Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të lënë nga familja por jo edhe nga institucionet

Maj 17, 2019

Musa Demiri, udhëheqës i Zyrës për Komunikim me Publikun në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale (MPMS) tregon se shumica e fëmijëve që braktisen lindin në klinika mjekësore, mirëpo ka edhe raste të rralla që raportohen fëmijë të gjetur të braktisur jashtë institucioneve shëndetësore.

Demiri thotë se qe në momentin e raportimit të rastit në Qendrat Sociale, për ndonjë fëmijë të braktisur, këta fëmijë do të jetë në një nga format e mbrojtjes juridike.

“Qendra për Punë Sociale përmes Organit të Kujdestarisë e merr në mbrojtje fëmijën duke i caktuar menaxher të rastit dhe kujdestar ligjor i cili në bazë të kompetencave është i obliguar që të mbrojë  interesat e fëmijës deri në kthimin e fëmijës në familjen biologjike, nëse kjo është e mundur”, tregon Demiri.

Ai sqaron se në format e mbrojtjes juridike sociale e familjare përfshihen kujdestaria, strehimi familjar tek të afërmit, strehim familjar jashtë farefisit, strehim në strehimoret partnere me qëndrim të përkohshëm, e deri te adoptimi i fëmijës së formë e përhershme e mbrojtjes.

Sipas regjistrit të deritashëm, në Kosovë janë regjistruar rreth 50 familje për strehim të fëmijëve të braktisur.

“Këto familje rekrutohen, trajnohen dhe vlerësohen nga QPS-të komunale të vendit. Ato gjithashtu aprovohen edhe nga niveli qendror përmes Panelit për vendosjen e fëmijëve në Strehim familjar dhe adoptim, i cili vepron në kuadër të Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjes (DPSF) në MPMS”, shpjegon Demiri kushtet të cilat duhet t’i përmbushë një familje në rast se dëshiron të strehojë fëmijë të braktisur.

Kjo formë e “mbrojtjes”, mbështetet financiarisht nga MPMS, në bazë mujore, për secilin fëmijë që strehohet në këto familje, por ka edhe raste kur familjet strehuese kanë mbështetje edhe nga QPS-së komunale ose OJQ-të partnere, si janë psh “Organizata për Mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror” (OFAP), Organizata “Shtëpi dhe Shpresë për fëmijët”- (SDSF), SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, Caritas Umbria, etj.

Kështu, pagesa mujore për fëmijën pa kujdes prindëror i strehuar tek të afërmit është 100€, për fëmijën e strehuar në familje jashtë farefisit është 250€. Për fëmijën me nevoja të veçanta, ndërkaq familja strehuese merr 350 euro ne muaj.

Kosova vazhdon të mos ketë Ligj për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Projektligji për mbrojtjen e fëmijëve është ende në shqyrtim në parlamentin e Republikës së Kosovës dhe pritet të aprovohet së shpejti.

Në mungesë të ligjit përkatës, organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, e kanë parë të nevojshme që të bëhen disa rregullore nëpër komunat e Kosovës, dhe të nisë zbatimi i tyre.

Këto rregullore tashmë janë aprovuar në Gjilan, Ferizaj, Pejë, Drenas, Fushë Kosovë, Lipjan kurse Prishtina është ende në procedurë të aprovimit të saj.

Ndërsa për përshpejtimin e miratimit të Ligjit për fëmijët, janë angazhuar edhe organizatat joqeveritare që merren me të drejtat e fëmijëve.

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë ekzekutive e organizatës KOMF, e cila në gjirin e saj ka 27 organizata që merren me të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, tregon se KOMF ka krijuar grupin punues që është marrë me projektligjin për mbrojtjen e fëmijëve. Në këtë propozim janë marrë parasysh të drejtat e fëmijëve, sidomos të grupeve të cenueshme të fëmijëve ku përfshihen edhe fëmijët pa kujdes prindëror. Ky ligj pritet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

Musa Demiri nga zyra për komunikim e MPSM, tregon se strehimi familjar i një fëmijë mund të përfundojë me arritjen e moshës 18 vjeçare, me ndryshimin e rrethanave në familje që shkojnë në favor te bashkimit familjar me familjen biologjike e që është në interesin më të mirë për fëmijën, apo edhe adoptimi i fëmijës, në rast se QPS kompetente e vlerëson si formën më me interes për fëmijën.

Ndërkaq, pas themelimit të adoptimit me vendim të gjykatës, prindërit adoptues dhe fëmija i adoptuar do të kenë të drejtat e njëjta dhe detyrime ligjore sikurse prindërit biologjikë me fëmijën e tyre biologjik.

Në bazë të raportit tremujor të këtij viti, Paneli për vendosjen e fëmijëve në Strehim familjar dhe Adoptim i MPMS-së ka shqyrtuar gjashtë kërkesa të QPS-ve për adoptim vendor dhe ndërkombëtar, prej tyre tri kërkesa vendore dhe tri ndërkombëtare. Nga kërkesat e shqyrtuara vetëm një është aprovuar për procedim të mëtejshëm në Gjykatën Themelore kompetente, ndërsa dy kërkesa janë refuzuar dhe tri kërkesa janë në proces të plotësimit të dokumentacionit.

Ky panel i njëjtë më 2018 ka shqyrtuar 22 raste të adoptimit, prej tyre 18 raste të adoptimit vendor dhe 4 raste të adoptimit ndërkombëtar.

“Procedura e adoptimit fillon me kërkesën e palëve të interesuara në Gjykatën Themelore kompetente në bazë të vendbanimit të tyre. Gjykata kërkesën e adreson në QPS kompetente me qëllim të vlerësimit profesional mbi përshtatshmërinë e prindërve potencialë adoptues. Periudha e vlerësimit të prindërve potencial adoptues, në bazë të legjislacionit në fuqi zgjatë deri në tre muaj”, shpjegoi Demiri.

Familjet e vlerësuara si potenciale adoptuese dhe të evidentuara në Regjistrin Gjeneral, trajtohen në bazë të datës së aplikimit. Kur vjen momenti për adoptim të ndonjë fëmije, Qendra për Pune Soiale komunale kontakton me ministrinë përkatëse në qeveri për te gjetur një familje potenciale për adoptim, kryejnë vizita te familja dhe vendos se a mund të vazhdoje me tej procedura e adoptimit.

Pas shqyrtimit të Lëndëve nga Paneli, QPS-të së bashku me prindërit potencialë adoptues e vazhdojnë procedurën në Gjykatën Themelore kompetente për themelim të adoptimit.

“Në rast se e bëjmë një përllogaritje të shtrirjes në kohë të gjithë procesit të lartpërmendur, varion nga 9-12 muaj si dhe fakti që numri i fëmijëve të braktisur, në bazë të Raporteve vjetore të viteve të fundit është në rënie, për dallim prej numrit të kërkesave për adoptim që është në rritje. Ky numër bënë që familjet të presin më gjatë”, thotë Demiri.

Adoptimi i një fëmije jashtë vendit mbetet opsion vetëm në raste kur adoptimi vendor nuk është i realizueshëm.

“Në bazë të legjislacionit në fuqi, adoptimi vendor gjithmonë duhet të trajtohet me prioritet, me qëllim që interesat e fëmijës të mbrohen brenda vendit të origjinës dhe me qëllim të ruajtjes së elementeve të identitetit të fëmijës”, tregon ai.

Kërkesat për adoptim ndërkombëtar kryesisht janë nga shtetet evropiane si Italia, Gjermania, Franca, Zvicra, etj.

Zakonisht prindërit adoptues potencialë i kanë preferencat e tyre për moshën dhe gjininë e fëmijës.

“Në bazë të Regjistrit, kërkesat janë për të dy gjinitë, po mund të themi se dominojnë kërkesat për adoptimin e fëmijëve të gjinisë mashkullore.”

Një anketë jopretencioze e KosovaLive, ku u përfshinë 122 persona, rezulton ndryshe: 93 thonë se nuk do të bënin dallime në gjini gjatë adoptimit, 24 do të adoptonin fëmijë të gjinisë femërore, dhe 5 do të adoptonin fëmijë të gjinisë mashkullore.

Format e strehimit në SOS Fshatrat e Kosovës zhvillohen në kuadër të njësisë “Kujdesi Alternativ”. Në këtë njësi aktualisht janë të vendosur 57 fëmijë të ndarë në programe sipas moshës.

Programi për kujdes afatshkurtër për foshnjat “Dielli” ka filluar strehimin e fëmijëve të parë nga viti 2001 dhe deri tash në këtë program u përfshinë 485 fëmijë.

“Nga kujdesi ynë ata kanë kaluar në adoptime, strehime familjare, ribashkime me familjet biologjike, etj”, thotë Besnik Peci, përgjegjës në këtë program.

Ai shpjegoi për KosovaLive se fëmijët të cilët mbushin tre vjet dhe nuk kanë pasur fatin të bashkohen me familjet biologjike ose të adoptohen, bëhen pjesë e Programit për kujdes afatgjatë të SOS Familjeve, nga ku marrin kujdes edhe për zhvillimin e tyre fizik, social e psikologjik, deri në aftësitë për të ndërtuar jetë të pavarur pas moshës 18 vjeçare.

Ai thotë se deri më tani, fal këtyre programeve, kanë arritur t’i pavarësojnë afër 20 të rinj, dhe kënaqësia është më e madhe kur dihet se ndër ta ka ekonomistë, edukatore, instruktorë vallëzimi, zhvillues të programeve softuerike, dizajnerë, IT, etj.

Peci thotë se ka pasur vite ku numri i foshnjave për adoptim ka qenë shumë më i madh se sa tash, dhe kanë arritur t’i krijojnë 7 familje të lumtura, por aktualisht, në SOS fshatra janë të strehuar 41 fëmijë, të cilët po resin adoptimin.

Në kuadër të SOS Fshatrave të Kosovës realizohet edhe Programi i Fuqizimit të Familjes, me qëllim të dhënies shërbime falas te rastet e familjeve që janë në rrezik të humbjes së kujdesit ndaj fëmijëve.

“Falë këtij programi dhe punës së partnerëve tanë si Qendrat për Punë Sociale dhe organizata me fushëveprimtari të ngjashme, tri vitet e fundit ka rënë numri i braktisjeve të fëmijëve në Kosovë, dhe si rrjedhojë ka rënë edhe numri i pranimit të foshnjave në SOS Fshat”, kallëzoi Peci.

Programi i Fuqizimit të Familjes operon në Prishtinë me lokacionet Matiçan dhe Vranjevc, në Fushë Kosovë dhe Graçanicë dhe në kuadër të tij gjatë vitit mbështeten mbi 750 fëmijë dhe afërsisht 400 familje.

RINA KRYEZIU me Elona Halili, Lejla Berisha, Anesa Berisha.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM