Ishte 14 shkurti i vitit 2017, kur Misin Sadiku, gjatë vendosjes së pikturave të reja në muret e shkollës, kishte rënë nga gati tri metër të gjata dhe me këtë rast theu kokën e femurit rreth 7-8 cm.
Sadiku, 47 vjeçar, i cili që nga viti 2016 punon si mirëmbajtës në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, me ndihmë të shpejtë u dërgua në spital, ku qëndroi për tri javë, e në këtë periudhë iu desht edhe të operohet, me shpenzimet e veta. Në ndihmë me të holla shtëpiakut i dolën edhe Këshilli i Profesorëve dhe Këshilli i Rinisë së Shkollës.
“Kam kontratë të punës mirëpo nuk e kam shikuar pjesën e kompenzimit në rast të lëndimit në punë. Disa familjarë më thanë që rastin ta vazhdojë me Gjykatë për të marrë kompensim, mirëpo unë nuk i hyra kësaj procedure”, thotë Misini për KosovaLive.
Gjendja fizike e Misinit vazhdon të përmirësohet, edhe pse kaloi gati një vit duke u trajtuar por e pret edhe operacion këtë verë.
Rasti i lëndimit në punë i Misin Sadikut nuk është i vetmuar, Sipas Inspektoratit të Punës së Kosovës (IPK) gjatë vitit 2018 kanë ndodhur madje 22 vdekje në vendin e punës, 104 lëndime. Në të njëjtën periudhë, IPK ka kryer gjithsej 9 mijë inspektime në të gjithë Kosovën dhe janë shkruar 250 gjoba.
Mirëpo, shumë raste, ky si i Misinit shpesh mbesin pa u raportuar.
Avni Ajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ia hedh fajin mentalitetit si një nga arsyet kryesore të mosraportimit të rasteve së shkeljes të së drejtës së punëtorit, e në mesin e tyre edhe moskompensimit për lëndimin në punë.
Por, sipas tij, shumë punëtorë as që janë të vetëdijshëm se në raste të tilla mund të thirren në të drejtat e tyre sipas ligjit e ta mbrojnë vetveten, dhe as që i paraqesin rastet në inspektorat.
Kryesindikalisti Ajdini rrëfen për bisedën me një punëtor të një kompanie furnizuese me karburante, i cili i kishte treguar se po punonte nga 12 orë në ditë por paguhej për vetëm 8 orë pune. Edhe pse një rast evident i shkeljes së të drejtës në punë, ai nuk e raportoi rastin nga frika e mbetjes pa vendin e punës.
Kryetari i BSPK-së njoftoi Inspektoratin e Punës, por ata nuk mundën të merrnin kurrfarë masash meqë punëtori paraprakisht duhet ta kishte paraqitur rastin në Inspektorat.
Ligji i Punës, sipas tij, i rregullon edhe rastet e lëndimeve në punë, por shtrohet pyetja nëse, sa dhe si zbatohet.
“Për shembull në hyrje të objekteve të jenë vendosura pankartat që punëtorit nuk i lejohet të hyjë aty nëse nuk i ka pajisjet edhe mbrojtjen në punë. Duhet që punëtorët të mos e nënçmojnë rrezikun, si rasti i elektricistit në Ferizaj i cili në mungesë të mbrojtjes nga lidhja elektrike i digjet fytyra ose rasti kur në mungesë të litarëve një punëtor bie nga ndërtesa dhe vdes”, thotë Ajdini.
Kryeinspektori në Inspektoratin e Punës, Basri Ibrahimi thekson se që nga viti 2010, sektori me lëndimet dhe aksidentet më të shpeshta në punë është ai i ndërtimtarisë me mbi 50% të rasteve, i përcjellë nga ai i energjetikës, e më pas me sektore tjera ku përqindja është më e vogël.
“Shumë punëtorë i detyron varfëria e familjes për të punuar në ndërtimtari. Kështu që varfëria e madhe te familjet që nuk kanë të punësuar është duke u shfrytëzuar nga punëdhënësit, duke i detyruar punëtorin të punojë aty ku nuk ka siguri“, komenton kryetari i BSPK-së Avni Ajdini.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), më vitin 2000 kishte gjithsej 769 biznese aktive ndërtimi, vitin e kaluar numri i tyre kishte arritur në 12,349.
Në bazë të Anketës së Fuqisë Punëtore të vitit 2017 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, niveli i papunësisë ishte 30%, ndërsa 52% në grupmoshat 15-24 vjeç. Edhe varfëria është një tjetër aspekt shqetësues ku rreth 18% e popullsisë jeton nën linjën e varfërisë me 1.82 euro në ditë, ndërsa 5% jetojnë në varfëri ekstreme.
Kryeinspektori Ibrahimi thekson se vitin e kaluar numri i inspektimeve është rritur sepse edhe numri i vdekjeve në vendin e punës ka qenë më i madh, ku gjatë muajve mars-prill ka pasur inspektime intenzive.
“Pas inspektimit nëse hapësira nuk i plotëson kushtet e nevojshme, bëhet vërejtje për lëshimet ligjore dhe jipet një afat i caktuar kohorë për t’i rregulluar gabimet. Nëse nuk bëhen përmirësime atëherë pasojnë xhobat. Në anën tjetër, nëse jeta e punëtorit rrezikohet drejtpërdrejtë atëherë mund të bëhet pezullim i punimeve.” thotë ai.
Sa i përket gjobave, në bazë të raportit të bërë nga Ndërtimi.info, që i referohet Inspektoratit të Punës gjobat në rastet më të rënda kanë shkuar në shumat nga 2,000 deri në 10,500 euro, kjo e fundit për kompaninë “Timo Construction” lidhur me rastin tragjik të punëtorit Valon Berisha.
Sipas punës në terren të inspektorëve, disa prej rasteve më të shpeshta të parregullsive për shembull në ndërtimtari kanë qenë mungesa e skeleve në punime të ndërtesave.
“Një problem tjetër është edhe se punëtorët fillojnë punën pa ndonjë trajnim bazik, elementar, ta njoh natyrës e punën që ai ka për ta kryer, rreziqet eventuale që mund të ndodhin në atë vend, dhe mungesa e përgatitjes së çertifikatës mjekësore për gjendjen fizike të punëtorit, pa marrë parasysh moshën që ka”, thekson Ibrahimi për KosovaLive.
Një nga parregullsitë që ishin evidentuar nga Inspektoratit ishte edhe mungesa e kontratave: më vitin 2018 ishin hasur 700 punëtorë pa kontrata të punës, që do të duhej t’u siguronte punëtorëve kompenzimin në rast të lëndimit në punë. Parregullsi të tjera të hasura: pagesa joadekuate, orari i tejzgjatur, puna gjatë festave shtetërore, mungesa e pushimeve shëndetësore…
Bazuar në Anketën e fuqisë punëtore, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2018, 85.3% e të intervistuarve kishin kontrata individuale, 71.6% e tyre kontrata të përkohshme, ndërsa 30.5 % e të rinjëve nga moshat 15-24 vjeç punonin pa kontratë. Nga punëtorët me kontrata, vetëm 12.7% ishin përfshirë në ndojë skeme të sigurimeve sociale në punë.
Punëdhënësi, sipas Ligjit të Punës, është i obliguar ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë. Ligji, po ashtu thekson se edhe i punësuari është i detyruar t’i përmbahet rregullave të sigurisë, ta mbrojë shëndetin dhe të mos rrezikojë me jetën e vet apo të punëtorëve të tjerë.
Njëkështu, punëdhënësi sipas Ligjit për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë, ka përgjegjësi që t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për siguri dhe shëndet në punë duke përfshirë edhe masat parandaluese kundër rreziqeve profesionale. I punësuari, nga ana tjetër, është i detyruar ta informojë Inspektoratin e Punës në rast të ndonjë aksidenti me pasojë në lëndimin apo vdekjen e të punësuarit.
Aksidentet në punë klasifikohen si aksidente individuale kur lëndimin në punë e pëson vetëm një i punësuar dhe aksidente masive ku të paktën 2 apo më shumë të punësuar lëndohen në të njëjtën kohë dhe për shkak të arsyeve të njëjta.
Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës janë definuar edhe dënimet për të gjitha shkeljet të cilat rezultojnë me lëndime apo vdekje në vendin e punës. Sipas nenit 367 të këtij Kodi, kushdo që dëmton ose heq pajisjet mbrojtëse duke rrezikuar jetën e punëtorëve dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet, ndërsa nëse pajisjet mbrojtëse nuk janë vendosur fare ose nuk janë mirëmbajtur, personat përgjegjës dënohen prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.
Në rastet e lëndimeve më të rënda, personi përgjegjës mund të dënohet me 1 deri në 10 vite burgim, ndërsa nëse rasti pason në vdekjen e një apo më shumë personave përgjegjësi mund të dënohet prej 1 deri në 12 vjet burgim.
Inspektorati i Punës tani ka 6 kompani të licencuara të cilat bëjnë vlerësimin e rrezikut, që është element bazik i sigurisë dhe shëndetit në punë. Në mesin e rreziqeve me të cilat mund të ballafaqohen punëtorët në vendet e tyre të punës, përfshihen edhe sëmundjet profesionale.
Simptomat e këtyre sëmundjeve që vijnë si shkak i mosplotësimit të disa kushteve në punë si mungesa e dritës, mungesa e ngrohjes, kushtet jo të përshtatshme në zyrë, mund të mos paraqiten fillimisht por me kalimin e kohës mund të jenë shumë serioze duke sjellur probleme të rënda shëndetësore.
Si konfederata e vetme sindikale në Kosovë, BSPK bashkëpunon me institucione dhe organizata të ndryshme joqeveritare ndërkombëtare duke organizuar seminare për vetëdijësimin e sigurisë në vendin e punës. Një prej tyre ishte edhe ai në në bashkëpunim me KEDS, ku punëtorët janë njoftuar se si duhet qasur prishjeve elektrike, si duhet të hipet në shtylla elektrike etj.
Me qëllim të parandalimit të rasteve të lëndimeve në punë, BSPK është në bashkëpunim të ngushtë edhe me Inspektoratin e Punës, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Inspektorati organizon fushata e tubime, mban kontakte me punëdhënës, prodhon fletushka e spote televizive për të ngritur vetëdijen tek punëdhënësi dhe punëtorët për rëndësinë e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punë
“Rregulloret dhe ligji janë të rregulluara për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, mirëpo mungon zbatimi i këtyre ligjeve”, thotë ajo.
Shukrije Rexhepi zyrtare ligjore në BSPK dhe anëtare e Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes së Sigurisë në Punë, që funksionon tash e dy vite, përmend se vitin e kaluar ka pasur një numër më të madh të lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës.
Në kuadër të Këshillit, qëllimi kryesor i të cilit është informimi i punëtorëve për të drejtat e tyre të cilat mbrohen edhe nga ligji i punëtorëve, mbahen tryeza diskutimi në të cilat punëtorët njoftohen për ligjin dhe sigurinë në punë. Një prej tyre, në bashkëpunim me KEK-un dhe KEDS, pati si pjesëmarrës 50 punëtorë të Kosovës B.
Për dallim nga kompanitë publike, ato private, që sipas saj bëjnë më shumë shkelje të të drejtave të punëtorëve, nuk pranojnë të jenë pjesë e tryezave të këtij Këshilli.
Autorë: RENEA BEGOLLI me Aulona Sylejmani, Rinesa Basha dhe Zana Begolli