Liza Metolli, 17-vjeçare nga Prishtina, nxënëse e shkollës së mesme “Mehmet Akif” në Lipjan, që nga klasa e gjashtë po merret me aktivitete humanitare. Bashkë me 21 nxënës të tjerë të moshave të ndryshme, të grumbulluar në “Klubin Delta”, që është themeluar në kuadër të kësaj shkolle para dy viteve, ndihmojnë zakonisht familjeve të varfëra në komunën e Lipjanit.
Liza thotë se familjet e varfëra po shtohen dhe ndihmat po shuhen.
“Moshatarët e mi nuk merren edhe aq shumë për të ndihmuar njerëzit me nevojë. Shumica mendojnë se individualisht nuk munden të bëjnë diçka për të arritur efekt. Por, unë jam e sigurtë se solidariteti dhe idetë e përbashkëta mund të japin rezultate pozitive”, thotë ajo.
”Klubi Delta” merret me problemet e mjedisit, sociale dhe bamirësi, me anë të aktiviteteve, panaireve që kanë mbajtur zakonisht brenda hapësirës së shkollës.
Familja Shaqiri, nga Lipjani, ishte familja e parë që ka marrë ndihma nga “Klubi Delta”.
Minire Shaqiri, nënë e pesë fëmijeve, thotë se këto ndihma nuk do t’i harrojë asnjëherë.
“Na kanë ndihmuar shumë me gjëra ushqimore dhe veshmbathje. Më kanë ndihmuar që të realizoj një kontrollë për CT falas, në një spital privat. Tani kam nevojë për operim jashtë vendit pasi që vuaj nga një sëmundje në mëlçi e nuk e di se si do të sigurojmë paratë”, thotë Minirja.
Ajo shpjegoi se burri i saj punon në një mulli, ku qepë thasët e miellit, por rroga jo veç se është e vogël, por i vonohet shumë shpesh.
Para dy jave “Klubi Delta”për shtatë ditë arriti të mblidhte 800 euro nga kontributi i nxënësve të shkollës “Mehmet Akif”, për ndihmën e 12 familjeve nga regjioni i Lipjanit.
Punën humanitare në kuadër të këtij klubi ata kishin filluar me dizajnimin e byzylykëve me penj, të cilat i shitnin në ambientet e shkollës. Përmes këtij aktiviteti dhe përmes mbledhjes së kuponave fiskal, kishin grumbulluar 120 euro. Shuma simbolike e fituar nga këto aktivitete u është dedikuar familjeve të varfëra që ishin identifikuar më parë.
Një sfidë e madhe për anëtarët e “Klubit Delta” kishte qenë mbledhja e 300 eurove për një ditë, për shërimin e një fëmije gjashtë javor i cili kishte pësuar një dëmtim të syve nga rrezet e inkubatorit.
Për të qenë më efikas në ofrimin e ndihmave, “Klubi Delta” shpesh merr informata nga Kryqi Kuq lokal për familjet që kanë nevojë urgjente për ushqim ose veshmbathje. Deri tani ata kanë ndihmuar gjithsej 15 familje të varfëra në komunën e Lipjanit.
“Bashkëpunimi me ‘Klubin Delta’ ka qenë i mirë për familjet në nevojë. Në raste të tilla hasim çdo ditë, por Kryqi i Kuq nuk mund t’ju ndihmojë të gjithëve. E kam parë vullnetin dhe angazhimin që e kanë ata nxënës për të ndihmuar familjet e varfëra…”, thotë Fatime Bërbatovci, sekretare e Kryqit të Kuq në degën e Lipjanit.
Kjo ndihmë nga “Klubi Delta”, sado simbolike, vjen në kohën kur, sipas Bërbatovcit, është bërë shumë vështirë të merren ndihma nga donatorët e ndryshëm, sidomos nga ndërrmarjet private.
“Ndoshta, arsye e rënies së solidaritetit është se përfaqësuesit e firmave janë lodhë pasi që çdo ditë individët e ndryshëm zakonisht nga komunat e Ferizajt dhe Gjilanit kërkojnë nga ata donacione të holla ose produkte ushqimore”, thotë Bërbatovci.
Bashkëpunimi me organizata humanitare me të vogla siç është ajo vullnetare “Klubi Delta”, natyrisht fiton në peshë në këto rrethana.
Humanitarët e rinj nga “Klubi Delta” krenohen edhe me një aktivitet që kanë ndërmarrë në këtë vit. Për pesë të shtuna me radhë, në hapësirën e shkollës, ata përmes lojërave, mësimit, këndimit apo aktiviteteve tjera kreative të tjera me fëmijët e familjeve të varfëra ndihmuan në zgjerimin e dijes dhe ideve të tyre. Aktiviteti fillimisht ishte i përmasave të vogla: filluan me tre fëmijë, për të arritur me kohë në gjithsej 25.
Në një raport krahasues të World Bank Group dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e varfërisë së përgjithshme për vitin 2015 në Kosovë ishte 17.6 për qind, ndërkohë që shkalla e varfërisë së skajshme për të njëjtin vit ishte vlerësohej në 5.2 për qind.
Kufijtë e varfërisë dhe të varfërisë së skajshme për vitin përkatës ishin definuar me ekuivalentin për të rritur në ditë: ata që kanë 1.82 € në ditë dhe ata me vetëm 1.30 € në ditë.
Erëza Hoti