Build Skills with our trainings

Sign up now!

Numri i rasteve shtron nevojën për logopedë në shkolla

Maj 8, 2019

Prindi i një djaloshi që ka të meta në të folur ka gati një vit që e sjell atë e sjellë për tretman në qendrën e specializuar “Detyrë Shtëpie” në Vushtrri. Këtë hap e kishte ndërmarrë edhe për shkak të vërejteve nga të afërmit se djali i tij e ka probleme në të shprehur.

“Ka fol shumë pak fjalë dhe fjalët që i ka thënë kanë qenë veçmas, s’ka arritë me i lidhë. Ndërsa tash numri i fjalëve është rritë shumë, që për neve kjo është arritje e madhe”, thotë babai i djalit, që deshi të mbetet anonim dhe i cili shpreh kënaqësinë që pas një kohe të trajtimit ishin ndalur edhe ngacmimet nga fëmijet e tjerë.

Këtë qendër, të parën e këtij lloji, që merret me problemet e ngecjes në të folur të fëmijëve e hapi Albulena Shaqiri, 22 vjeçare, studente në nivelin Master në drejtim Logopedi. Aktualisht, aty trajtohen fëmijë të grupmoshave të ndryshme, nga mosha tre deri në moshën 12 vjeçare.

Qendra ofron shërbime profesionale edukative, arsimore dhe logopedike. Shërbimet që kryhen nga logopedia për trajtimin e ç’regullimeve të ndryshme si: ç’rregullimet në artikulim, belbëzimi, vështirësitë në të folur, vështirësitë në artikulim të tingujve apo fjalëve, vështirësitë në mësim, lexim, shkrim dhe llogaritje, por edhe qiellza e çarë, retardimet psikomotorike dhe vështirësitë në komunikim, si pasojë e retardimeve mentale, të folurit hundor, autizmi, sindromi Down.

“Meqenëse në qendrën tonë përveç trajtimeve logopedike ofrohet edhe mësim plotësues për fëmijët që kanë nevojë atëherë i bie që grupmosha është që nga mosha 3 vjeçare ku rëndom fillon një trajtim logopedik e deri te grupmosha e fëmijëve të rritur në klasën e gjashtë ku ndjekin mësim plotësues me mësuesen e qendrës. Por, në pjesën e logopedisë dominon mosha 3-7 vjeçare, pikërisht faza ku vërehen dhe trajtohen më lehtë vështirësitë në komunikim,” thotë Shaqiri.

Ajo thekson rritjen e hovshme të kësaj dukurie kohëve të fundit, dhe evidenton si shkaktarë edhe shikimin e shtuar të televizionit dhe përdorimin me orë të tëra, – pa ndonjë mbikëqyrje apo limit të kohës, të telefonave.

Si problem më vetin veçon edhe komunikimin e dobët të prindit me fëmijën për të kuptuar nevojat dhe gjendjen emocionale të tij.

Në bazë të rasteve që i ka hasur deri më tani, ç’rregullimi më i shpeshtë është tek femijët parashkollor, që kanë vështirësi me shqiptim korrekt të tingujve dhe të folurit e pazhvilluar, pastaj vijnë rastet e autizmit, belbëzimi etj. Shpesh arsyeja është zhvillimi në aspektin gjuhësor, mirëpo si problem janë të njohura devijimi i qiellzës, buzës, gjuhës dhe nofullës. Përpos këtyre problemeve janë edhe problemet e dëmtimeve të lehta në dëgjim ose mungesa e “vetëkontrollit”, si është thithja e gishtit.

Dafina Bardheci, mësuese e klasës së katërt në shkollën nëntëvjeçare “Afrim Gashi” në Hajvali, në klasën e saj ka një nxënëse e cila ka vështirësi në lexim.

“Kam filluar të punoj me të në shkrim-lexim në bashkëpunim me familjen dhe kam parë që ajo nuk ka qenë në gjendje të shqiptojë disa tinguj. Në fillim kur nuk ka mundur të shqiptojë ndonjë fjalë, nxënësit kanë qeshur, mirëpo kjo gjë është tejkaluar me anë të bisedave lidhur me mangësitë e secilit prej nesh. Tani të gjithë janë të gatshëm dhe i ofrojnë shoqes së tyre ndihmë në çdo lëndë që ajo ka vështirësi”, thotë mësuesja.

Në këtë shkollë nga gjithsej 660 nxënës, tetë nxënës kanë probleme në të folur dhe kanë nevojë për logoped. Pengesat në të folur janë të ndryshme. Bardheci thekson nevojën për literaturë ndihmëse dhe për praninë e psikologëve, pedagogëve dhe logopedëve në këtë shkollë, si për këta nxënës ashtu edhe për mësimdhënësit e tyre.

Drejtori i shkollës Xhevat Rafuna për KosovaLive tregon se rastet i janë paraqitur Drejtorisë Komunale të Arsimit, dhe se psikologë dhe logopedë të caktuar nga ta kishin biseduar me nxënësit të kësaj shkolle, tash janë në pritje të sygjerimeve të tyre. Sipas drejtorit, ka raste ku këta nxënës kanë treguar përmirësime në të shprehur dhe në forma të lehta të bëlbëzimit, dhe se ky sukses vjen vetëm falë prindërve.

“Me nxënësit të cilët kanë problem në të folur, mësimdhënësit e kanë parasysh, atyre duhet t’u jipet hapësirë dhe kohë më e madhe për shprehje, nuk duhet të ndodhin përqeshje nga nxënësit e tjerë. Në rastet kur kemi hasur se këta fëmijë janë ngacmuar, kemi reaguar menjëherë. Fëmija i ngacmuar e ka ndier veten si të fyer e të lënë anash”, shton drejtori i shkollës.

Vjollca Dragusha Llugaliu, psikologe e cila qe 12 vjet punon në shkollën fillore “Dardania” dhe “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, konsideron se mësuesit nuk kanë njohuri të mjaftueshme për rastet e fëmijëve me probleme në të folur dhe në përgjithësi për ata me nevoja të veçanta. Ajo thotë se mesatarisht brenda një gjenerate mund të dallojë pesë deri në shtatë fëmijë që kanë probleme të theksuara në të folur. Ata shpesh kanë vetëbesim më të vogël, flasin me zë më të ulët, nuk kanë dëshirë t’i shikojnë në sy të tjerët.

“Nëse mësimdhënësi i thotë ‘thuaje më mirë ose më shpejt’, më pas edhe nxënësit e tjerë e përqeshin i thonë se ‘nuk ke lexu mirë, nuk flet mirë’. Ata janë viktima të ngacmimeve të shumta, shumica verbale, i injorojnë, nuk i thërrasin në ditëlindje, nuk i përfshijnë në aktivitete, dhe janë më të ndrojtur”, thotë ajo.

Sipas Dragusha Llugaliut, interesimi i prindërve për tretmanin e fëmijëve është shumë i lartë, por në mungesë të financave, në shumicën e rasteve, biseda përfundon vetëm me konsultime.

Ajo është e vetëdijshme se ka raste që fëmijët kanë probleme në shtëpi dhe atë e bartin edhe në shkollë.

“Edhe qasja e prindërve është gabim në rastin konkret kur vijnë të regjistrohen. Në momentin që fëmia nuk flet, prindi para fëmijës thotë ’ky ka problem në shqiptim të kësaj shkronje ose belbëzon’ e kjo ndikon edhe te fëmija, që e bën edhe më të vështirë shprehjen”,thotë psikologia.

Sipas saj, disa prej këtyre fëmijëve kanë prindër shumë autoritarë ose neglizhohen në shtëpi, dhe ato vazhdojnë t’i përjetojnë edhe në shkollë.

Nëpër shkollat kosovare, për fëmijët që kanë nevoja të veçanta, fëmijët me ngecje në të folur dhe të cilët kanë ngecje në të mësuar, ekziston një plan-program i veçantë individual, i cili përfshin mësuese ndihmëse, testim dhe vlerësim të veçantë.

Në kryeqendrën e Kosovës, ndërkaq nuk ka fonde të caktuara për angazhimin e logopedëve nëpër shkollat e kryeqytetit.

Sipas Shpresa Shalës, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës (DKA), numri i të punësuarve në shkolla është i kufizuar dhe institucionet relevante si Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Financave nuk lejojnë pozita të reja.

Mirëpo, ajo thotë se ata kanë një marrëveshje me Kolegjin – Heimerer në Prishtinë, për ofrimin e praktikës së studentëve të logopedisë të këtij kolegji me nxënësit që kanë probleme në të folur (belbëzim) në institucionet edukativo-arsimore të komunës.

Me fëmijët me ngecje në të folur merren edhe Shoqata e Logopedëve të Kosovës dhe Shoqata Kosovare për Belbëzim.

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Shoqatën Kosovare për Belbëzim, nga ana tjetërt, ka përfunduar fazën e parë të projektit për evidentimin e nxënësve me çrregullim të rrjedhshmërisë (belbëzim) në shkollat e kësaj komune.

“Në fazën e dytë të këtij projekti, do të kontaktohen të gjithë mësimdhënësit që kanë nxënës me çrregullim të rrjedhshmërisë (belbëzim) dhe përmes prezantimit të video- materialeve, doracakëve, librave, këshillave dhe bashkëbisedimit do të shpjegojnë se si munden mësimdhënësit të integrojnë një fëmijë me jorrjedhshmëri në klasën e tyre dhe si t’ia mundësojnë atyre të arrijnë rezultate më të mira në shkollë”, thotë Shala.

Fortesa Raifi, një logopede e re është një nga ideatoret e aplikacionit “FOL” që shërben pikërisht për ndihmën e fëmijëve të cilët kanë probleme në të folur. Ajo dhe dy koleget e saj, Liridona Riza dhe Miranda Baruti, e shohin të nevojshme praninë e logopedëve në shoqërinë tonë.

E përkrahur nga UNICEF Innovation Lab of Kosovo, aplikacioni u lansua në janar të vitit 2018 për telefonat Android ndërsa nga janari i këtij viti u bë i qasshëm edhe në telefonët IOS. Deri tash aplikacionin posedojnë rreth 1,000 përdorues, ndërsa çdo ditë aplikacionin, i cili përmban tri kategori, e vizitojnë mbi 100 presona.

“Kategoria e parë është për fëmijë me lojëra. Është loja me shkronjat e alfabetit; është ajo me fjalë të plota ku në ekran shfaqen fotografi të objekteve të ndryshme, ku kërkohet nga fëmija të formohet fjala adekuate. Kjo ndihmon në përvetësimin e fjalëve pasi që memorizohet nga fëmija në mënyrë vizuale dhe auditive. E fundit është loja me numra ku mund të bëhet mbledhja, zbritja dhe renditja e numrave sipas madhësisë së tyre”, thotë Raifi për KosovaLive.

Përveç lojërave, në aplikacion janë edhe dy kategori tjera për udhëzimin e prindërve dhe mësimdhënësve, ku përfshihet pjesa teorike, çka janë çrregullimet e gjuhës, si dhe metoda e teknikat të cilat ata mund t’i përdorin në kushte shtëpiake.

Në një anketë jopretencioze të KosovaLive, me mostrën prej 102 personave, shumica (71,6 për qind) kanë deklaruar se njohin raste të fëmijëve më probleme në të folur, ndërkohë që thuajse të gjithë (95%) konsiderojnë se këta fëmjë nuk kanë trajtim të duhur.

Gati gjysma e respondentëve (47.7 për qind) janë të mendimit se në Kosovë nuk ka literaturë adekuate për shkollimin e këtyre fëmijëve.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve (86.4%) njëkështu konsiderojnë se këta fëmijë ngacmohen për shkak të problemeve në të folur, e thuajse të gjithë (93.2%) konsiderojnë të nevojshme praninë a e logopedëve nëpër shkolla.

RENEA BEGOLLI me Veneta Robaj, Albulenë Duçi dhe Era Hoxha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM