Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kosovarët e rinj po “bëhen burra” duke sfiduar stereotipin gjinor

Gus 27, 2017

Një nismë interesante synon thyerjen e stereotipit ku “burrat gjithnjë janë ata që japin urdhra, e kanë fjalën e fundit në familje, kurse gratë të heshtin e merren me punët e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve”.

Ajo që e dallon këtë nismë nga projektet e ngjashme për barazi gjinore është se sfidohet puna ekskluzivisht me vajza e gra dhe fokusi kalon te djemtë dhe burrat e moshave të ndryshme.

“Klubi Bonu Burrë” (KBB), projekt rajonal për barazi gjinore që realizohet në Kroaci, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, së fundmi edhe në Shqipëri, te ne që nga viti 2010 implementohet nga organizata joqeveritare Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë/Peer Educators Network (PEN). Ky projekt i kundërvihet stereotipit shoqëror për burrat duke punuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me, siç e quajnë ata, “vetë problemin” – djemtë dhe burrat.

Idenë nismëtare për këtë fushatë e kishte organizata braziliane “Promundo”, ndërkohë që adaptimin dhe implementimin për Ballkanin, që nga viti 2006 e mori përsipër “CARE International”.

Hulumtimi i bërë nga Iniciativa e Burrave të Rinj lidhur me dinamikën gjinore të dhunës në mesin e rinisë në katër vendet e Ballkanit: Bosnjë, Kroaci, Mal të Zi dhe Serbi, si dhe në Kosovë, kishte treguar se normat e ngurta gjinore të maskulinitetit dhe feminitetit ishin “faktorë largues”, të lidhur me një gamë rezultatesh të dëmshme, përfshirë dhunën në baza gjinore dhe shëndetin riprodhues të dobët.

Në të njëjtën kohë, hulumtimi që përfshu perspektivat e vajzave dhe djemve të rinj, tregoi se dekonstruktuimi i identiteteve mashkullore sjellë deri te ajo që djemtë mund të bëhen aleatë dhe aktivistë të antidhunës dhe se angazhimi i tyre në transformimin e normave gjinore është shumë i efektshëm.

Target-grupet e projektit janë të rinjtë e shkollave të mesme dhe fakulteteve. Meqë mbi qëndrimet dhe sjelljet e të rinjve dhe të rejave ka ndikim të madh edhe rrethi, programet e KBB-së përqendrohen edhe te më të moshuarit. Në kuadër të programit “P” – baballarët, profesorët, profesionistët shëndetësorë… familjarizohen me rolin që si burrat mund ta kenë në atësi dhe përkujdesje aktive gjatë shtatzënisë, lindjen dhe rritjen e fëmijëve.

Me synim të një influencimi më të fuqishëm e gjithëpërfshirës,  target më vete janë edhe gazetarët me potencialin e tyre të ndryshimit.

“Arsyeja që e kemi bërë programin për gazetarë është se në shumicën e rasteve mediat janë ato që bëjnë diskriminimin më të madh gjinor, ndoshta pa qëllim por për atraktivitet dhe për më shumë klikime. Për këtë shkak e kemi pa të arsyeshëm këtë program”, thotë Korab Jaha, koordinator i projektit “Iniciativa e Burrave të rinj” në kuadër të të cilit funksionon Klubi Bonu Burrë.

Nisur nga fakti se në shkollat teknike ka më shumë djem, fokusi ishte tek ata që janë parë si “aleatët më të mirë në luftimin e stereotipeve gjinore”.

“Kemi mbajtur trajnime edhe në shkolla që ndodhen në zona të thella rurale. Ka pasur raste kur ata s’e kanë ditur dallimin mes seksit dhe gjinisë, s’e kanë njohur trupin e tyre, kanë shfaqur paragjykime në lidhje me kampanjën, por më vonë vërehet ndryshimi. Tani, shumica e burrave që punojnë janë pro barazisë gjinore”, thotë Jaha.

Ai tregon se shpesh kontaktohen nga familjarët e anëtarëve, të cilët vërejnë ndryshimin te djemtë e tyre, që kanë hequr dukuritë negative, pirjen e duhanit, kanë filluar të gatuajnë, të pastrojnë… Anëtarët po ashtu apelojnë që të kuptohet se punët e shtëpisë nuk janë të ndara në aspektin gjinor, por janë të të gjithëve.

“Ne nuk e detyrojmë askënd të bëjë asgjë, ne vetëm këshillojmë dhe trajnojmë, më pas i lëmë ata të marrin vendimin vetë, nuk bëjmë presion”, thotë Jaha.

Njëri prej anëtarëve të KBB-së, Bledor Kalleci, thotë se vërehet ndikimi i klubit te shumica e djemve, të cilët fitojnë shprehi të reja, ndryshojnë sjelljen dhe vazhdojnë të promovojnë barazi gjinore.

“Ndryshimi fillon prej vetes, më pas është shumë e lehtë të influencosh te të tjerët”, thotë Kalleci, i cili thotë që hasim në paragjykime të ndryshme.

KBB inkurajon të rinjtë të jenë vetvetja, të ndihen ashtu siç duan dhe të zgjedhin atë çfarë duan.

“Klubi ynë ka influencë shumë të madhe te të rinjtë dhe të rejat, gjithmonë në aspektin pozitiv pasi që me punëtori ku përbëhen tema të ndryshme, arrijmë t’i prekim pikat që ne duam”, thotë ai.

Trajnime të ngjashme në kuadër të fushatës janë organizuar edhe me vajza, ndërkohë që projekti “M” (Men) do të pasohet nga projekti tjetër i radhës “Y” (Youth), i cili fillon në tetor dhe do të jetë në benefit të të dy gjinive.

“Trajnimet i kemi të njëjta për të dy grupet, përpos temave të ndjeshme. Kemi pasur raste kur njëra ndër to na ka falënderuar sepse tanimë ka filluar të punojë, të jetë e pavarur financiarisht nga burri dhe ka vërejtur që shumicën e gjërave i ka pasur gabim. Dhe gjithnjë na thotë mos u ndalni duke i promovuar të drejtat e grave dhe vajzave”, thotë Jaha nga PEN-i.

Ministria e Arsimit gjithashtu është duke e përgatitur kurrikulën për shkollat fillore dhe të mesme, në të cilën do ta fusin edhe lëndën “Edukata Seksuale”, që konsiderohet se ky informim mund ta lehtësojë punën gjatë trajnimeve.

Jaha konsideron se krahas gjithë punës që bëjnë për barazi gjinore, kjo nuk është asnjëherë e mjaftueshme shkaku i mentalitetit për pranimin e ndryshimeve në rreth.

Saša Gavrić, këshilltar për çështje gjinore në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), thotë se për këtë mision ka qenë shumë e rëndësishme të dëshmohet mbështetje për iniciativën e PEN-it dhe  aktivitetet në shkollat në Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicën Veriore etj.

Ai konsideron se Kosova ka bërë një përparim të rëndësishëm në dekadën e fundit, dhe përveç kornizës së shkëlqyer ligjore, ka ndërtuar edhe mekanizma përkatës institucional për zbatimin e programeve dhe aktivitete me qëllim të sfidimit të pabarazive aktuale.

Por sipas tij, dhuna dhe diskriminimi në bazë gjinore ende i mban gratë në role tradicionale duke mos i lejuar ato të përdorin potencialet e tyre të plota.

“Ne besojmë se paqja e qëndrueshme dhe prosperiteti ekonomik janë të mundshme vetëm nëse gratë dhe burrat kanë mundësi të barabarta, qasje në burime dhe të jenë pjesë në proceset e vendimmarrjes”, thotë ai.

Së bashku me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Aktivitetet e Popullsisë (United Nations Fund for Population Activities – UNFPA), OSCE do të publikojë studimin “International Men and Gender Equality Survey” (Studim ndërkombëtar për burra dhe barazi gjinore) me synimin e ndikimit në zhvillimin e politikave dhe frymëzimin e institucioneve përkatëse për punë më intensive me djemtë dhe burrat në përmirësimin e barazisë gjinore.

Në studim, sipas Gavrić-it do të përfshihen temat e dhunës gjinore, çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin, ndarja e punëve të shtëpisë, pjesëmarrja e burrave në përkujdesje si baba, sjelljet e burrave dhe grave lidhur me gjininë dhe çështjet gjinore, raportet e meshkujve për sjellje kriminale dhe cilësinë e jetës.

“I rëndësishëm është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile. Këto organizata luajnë një rol themelor, punojnë drejtpërsëdrejti me grupet vullnetare dhe dinë t’i identifikojnë problemet dhe zgjidhjet. Për këtë shkak, ato duhet të marrin respekt dhe mbështetje më të fortë nga institucionet qeveritare”, thotë ai.

Gavrić thekson se së bashku me organizatat joqeveritare, edhe subjektët e tjerë të interesuar ndërkombëtarë, siç janë agjencitë e Bashkimit Evropian dhe të OKB-së, do të mbështesin disa prej këtyre aktiviteteve, që kanë për qëllim zhvillimin e aftësive dhe mundësive të rinisë në fushat e lidershipit publik, vullnetarizmit, ndërtimit të vetëbesimit, mendimit kritik, drejtësisë dhe kohezionit shoqëror, lirisë së shprehjes dhe dialogut.

Njomza Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM