Build Skills with our trainings

Sign up now!

Ujqit, shqetësim serioz për banorët e Hanit të Elezit

Tet 16, 2019

Banorët e fshatit Dimcë të Hanit të Elezit, që ndodhet rreth një kilometër larg qytetit rrëfejnë se po përballen me një problem të kohëve mesjetare – sulmet e ujqërve.

Banorët kanë treguar për sulmin e një ujku ndaj disa fëmijëve të fshatit, e të cilët po i kullosnin bagëtitë e tyre shumë afër shtëpive, dhe gjatë sulmit, njëri prej fëmijëve, një pesëvjeçar, kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Njëri nga banorët e këtij fshatit, Ekrem Suma, ka përshkruar se, teksa po ecte rrugës drejt qytetit, kishte dëgjuar ulërimat e fëmijëve dhe kur kishte arritur te vendi ku kishin qenë ata, ishte ndeshur me pamjen e tmerrshme teksa ujku po e tërhiqte zvarrë djaloshin pesëvjeçar. Me intervenimin e tij të shpejt kishte arritur ta largonte djalin të gjallë nga ujku, por me lëndime të rënda trupore dhe e kishte njoftuar menjëherë ndihmën e shpejtë.

Djali ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në Qendrën Spitalore Mjekësore në Prishtinë dhe tashmë është jashtë rrezikut për jetë.

Megjithatë, familja e tij, pak ditë pas rastit të ndodhur, kishte treguar se djali akoma kishte frikë të dalë në oborr sepse trauma që ka pësuar nga ky rast, e ka ngujuar brenda mureve të shtëpisë, dhe frikën ia kujtojnë edhe më shumë shenjat që i kanë mbetur në trup nga sulmi i ujkut.

Edon Thaçi, i moshës 17-vjeçare në fshatin Paldenicë të komunës së Hanit të Elezit ka rrëfyer se ai dhe një i afërm i tij ishin sulmuar nga një ujk, dhe se për vetëmbrojtje kishin hedhur gurë drejt ujkut, me qëllimin e vetëm që ta largonin ujkun dhe të shmangnin ndonjë sulm fizik drejt tyre.

Fatin e mirë të dy djemve që kishin shpëtuar me kaq, fatkeqësisht nuk e kanë shumë kafshë të fshatrave të tjera të kësaj komune, ngase siç rrëfen Ilir Kaloshi, një banor i fshatit Gorancë, ujku ua sulmon edhe bagëtinë.

“Në fshatin tonë shpesh ndodhin raste kur ujku na sulmon bagëtinë, siç na ndodhi edhe neve, një natë pamë që mungonte një krer nga bagëtia dhe të nesërmen e gjetëm të ngordhur. Në trup kishte shenja që ishte sulmuar nga një kafshë e egër”, thotë Kaloshi.

Ka edhe zona të tjera ku ujqit janë parë shumë afër shtëpive të banuara. Pjesëtarët nga familja Krasniqi, banues përgjatë rrugës Hani i Elezit-Paldenicë, në një prononcim  për KosovaLive, kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me këtë çështje, ngase ata kanë fëmijë të moshave të vogla dhe i druhen sulmeve që mund t’i bëjë ujku e detyrohen që fëmijët shumicën e kohës t’i mbajnë brenda shtëpive, teksa kjo po ndikon negativisht te zhvillimi emocional i fëmijëve.

Ndërkaq, i njoftuar me rastet, kryetari i komunës, Rufki Suma, për KosovaLive tregoi edhe diçka jo të zakontë:

“Në kohë të mëhershme, zakonisht ujku ka sulmuar bagëtinë, por ajo që ka qenë befasuese është se kur është sulmuar një bari tek ruante kopenë e deleve, ai ka ikur nga ujku dhe është ngjitur në një shtyllë elektrike aty afër, dhe për çudi ujku nuk i ka sulmuar delet poshtë, por ka tentuar ta sulmojë njeriun.”

Në qytet qarkullojnë fjalët që ujku është vrarë. Suma rikujtoi se atëherë nuk ishte koha e gjuetisë por edhe se disa kafshë janë të mbrojtura me ligj. Megjithatë, kjo komunë për dallim nga të tjerat, kishte dhënë lejen për vrasje që nëse një kafshë e egër sulmon në shtëpi apo fshat, pra nëse rrezikohet seriozisht jeta e njeriu.

“Ndërsa sa i përket fjalëve që qarkullojnë rreth vrasjes së ujkut, nuk ka ndonjë informatë të saktë deri tani, por edhe nëse eventualisht dikush e ka asgjësuar, ndoshta i frikësohet asaj që mund të dënohet me ligj. Komuna nuk ka ndërmarrë asnjë hap të tillë zyrtarisht, pavarësisht bisedimeve që kemi pasur me Shoqatën e Gjuetarëve, por i qëndroj asaj që kam thënë që nëse rrezikohet jeta e njerëzve, ata kanë të drejtën absolute që në vetëmbrojte t’i kundërpërgjigjen dhe ta asgjësojnë kafshën e egër.”

Liridona Ballazhi

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM