Erona Hajdari, studente 21 vjeçare, para shtatë vjetësh kishte marrë vendimin të ketë një qen si kafshë shtëpiake. Dashuria e saj ndaj kafshëve e veçanërisht qenve kishte filluar që nga fëmijëria. Por për ta pasur një qen të saj, Eronës iu desh të presë deri në moshën e adoleshencës për shkak se prindërit e saj kishin vendosur që Erona të arrijë në një moshë kur do të jetë e vetëdijshme të përkujdeset për një qen. Ajo shton se pasi kishte vendosur ta marrë qenin, adaptimi i tij me pjesëtarët e tjerë të familjes fillimisht kishte qenë i vështirë e sidomos për nënën e saj, e cila kishte kundërshtuar më së shumti, por me kalimin e kohës gjithçka kishte ndryshuar.
“Jo të gjithë familjarët kanë qenë të pajtimit për ta marrë një qen, sidomos nëna, e cila ka kundërshtuar më së shumti. Ndërsa tani të gjithë anëtarët e familjes kemi një dashuri të madhe për qenin, e mund të them sidomos nëna, e cila tash kujdeset më së shumti për të. Shpeshherë them se nëna më shumë e do Nelly-n (qenin), sesa neve fëmijëve të tjerë. Thjesht e konsiderojmë si një pjesëtar të familjes.”
Në shoqërinë kosovare ende mbretëron mentaliteti jo i favorshëm ndaj mbajtjes së një kafshe shtëpiake brenda ambienteve ku jetojnë. Disa persona fatkeqësisht hasin në vështirësi, jo nga pamundësia për t’u kujdesur për ta, por nga mosambientimi i rrethit familjar me kafshët. Mirëpo bindja dhe eksperienca është ajo që e vërteton jetesën me një kafshë brenda një ambienti familjar.
Veterinari Florim Kollçaku, i cili ka një bagazh të pasur me përvojë tregon se mbajtja dhe përkujdesi ndaj një kafshe shtëpiake është një angazhim që duhet të bëhet me shumë dëshirë dhe në mënyrë të kujdesshme. Ai shton se përveç që kafsha të jep lumturi është shumë e mirë edhe për shëndetin mendor, meqenëse koha që e kalojmë me kafshën rezulton në rritjen e hormonit të lumturisë që dërgon në një stabilitet psikologjik të njeriut.
“Përderisa kujdeseni dhe kaloni një periudhë të konsiderushme të ditës me kafshën tuaj, lidhja emocionale është e pashmangshme.”
Erona pohon se qeni është bërë pjesë e pandashme e jetës së saj, dhe në një formë ka mësuar që nga mosha e hershme të përkujdeset për dikë dhe po ashtu të dijë të mbajë përgjegjësi.
“Do t’ia rekomandoja çdo personi ta mbajë një kafshë shtëpiake e sidomos familjeve me fëmijë që janë në moshën e adoleshencës, për arsye se qeni do t’i ndihmojë ata fëmijë të mësojnë se çka është të kenë përgjegjësi për dikë tjetër, do t’i ndihmojë ata ta eleminojnë stresin e ankthin, gjithashtu edhe do t’u ndihmojë që të jenë më aktiv sepse qentë janë shumë aktivë kërkojnë të luajnë, të dalin e gjithashtu do t’u ndihmojë t’i përmirësojnë marrëdhëniet e tyre shoqërore. Dhe në fund të ditës ata do ta kenë dikë që i do”, thotë ajo.
A.Gj, e cila nuk ka shumë dashuri të madhe ndaj kafshëve shtëpiake, thotë se përveç që nuk i pëlqejnë kafshët ajo ndien frikë nga to.
“Jo nuk e mendoj se do ta ndërroj mendimin për të pasur kafshë shtëpiake. Vendimin për të mos mbajtur kafshë shtëpiake e kam rrënjosur për një kohë të gjatë dhe nuk e besoj që do ta ndërroj ndonjëherë.”
Por, jetesa me kafshë shtëpiake nuk është gjithmonë nga frika. Mendim më ndryshe ka studentja V.K., e cila ka përmendur se pavarësisht nga dashuria që ka për kafshët, në ambientet rurale nuk mund të ofrohen kushte për të mbajtur një kafshë brenda për shkak të rrethanave dhe mentalitetit të njerëzve dhe stigmës së tyre për t’u ballafaquar.
“Mua shumë më pëlqejnë kafshët, kam pesë të tilla në shtëpi, mirëpo ekziston një mentalitet i tillë kosovar që në qoftë se mbaj kafshën brenda do të gjykohem jashtë mase nga “fqinjtë”, mirëpo nuk e përjashtoj edhe faktin për shkak të zonës, sepse nuk do të doja ta izoloja kafshën brenda ambientit shtëpiak, ku mund ta lë atë të dalë në male dhe në fusha, mirëpo për shkak të papastërtisë atëherë stigma e familjarëve për ta futur brenda do të ishte shumë e madhe. Ka sfida e sidomos në vendin ku jetojmë.”
Agime Zeka, e cila para katër vjetësh kishte vendosur ta adoptojë qenin e racës Bichon, pasi familja e parë nuk kishte mundësi ta mbanin. Adoptimin e qenit dhe praninë e Putu-s në jetën e saj e konsideron “vendimin më të mirë që e ka marrë” meqë solli një ndryshim pozitiv në jetën e saj. Edhe ajo fillimisht nuk kishte marrë pëlqimin nga familja, por me kalimin e kohës kundërshtimi i familjarëve ishte shndërruar në dashuri shumë më të madhe ndaj qenit.
“Dashuria dhe lidhja e kafshës me pronarin është ndjenjë shumë e sinqertë që vjen si falënderim për përkujdesin që i kushtohet nga ana e pronarit. Nëse do e përshkruajmë me dy fjalë dashuria e sinqertë rezulton me një marrëdhënie të përkryer”, konsideron veterinari Florim Kollçaku.
Sipas tij, po të ekzistonin ligjet mbi keqtrajtimin e kafshëve dhe po të funksionin këto mekanizma si duhet, edhe shoqëria jonë do të ishte më e pranueshme në qasje ndaj kafshëve. Ajo që sheh ai si pozitive është rritja e vetëdijësimit dhe interesimit sa i përket kujdesit ndaj kafshëve.
Elsa Loma
Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.