Build Skills with our trainings

Sign up now!

Diversiteti si vlerë shoqërore e jo shkak për konflikt

Gus 21, 2019

Mbështetja e diversitetit kulturor do të thotë t’i shohësh njerëzit si individë, duke i pranuar të veçantat e tyre dhe duke marrë në konsideratë të drejtat individuale e dinjitetin e tyre, thuhet në një manual të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Si i këtillë, si vlerë dhe si nevojë sociale, diversiteti nuk do të duhej në parim të na shpie në “detyrime dhe obligime” konfliktuoze.

 “Të kesh diversitet nuk është vlerë në vete, të bashkëjetosh me të është arritshmëri”, shprehet Eurisa Rukovci, psikologe.

Duke pasur në fokus diversitetin, janë hartuar edhe plane strategjike gjithëpërfshirëse për zhvillimin e arsimit në Republikën e Kosovës.

Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë (PSAK) 2011-2016, është zhvilluar si një plan gjashtëvjeçar që e lidh mësimin gjatë gjithë jetës me gjithëpërfshirjen në arsim dhe bazohet në një model të të nxënit që u drejtohet të gjithë nxënësve, duke u ofruar mundësi të barabarta dhe arsimim cilësor. Ky plan është hartuar edhe për periudhën 2017-2021.

Sociologu Fadil Maloku thotë se përveç si vlerë, diversiteti duhet të çmohet si pasuri.

“Diversiteti si vlerë, por edhe si perceptim social, në fakt është një dukuri që i ka karakterizuar pothuajse të gjitha civilizimet dhe kulturat e historisë njerëzore. Nëse e spostojmë në kohën tonë këtë vlerë dhe perceptim, i bie që domosdoshmërisht edhe sot është dhe duhet të trajtohet si një pasuri, tash jo vetëm sociale, por edhe politike e sidomos civilizuese e kulturore. Themi kështu shkaku se madhështia e diversitetit qëndron mu në dallimet (që mund të jenë të natyrës gjinore, etnike, fetare dhe racore) që ai i “prodhon” dhe kultivon në rrugëtimin e ndërtimit dhe promovimit të vet nëpër të gjithē historinë e qenësimit të natyrës së njeriut.”

Sipas Eurisa Rukovcit mungesa e gjithëpërfshirjes si koncept nuk është shkak për konflikt, por është menaxhimi i vlerave ai që e bën diferencën në shoqëri.

Diversiteti në vetvete nuk shkakton as luftëra dhe as i parandalon ato, por është menaxhimi i diversitetit ai që sjell luftëra e konflikte ose që sjell paqe dhe bashkëjetesë. Shoqëritë ku pranimi i tjetrit refuzohet kategorikisht rrezikojnë të përfundojnë në kaos dhe në luftëra të përgjakshme”, thotë Rukovci.

Fatlinda Agushi, studente kosovare që studion jashtë vendit thotë se mungesën e diversitetit e arsyeton me shkallët e adaptimit që shoqëria kosovare iu ka nënshtruar pasluftës.

“Për një shoqëri të pasluftës duhet ta kemi parasysh se tashmë në rrethin tonë jetojnë njerëz të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre, kanë rënë nga një shkallë e caktuar e pasurisë në varfëri të skajshme, persona të cilët u janë nënshtruar llojeve të ndryshme të dhunës dhe në këto raste gjithëpërfshirja përbën problem në një shoqëri të udhëhequr nga diversiteti”, thotë Fatlinda.

Sociologu Maloku thotë se teoritë e historisë së konflikteve dëshmojnë se diversiteti në periudha të ndryshme, di të bëhet edhe pengesë serioze në procesin e (ri)ndërtimit të raporteve midis njerëzve.

“Zakonisht, në shoqëritë totalitare dhe ato diktatoriale, diversiteti mund të keqpërdoret dhe të futet në funksion të shumë planeve famëkeqe, ashtu siç ndodhi në rastin e ish-Jugosllavisë, ku shteti serb në emër të këtij kundrimi e perceptimi tē orkestruar qëllimisht, shkaktoi një konflikt të përgjakshëm etnik e një gjenocid masiv midis popujve (serbëve dhe kroatëve; serbëve dhe sllovenëve; serbëve dhe muslimanëve të Bosnjës; serbëve dhe malazezëve; serbëve dhe shqiptarëve) të ish-Jugosllavisë”, thotë ai.

Sipas Malokut, Kosova është shembull i respektimit të vlerave të ndryshme të etnive, por kjo nuk do të thotë se është shtet multietnik.

“Në kontekstin e Kosovës, diversiteti është edhe vlerë por edhe pasuri sociale, politike e kulturore, që dosido dëshmon tolerancën, mirëkuptimin dhe dimensionin e dobisë që e kemi edhe si shoqëri e edhe si etni. Por, kjo tolerancë dhe mirëkuptim midis etnive dhe traditave minore kulturore (serbe, turke, rome, ashkali, boshnjake, etj.) nuk nënkupton që Kosova edhe ‘de facto’, është shtet multietnik, ashtu si figuron aktualisht në preambullën e Kushtetutës. Andaj Kosova, mund të thuhet se është tolerante, por jo edhe multietnike”, përfundon Maloku.

Arjetë Murati

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM