Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një qendër burimore sfidon kontekstin që po i rrethon të verbërit

Kor 22, 2019

Sfidat kryesore me të cilat përballet çdo ditë komuniteti i të verbërve janë paragjykimet e njerëzve të tjerë ndaj tij, mungesa e një sinteze vokale, me të cilën personat e verbër do të pavarësoheshin për kryerjen e detyrave të rëndomta, si dhe edukimi dhe punësimi i këtyre personave.

Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim ‘’Xheladin Deda’’ në Pejë është e vetmja në Kosovë për edukimin e personave të verbër dhe me dëmtime pamore.

Si institucion daton që nga viti 1982, fillimisht si shkollë speciale për të verbër dhe me dëmtime në të parë, për t’u kthyer më vonë në vitin 2004/2005 në një qendër burimore, e cila ofron shërbime për nxënës të verbër të integruar në shkolla të rregullta. Vijuesve të kësaj shkolle u ofrohen mbështetja profesionale me profesorë udhëtues, metoda dhe materiale speciale të mësimdhënies. Njëherësh, trajnohet stafi i shkollave përkatëse, për nxënës rezidentë në qendër që e ndjekin kurrikulën kombëtare nga klasa e parë deri në klasën e 12 e që janë 22 në numër dhe nxënës të verbër e me dëmtime të shumëfishta, që kanë nevojë për trajtim specifik. Përfaqësues të kësaj qendre thonë se qendra funksionon në saje të ndihmës nga institucionet qendrore dhe lokale, shoqata e të verbërve dhe donatorët e saj, të cilët e kanë ndihmuar me mjete materiale dhe trajnime speciale për stafin.

Thonë se kanë pranuar donacione për disa projekte nga Oda Amerikane, nga KFOR-i etj.

Kryetari i kësaj qendre, Xhavit Kastrati thotë se qendra i përkrah studentët edhe pas përfundimit të testit të maturës dhe përgatitjes për universitet.

Studentët tanë vazhdojnë ta ruajnë komunikimin me institucionin tonë, edhe pas diplomimit ne ju ndihmojmë me aq sa mundemi sepse kapacitetet nuk na lejojnë t’i mbështesim sa duhet.”

Pa marrë parasysh se kjo qendër ka drejtime të profilizuara në shkollën e mesme, që i përgatitë këta të rinj profesionalisht, çështja e punësimit të tyre ende nuk është zgjidhur.

“Komponenta e punësimit të personave të verbër nuk është në kompetencat tona, sepse si institucion ne mundësojmë shkollimin dhe aftësimin e tyre. Sa i përket punësimit të tyre sapo kemi përfunduar fazën e parë të realizimit të një miniprojekti me KEEN në mbështjetje të KEC-it, në kuadër të të cilit kemi realizuar dy punëtori me qendra të aftësimeve profesionale dhe të shohin mundësinë e akreditimit të disa profesioneve të mundshme për personat e verbër, përvoja këto ose praktika që i kemi marrë nga qendrat europerëndimore me të cilat bashkëpunojmë”, ka thënë Kastrati.

Këta persona i nënshtrohen një tregu të egër pune, për shkak të mungesës së koordinimit të institucioneve për mbikëqyrje të miratimit të Ligjit për Personat me Aftësi të Kufizuara, i cili thotë se çdo ndërmarrje e cila ka mbi 50 të punësuar, duhet të ketë një të punësuar me aftësi të kufizuara.

Por, sipas tij, ka ndërmarrje publike me mijëra të punësuar te të cilat duhet të avokohet që këta persona t’i përfshijnë në marrëdhënie pune duke u krijuar ambiente të përshtatshme dhe specifike për gjendjen e tyre.

“Kanë një mori profesionesh të cilat ata mund t’i kryejnë, si profesor muzike, asistent administrate, sepse qendra posedon edhe si profil arsimor degën administratë dhe teknologji informative, që këta persona të mos jenë barrë por të jenë produktivë për veten dhe shoqërinë”, thekson Kastrati.

Sipas disa të dhënave që KosovaLive kishte publikuar në një artikull vitin e kaluar, vetëm rreth 30 prej këtyre personave në të gjithë Kosovën gëzojnë të drejtën e punës.

“Edhe pse ekziston ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim profesional për persona me aftësi të kufizuara, ky ligj që nga viti 2008 kur është miratuar, nuk po gjen zbatim adekuat për punësimin e personave me aftësi të kufizuara e në veçanti për personat e verbër. Përkundër, që  studentët e verbër kanë mbaruar studimet e tyre ne universitete publike dhe në ato private, vetëm pas luftës në këto universitete kanë diplomuar mbi 60 persona të verbër por çēshtja e punësimit mbetet sfidë permanete e SHVK-së”, thotë Daut Tishuki, kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës.

“Gjithëpërfshirja” si koncept e përshkon tërë Ligjin për Arsim Parauniversitar të Republikës së Kosovës, të miratuar më 2011, ligj ky i bazuar në Deklaratën e Salamankes mbi gjithëpërfshirjen dhe Konventën për drejtat e njeriut. Gjithpërfshirja në arsim ka si synim përfshirjen e të gjithë fëmijëve pa dallim race, gjinie, etnie, aftësie të kufizuar apo ndonjë dallim tjetër në shkollën më të afërt të rregullt.

Kështu mendon edhe profesoreshë Albulena Nuredini, e cila është në prag të mbrojtjes së temës së saj të diplomës “Metodat dhe strategjitë e mësimdhënies në fushën e muzikës për fëmijët me shikim të dëmtuar ose të verbër ”. Ajo thotë se gjatë hulumtimit ka vënë re që këta fëmijë do të duhej të inkuadroheshin në shkolla të rregullta, por shpeshherë kjo nuk është e mundur për shkak të numrit të nxënësve në shkolla të rregullta dhe stafit, që i mungojnë trajnimet adekuate për këtë kategori të ndjeshme.

Ajo ka realizuar një projekt që përveç inkuadrimit të këtyre personave në shkollat e rregullta, ka pasur për qëllim edhe sensibilizimin e shoqërisë sonë, për përgatitjen e mësimdhënësve, prindërve për t’i inkuadruar në shoqëri këta fëmijë, angazhimin e tyre në aktivitete muzikore, për të cilat kanë dëshmuar gjithmonë që kanë afinitet.

“Po ashtu, shpresojmë në të gjitha institucionet, që të angazhohen edhe në sigurimin e mjeteve tiflodidaktike, që ju ndihmon në arritjen e mësimit të shkrimit Braille, edhe në shkolla të rregullta.”-ka thënë Nuredini.

Në kuadër të këtij projekti Albulena ka angazhuar edhe bizneset dhe kompanitë private për renovimin e kabinetit. Sipas saj, qëllimi ka qenë që të shndërrohet në klasë burimore, por po presin mbështetjen nga Drejtoria e Arsimit dhe Ministria e Arsimit. Në Shkollën e Muzikës në Ferizaj, në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, fëmijët me nevoja të veçanta do të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre.

Poashtu, dhuruan donacion një makinë shkrimi Braile për Qendrën Burimore “Xheladin Deda”.

 “Nga pajisjet i kemi ato që nxënësve ju nevojiten, ndërsa sa i përket pajisjeve për aftësim profesional nuk kemi, jemi në kërkim të fondeve dhe marrëveshjeve me organizatata të aftësimeve profesionale”, ka thënë kryetari i Qendrës Burimore.

Ndërkaq  ka dy vjet që kjo qendër burimore është  anëtare e Këshillit Evropian për Persona të Verbër dhe me Pamje të Kufizuar, gëzon partneritet me institucione tjera në Çeki, në Gjermani, në Belgjikë, qendra simotra në Pragë dhe në Lublanë. Presin mjete materiale për investim në objekt nga qeveria ose donatorë tjerë të qendrës, për ridizajnim të pjesës konviktore për nxënësit rezidentë.

Sa i përket shërbimeve, jo vetëm për këtë qendër, por edhe për qendrat në rajon, sfidë mbetet trajtimi i shkollimit të personave të verbër dhe me dëmtime të shumëfishta, aktualisht janë duke trajtuar rreth 16 të tillë, në nivel Kosove rreth 30 të tillë, pra, sfidë është mundësia e trajnimeve shtesë për personelin dhe menaxhmentin për specifikën konkrete, për të cilat po kërkohet vazhdimisht nga institucionet.

Gjylshahe Feta

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM