F.SH. 25 vjeçare nga Peja tregon se me çka është dashur të përballej kur kishte vendosur të shkurorëzohej nga bashkëshorti i saj.
“Jam paragjykuar shumë nga rrethi kur vendosa të shkurorëzohem. Të gjithë më thanë se duhet të kisha duruar për shkak të vajzës, e cila tani është në kujdestarinë e babait për shkak se unë nuk kisha kushtet ekonomike. Unë e kam ditur se shkurorëzimi ka qenë zgjidhja e vetme për situatën në të cilën gjendeshim”, thotë ajo.
Edhe T.I. 20 vjeçare nga Skënderaj rrëfen një përvojë të ngjashme edhe gjatë procedimit të rastit.
“Më kanë thënë se shkurorëzimi nuk është zgjidhje. Më tregonin se unë jam grua dhe duhet të prisja që burri të thotë fjalën e fundit. Fatmirësisht nuk kam pasur fëmijë, sepse shkurorëzimi erdhi vetëm pas disa muajsh martesë. Nuk kisha rrugëdalje sepse kontrolli që ushtronte burri mbi mua më bënte të ndihem si robot”, tha ajo.
Është dashur të gjente forcën për t’u përballur me sfidat dhe paragjykimet.
“Kam pasur forcën dhe këmbëngulësinë për t’ia dalë mbanë. Kështu të vendosur për t’i dalë zot vetës do të doja ta shoh çdo grua”, thotë ajo.
Pejani 30 vjeçar T.A. ndërkaq, thotë se kishte pasur përkrahjen e të afërmve kur kishte vendosur të shkurorëzohet.
“Të afërmit e mi më kanë thënë se po bëj gjënë e duhur që po shkurorëzohem. Nuk isha unë ai që fillova procedurat e shkurorëzimit, por ish-gruaja. Martesa ka obligimet e veta dhe të gjithë që e njihnin i kanë thënë asaj që si grua dhe nënë e dy fëmijëve është dashur që të sakrifikojë më shumë për ta mbajtur familjen”, thekson ai.
Sibel Halimi, sociologe thotë se në vendet e zhvilluara shkurorëzimet vijnë si rezultat i emancipimit sepse gratë mund të mos durojnë dhunën në familje ose diskriminin, meqë kanë arritur pavarësinë e tyre ekonomike, kanë vetëdije më të lartë dhe marrin vendimin për ndërprerjen e martesës.
Analizuar në kontekstin kosovar, e duke pasur parasysh pozitën e grave në shoqërinë tonë, gratë sipas Halimit janë viktima edhe të kurorëzimeve edhe të shkurorëzimeve, sepse ato jo domosdoshmërisht hyjnë në martesë me vullnetin e tyre.
“Nëse gratë do kishin trashëgiminë, pronësinë ky themel që e quaj kushtimisht stabil (martesa) do të lëvizej shumë. Ndërkaq, në anën tjetër ne stigmatizojmë, në forma të ndryshme, gratë të cilat janë të shkurorëzuara. Ne ende i shohim gratë e shkurorëzuara me një sy tjetër, prej një gruaje e cila hyn në martesë sepse shoqëria ec me hapa të ngadaltë sa i përket pranimit të një gruaje e cila është e fuqishme”, thotë Halimi.
Me ligjet në Kosovë divorci është e drejtë e garantuar kushtetuese dhe çdo person mund të anulojë martesën me personin me të cilin është kurorëzuar duke parashtruar paraprakisht padi në gjykatën kompetente.
Avokatja, Sanie Mjekiqi shpjegon se gjatë zbatimit të procedurës për zgjidhjen e martesës dhe besimin e fëmijëve gjykata e merr për bazë të drejtën materiale.
“Çështje e rëndësisë së veçantë është se të këto kontekste gjithmonë (nëse çifti ka pasur fëmijë) vendoset edhe për alimentacionin qoftë për fëmijët, qoftë për njërin nga bashkëshortët që nuk ka të ardhura”, thotë Mjekiqi.
Ajo shton se çdonjëri nga palët nga këndvështrimi i vet ndihet i diskriminuar për faktin që njëri ndihet i diskriminuar në marrëdhënie martesore, vjen edhe deri tek shkurorëzimi.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2015 janë shkurorëzuar 1,268 çifte-bashkëshortore.
Te shkurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 25-29 vjeçare me 292 shkurorëzime, ose 23.0%; dhe meshkujt e moshës 25-29 vjeç me 277 ose 21.8%.
Numri më i madh i bashkëshortëve të shkurorëzuar janë pa fëmijë me 61.8%, pastaj vijnë rastet me dy fëmijë me 14.2%, dhe me një fëmijë me 11.7%.
Fjolla Hajrizaj