Build Skills with our trainings

Sign up now!

Edhe pse ende e pranishme, dhuna në shkolla rrallëherë raportohet

Kor 8, 2019

Dhjetorin e vitit të kaluar, dy nxënëse të shkollës “Hasan Prishtina” në kryeqytet kishin vendosur që mosmarrëveshjet që kanë pasur në rrjetin social Instagram, t’i zgjidhin me rrahje në oborrin e shkollës. Kjo ishte bërë publike nga një video që shokët dhe shoqet e tyre e kishin shpërndarë në rrjetet sociale.

Në një hulumtim të Sektorit për Parandalim të Krimit dhe Delikuencës te të Miturit, të Policisë së Kosovës, të realizuar para disa vitesh, me 1,200 nxënës të tetë shkollave fillore dhe të mesme të kryeqytetit, rreth perceptimit të tyre për sigurinë në shkolla, shumica ishin përgjigjur se internetin apo rrjetet sociale të komunikimit i shfrytëzojnë për komunikim me shoqëri, për kalimin e kohës së lirë apo për lojëra online.

Një nga konkludimet nga ky hulumtim ishte se dhuna e ushtruar në shkolla shumë shpesh vjen pikërisht nga keqpërdorimi i rrjeteve sociale të komunikimit.

Nga të anketuarit, 569 prej tyre kishin pohuar se kishin përjetuar ose kishin qenë dëshmitarë në rastet e ushtrimit të dhunës nga nxënësit në shkollë. Është indikativ edhe fakti se këto raste shpëtonin pa u raportuar sepse shumica e nxënësve të anketuar nuk e dinin fare numrin e Policisë së Kosovës.

Raporte si ky ndodh të kenë shtuar vigjilencën e policisë rreth kësaj problematike.

Policia e Kosovës vetëm në vitin 2017 realizoi 225 vizita dhe kontakte me personelin e shkollave, kishte kryer 437 patrullime rreth shkollave, me ç’rast ishin kontrolluar 459 persona, 194 vetura, 18 lokale, ishin mbajtur ligjërata në shkolla me gjithsej 460 pjesëmarrës nxënës.

Gjatë kësaj periudhe janë iniciuar 17 raste dhe janë arrestuar 22 persona. Prej 17 rasteve të inicuara, vetëm një kishte ndodhur brenda oborrit të shkollës, një tjetër në afërsi, e 15 raste në perimetrin prej 300 metrave nga oborret e shkollave.

Sesionet informative drejt ndërgjegjësimit të komunitetit shkollor për raportim dhe referim të rasteve, ndodh të kenë ndikuar edhe në numrin e shtuar të rasteve të raportuara.

Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ende ka barrierë në raportim brenda hierarkisë së institucioneve arsimore, meqë shumë shkolla edhe më tutje hezitojnë t’i raportojnë rastet sepse nuk dëshirojnë ta dëmtojnë imazhin e tyre.

Fetah Zejnullahu, drejtori i Gjimnazit ‘‘Sami Frashëri’’ në Prishtinë, thotë se rastet e dhunës që kanë ndodhur në disa shkolla të Kosovës mes nxënësve apo në raportin nxënës-mësimdhënës janë mësim për shkollat e tjera. Ky gjimnaz, sipas tij, ndër vite është dalluar për cilësi, por edhe për nxënës problematikë dhe të padisiplinuar. Me shtimin e masave të sigurisë, të kamerave, të kontrollave periodike të nxënësve për mbajtje të mjeteve potencialisht të rrezikshme, me praninë e psikologes, por edhe me aksione vetëdijësuese dhe bashkëpunim me prindërit dhe Drejtorinë për Polici në Bashkësi e Preventivë, numri i rasteve të dhunës është ulur.

“Rastet e dhunës në këtë shkollë kanë ndodhur kryesisht jashtë oborrit dhe me interferim nga persona jashtë saj, mirëpo kemi shtuar masat e sigurisë, të cilat kanë ndikuar në uljen e mungesave të nxënësve, monitorimin e tyre të vazhdueshëm dhe rrjedhimisht, rënien e rasteve të dhunës fizike”– ka thënë Zejnullahu.

Shumica e shkollave të Prishtinës deklarojnë se për të adresuar problemet e sigurisë së tyre kanë themeluar Këshillin e Sigurisë, të përbërë prej prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësve.

Kryetari i Këshillit të Nxënësve të Gjimnazit ‘‘Sami Frashëri”, Blend Ismaili, thotë se ka raste sporadike të dhunës mes nxënësve, kryesisht dhunë verbale, por ai e arsyeton incidencën e këtyre rasteve me moshën e tyre, e cila pëson ndryshime dhe luhatje emocionale. Ai thotë se me rregulloren e shkollës janë përjashtuar format e tjera të ndëshkimit të nxënësve, përveç vërejtjeve me shkrim dhe suspendimit.

Jemi të pajisur me gjithsej 30 kamera në ambientet shkollore dhe monitorimi është i vazhdueshëm. Po ashtu ekziston një bashkëpunim permanent i këshillit me psikologun e shkollës dhe organizatat joqeveritare për të adresuar shqetësimet tona”, thotë Blendi.

Rezultatet nga një raport për dhunën dhe sigurinë në shkollat publike të Komunës së Prishtinës, i mbështetur nga UNDP (2015-2018), tregojnë që rreth 78% e nxënësve ndihen të sigurt në shkollë, ndërsa 21% e tyre ndihen më pak të sigurt. Nxënësit nga qyteti (ata që jetojnë në qendër ose në periferi) ndihen më të pasigurt në shkollë, krahasuar me nxënësit që vijnë nga fshatrat. Gjithashtu, rezultatet tregojnë se sa më të rritur janë nxënësit aq më të pasigurt ndihen në shkollë. Nga mjediset më të pasigurta nga nxënësit identifikohen tualetet dhe kafiteritë në afërsi të shkollës, që nxënësit i frekuentojnë gjatë pushimeve.

Në një intervistë të realizuar nga KosovaLive me përfaqësues të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), kjo e fundit e vlerëson fenomenin e dhunës si mjaft shqetësues, si brenda familjes, ashtu edhe brenda institucioneve të tjera ku fëmijët janë të përfshirë.

Kjo organizatë thekson se në punën e saj avokuese për rritje të vetëdijësimit përfshin të gjithë politikëbërësit, përfaqësuesit e institucioneve të nivelit qendror dhe lokal, institucionet dhe organizatat që punojnë me fëmijë, profesionistët e mandatuar për të ofruar mbrojtje për fëmijët, mediet, vetë fëmijët, familjet dhe komunitetin.

KOMF së fundmi ka hartuar dhe ka publikuar Modelin e Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve si një model ombrellë që vihet në dispozicion të institucioneve arsimore në vend, të cilat mund të bëjnë përshtatjen e kësaj politike në përputhje me kontekstin dhe specifikat e këtyre institucioneve.

Sa i përket masave që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë, tashmë ekziston një protokol referimi për rastet e dhunës që njihet si: ‘’Rregullorja qrk- nr. 21/2013 për Protokollin për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Institucionet e Arsimit Parauniversitar.”

Përkundër këtyre masave, drejtoritë komunale të arsimit kanë kërkuar në vazhdimësi hulumtime për sigurinë në shkollat publike, duke dashur të sigurojnë qasje të përhershme në çështjen e sigurisë në shkolla.

Si fëmijët, ashtu edhe prindërit vlerësojnë që shkolla patjetër duhet të ketë një psikolog dhe një pedagog. Sipas tyre, këto dy funksione do t’u duheshin në shumë raste më shumë mësimdhënësve sesa fëmijëve, duke vlerësuar se problematikat dhe shqetësimet personale disa mësimdhënës i shprehin te fëmijët e tyre, qoftë përmes mënyrës së komunikimit verbal apo edhe sjelljes.

Në fokus grupet e organizuara gjatë hartimit të raportit “Mekanizmat miqësorë të shkollave për raportimin e dhunës te fëmijët” i mbështetur nga Qeveria Suedeze, Save the Children dhe organizata kosovare Syri i Vizionit, në dhjetor të vitit 2017, mësimdhënësit e kishin paraqitur nevojën për avokim te Ministria e Arsimit lidhur me kthimin e orës së kujdestarisë dhe futjen e funksionit dhe angazhimin e psikologëve dhe pedagogëve në shkolla.

Merita Jonuzi, koordinatore për të drejtat e njeriut në MASHT thotë se mekanizmat për këtë ekzistojnë vetëm se duhet të rritet mbikëqyrja dhe llogaridhënia.

“Fillimisht kemi pasur problem me kuadrin, ngase nuk ka pasur psikologë shkollorë (por vetëm klinikë), prandaj me sugjerim të MASHT-it në Katedrën e Psikologjisë është hapur programi master për psikologji shkollore. Dhe tani kur rritet numri i kuadrit profesional ka edhe mundësi më të mira për ofrimin e shërbimeve psikologjike në shkolla”, konsideron Jonuzi.

Psikologu i shkollës ‘‘Elena Gjika”, Kushtrim Maloku, thotë se po punohet për vetëdijësimin e rasteve të dhunës dhe adresimin e tyre te psikologu.

“Agresiviteti i nxënësve ndodh për shkak të interesave të ndryshme që kanë nxënësit në shkollë dhe konflikteve në rrjete sociale. Mungesat e shumta i shpiejnë ata në formimin e grupacioneve të ndryshme që ndikojnë të shfaqin tendenca të dominimit mbi një grup të caktuar social dhe shprehen me mjete e forma të dhunës dhe agresivitetit, që mund të çojnë edhe në lëndime trupore.”

Ligjërata, këshillime, mbajtje e orëve edukative dhe vetëdijësuese, me metoda psikopedagogjike, janë strategjitë që i përdorim për ta çrrënjosur këtë fenomen në shkollë.” –thekson ai, duke shtuar se si institucion arsimor bashkëpunojnë me KEC, Polici e Komunitetit, Terre des Homme, MASHT, DKA etj., që dhuna në shkolla të jetë sa më pak e shprehur.

Shkollat ende përballen me hezitim për raportim nga ana e nxënësve, sepse nuk kanë një mekanizëm të besueshëm për të garantuar ruajtjen e identitetit të fëmijës/nxënësit apo prindit lidhur me ankesat që raportohen për mësimdhënës apo staf tjetër të shkollës për dhunën dhe sjelljet që nuk përkojnë me institucionin.

Gjylshahe Feta

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM