Build Skills with our trainings

Sign up now!

Studentët preferojnë udhëtimin me tren, por ku me gjetë trenin?

Sht 12, 2017

Studenti 24 vjeçar nga Peja, Dardan Dervishaj tregon se ka udhëtuar me tren çdo fundjavë, nga qyteti i tij në Prishtinë dhe anasjelltas. Ai thotë se udhëtimi me tren ka qenë komod, çmimi i volitshëm dhe oraret e përshtatshme.

“Udhëtimi me tren është pak më i gjatë se me autobus, po njëkohësisht është shumë më i sigurt, e më i rehatshëm. Gjithashtu, çmimi i biletës ka qenë i arsyeshëm, sidomos për studentët, pasi që për një drejtim bileta ishte 1,5 euro, në kundërshtim me atë të autobusit që kushton 4 euro”, rrëfen Dervishaj.

Mu sikur Dervishaj, numri më i madh i studentëve në këtë releacion kanë preferuar udhëtimin me tren, por…

Që nga fillimi i gushtit të këtij viti, në transportin e udhëtarëve ka mbetur vetëm linja Prishtinë-Shkup-Prishtinë, për funksionimin e të cilës mjetet janë siguruar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Por, në anën tjetër është ndërprerë qarkullimi i 10 trenave në dy linja, (Fushë Kosovë-Hani i Elezit- Fushë Kosovë dhe Prishtinë-Pejë-Prishtinë).

Kjo ndodhi si pasojë e mungesës së mjeteve financiare të cilat nuk janë siguruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Sipas udhëheqësit të Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, Afrim Kuleta, nga ndërmarrja “Trainkos”, mjetet e ndara për transportin e udhëtarëve nga buxheti i Kosovës, janë shpenzuar në muajin qershor të këtij viti. Ai shpjegoi se deri në gusht, kanë operuar me mjete vetanake.

Nga 1 milion e 31 mijë euro, të cilat janë ndarë nga buxheti i Kosovës, kompania “Trainkos” ka mbuluar shpenzimet për vitin e kaluar, dhe shuma e mbetur prej rreth 925 mijë euro, është shpenzuar deri në mesin e muajit qershor.

Kuleta thotë se pa u siguruar mjetet nga Ministria e Infrastrukturës, dy linjat nuk do të jenë në dispozicon të udhëtarëve.

“Ndërprerja e këtyre linjave i ka rrezikuar rreth 700 punëtorë të cilët hyjnë në kuadër të kompanisë që nga muaji shtator të mbesin pa paga”, tregon Afrim Kuleta nga Trainkos Sh.A.

Ndërprerja e transportit hekurudhor, shihet si një shqetësim sidomos për studentët nga rajoni ie Pejës, të cilët në mungesë të shfrytëzimit të këtij transporti, do të detyrohen të paguajnë biletë autobusi pothuajse tre herë më të shtrenjtë sesa ajo e trenit.

Studenti Fidan Gashi, 23 vjeçar nga Peja, kishte udhëtuar shpesh me tren pasi, siç thotë ai, çmimi i biletave ishte shumë i arsyeshëm. Sipas tij, arsyeja tjetër ishte se treni ndalonte gati në qendër të Prishtinës, ndërsa autobusat ndalojnë në periferi të qytetit.

“Tani më duhet të udhëtoj me autobus, ndoshta edhe me veturë. Shpenzimet do të jenë më të larta, gjë që do të jetë më vështirë e përballueshme për udhëtarët që nuk i kanë kushtet e mira ekonomike”, tregon Gashi.

Nga shtatori i vitit 2011, me kërkesë të Komisionit Evropian, me qëllim që të liberalizohet tregu në transportin hekurudhor, hekurudhat e Kosovës janë ndarë në dy pjesë hekurudhore “Infrakos” (transporti i mallrave), dhe operimet e transportit hekurudhor “Trainkos” (transporti i udhëtarëve).

Sipas ligjit të Hekurudhave të Kosovës, “Trainkos” është i obliguar të sigurojë të hyrat nga biletat e shitura të udhëtarëve, një pjesë nga ofrimi i shërbimeve nga “Infrakos”, por edhe nga shteti apo ndonjë autoritet pubik, si kompensim financiar për ofrimin e shërbimeve të transportit të interesit të përgjithshëm, ose ndonjë e hyrë tjetër dhe kontribut publik apo privat.

Afrim Kuleta, tregon se nga buxheti i Kosovës shpenzimet janë mbuluar pjesërisht që prej vitit 2011 deri më sot, dhe se pjesa tjetër është mbuluar me mjete vetanake, të cilat i kanë siguruar pjesërisht nga “Infrakosi”.

“Kemi pasur të hyra më të larta në transportin e mallrave. Mirëpo, krijimi i autostradës i ka detyruar bizneset e transportit të mallrave që bartjen ta bëjnë nëpërmjet portit të Durrësit, e jo nga ai i Selanikut, qysh ka ndodhur më herët. Kjo ka ndikuar që të hyrat në transportin e mallrave të zvogëlohen, dhe të mos kenë mundësi të financojnë transportin e udhëtarëve (Trainkos)”, shpjegoi Kuleta.

Nga kalkulimet e kompanisë “Trainkos”, shuma e humbjeve e cila duhet të mbulohet nga buxheti i Kosovës, është 1 milion e 40 mijë euro. Në të kundërtën, është i pamundur funksionimi i dy linjave të cilat tash janë ndërprerë për transportin e qytetarëve.

Ligji i Hekurudhave të Kosovës parashikon kohëzgjatjen e kontratës së shërbimit publik nga 3 deri në 15 vite, varësisht nga koha e amortizimit të mjeteve lëvizëse të siguruara nga ndërmarrja hekurudhore. Mirëpo, thotë Kuleta, ligji nuk është respektuar, sepse çdo vit ata kanë nënshkruar marrëveshje të re me Ministrinë e Infrastrukturës, përmes së cilës nuk është mundur të parashikohet saktë sa do të ketë hyrje në kompani dhe a mund të mbulohen humbjet eventuale.

“Ekziston komisioni në mes të ‘Trainkos’ dhe Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët vlerësojnë shpenzimet, faturat për transportin e udhëtarëve. Raportet përfundimtare dërgohen në ministri përmes të cilave edhe bëhet pagesa”, thotë ai.

Por, ai pohoi se disa kërkesa të dërguara nga “Trainkos” në Ministrinë e Infrastrukturës për mbulimin e shpenzimeve deri në fund të vitit fiskal, kanë mbetur pa përgjigjje.

KosovaLive ka tentuar me ditë të tëra të marrë ndonjë përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës për këtë çështje, mirëpo askush nga kjo ministri nuk shprehu gatishmëri që të bisedojë.

Fati i 700 punëtorëve nga “Trainkos”, tash varet nga rishikimi i mundshëm i buxhetit, i cili është i parashikuar edhe në Ligjin e Hekurudhave të Kosovës.

Ndërkohë, qytetarët dhe studentët e Kosovës do të jenë të detyruar të harxhojnë shumëfishin e të hollave që kanë planifikuar për udhëtim.

Nafije Sylejmani

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM