahimi.

Sadie Lutfiu, kryetare e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Viti tregon se ata kanë nxitur të rinjtë që të bëhen pjesë e këtyre trajnimeve me anë të metodave të ndryshme si: shpërndarja e posterave dhe fletushkave, njoftimet me anë të mediave dhe rrjeteve sociale, informimit zinxhiror mes të rinjësh.

“Tashmë kemi 200 të rinj të interesuar për këto trajnime, të moshës 15 deri 35 vjeç. Ata veçse kanë shprehur interesat e tyre ku shumica janë të interesuar në rrobaqepësi, parukeri, dizajn grafik, kontabilitet..”, thotë Lutfiu.

Ajo tregon se momentalisht janë duke pritur rezultatet e vlerësimit të tregut, sepse përparësi do t’u jepet trajnimeve të natyrave që do t’i pranojë tregu i punës në Viti.

Një mundësi e madhe që është hapur është gjithsesi Fabrika e Tekstilit, me investim gjerman, që nisi nga puna para një muaji, dhe ku tashmë punojnë 100 veta. Me aktivizimin e kapaciteteve të plota, aty në të ardhmen pritet të punësohen gjithsej 500 veta. Një shpresë për shumë të rinj të këtyre anëve.

Vetëm në vitin 2015, nga rreth 47 mijë banorë sa jetojnë në Komunën e Vitisë, punë kanë kërkuar 4,411 qytetarë.

Arife  Musliu, 33 vjeç, bën praktikën e rrobaqepëses në një nga ateletë e qytetit, dhe thotë se do ishte shumë e interesuar në një trajnim profesional të rrobaqepësisë.

“Një trajnim i tillë jo vetëm që do më aftësonte edhe më tepër profesionalisht por do më jepte një certifikatë të njohur ndërkombëtarisht. Kjo besoj që do më hapte dyert në fabrikën gjermane të tekstilit e cila është hapur këtu në Viti pasi që do të ishte një referencë e mirë për mua”, thotë Musliu.

Trendelinë Haliti

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM