Build Skills with our trainings

Sign up now!

Ballkani Perëndimor i lirë të shprehet: Shoqëria, armiku më i madh

Tet 20, 2019

Rajoni avancon në liri të shprehjes, por ende rangohet ulët

Më 30 shtator të vitit 2005, karikaturisti danez Kurt Westergaard, i cili punonte për gazetën “Demokraten”, e karikaturoi fytyrën e profetit Muhammed. Kjo bëri që të shpërthente një reagim i madh publik, me protesta të dhunshme dhe kërcënime serioze ndaj karikaturistit dhe kësaj gazete. Kurt Westergaard edhe pas 14 vjetëve mbetet nën mbrojtjen e policisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, i kishte dalë në mbrojtje atij duke thënë se Evropa është vendi ku një karikaturisti i lejohet të vizatojë diçka të tillë.

“Po flasim për lirinë e opinionit dhe lirinë e shtypit”, kishte thënë ajo.

Në një anketë jopretencioze të realizuar nga KosovaLive kemi shtruar pyetjen nëse ka liri të mjaftueshme të shtypit/shprehjes në Kosovë, dhe nëse jo, pse mendoni kështu? Nga 525 përgjigjet e regjistruara, 89.1% e të anketuarve mendonin se në Kosovë nuk ka liri të mjaftueshme. Kur u pyetën se për çfarë arsyesh e mendonin një gjë të tillë, njëri prej tyre u përgjigj:

“Nuk e kemi lirinë e mjaftueshme për shkak të konvencioneve dhe normave të forta sociale, për shkak të partive politike ose të individëve brenda partive të përfshirë në tregun medial dhe për shkak të mosfunksionimit të duhur të mekanizmave të shtetit.”

Dafina Lata, ligjëruese në Departamentin Media dhe Komunikim (UBT), konsideron që nuk kemi mjaftueshëm liri të shtypit apo të shprehjes në Kosovë.

“Për sa i takon lirisë së shtypit në Kosovë, mund të them se kemi një përparim të vogël, nëse bazohemi edhe në rezultatet e fundit të ‘Freedom House’, ku Kosova llogaritet që ka pjesërisht liri të shtypit. Kjo nuk do të thotë se gjendja është e mirë dhe mund të kënaqemi, kur kemi parasysh faktin se gazetarët në vendin tonë vazhdojnë të ballafaqohen me shumë vështirësi për ta kryer punën e tyre. Ata kërcënohen në forma të ndryshme dhe askush nuk merr përgjegjësi për rastet e tilla”, thotë Lata.

Vlen të përmendet që sipas World Press Freedom Index, Danimarka renditet e pesta në botë për liri të shtypit, ndërsa Gjermania e 13-ta. Megjithëse, problemi është mjaft i madh e i dukshëm edhe për këto vende, Kosova bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor renditet shumë më poshtë.

Përveç politikës cenuese të lirisë së shtypit ose të shprehjes konsiderohen edhe konvencionet dhe normat sociale, por a ka raste të tilla në Kosovë si i lartpërmenduri me karikaturistin danez?

Më 14 dhjetor të vitit 2012, tifogrupi i njohur nga kryeqyteti, “Plisat”, sulmoi organizatorët e një eventi nga Kosovo 2.0 të quajtur “Nata e Seksit”. “Plisat” kishin brohoritur “Allahu Ekber” dhe kishin kundërshtuar vlerat të cilat promovoheshin aty.

Veç këtij incidenti, i cili u dënua nga krerët e institucioneve, kemi pasur edhe të tjera të po kësaj natyre.

Ata të cilët përballen më së shumti me problemet e lirisë së shprehjes janë gazetarët, sidomos ata hulumtues të cilët shpesh kërcënohen e sulmohen.

Gazetarja Arbana Xharra, ish-kryeredaktorja e së përditshmes ”Zëri” në vazhdimësi është fyer e sulmuar pikërisht shkaku i qëndrimeve të saj lidhur me praktikimin e fesë nga individë dhe grupe të shoqërisë.

Besnik Boletini, gazetar në Qendrën Kosovare për Gazetari Hulumtuese “Preportr”, thotë që liria e shprehjes në Kosovë rrezikohet më shumë brenda redaksive sesa jashtë tyre.

“Mendoj që liria e shprehjes në Kosovë rrezikohet më shumë brenda redaksive sesa jashtë tyre. Presionin brenda redaksive e shoh më shumë shqetësues sesa kërcënimet nga jashtë. Gjatë hulumtimeve që kam bërë para disa vjetëve për nevoja të studimeve, por edhe nga bisedat me kolegë të shumtë, rezulton se në shumë mediume nuk publikohen shkrimet, edhe pse ato janë realizuar. Pronarët dhe redaktorët e disa mediumeve për shkak të lidhjes së tyre me politikanë, biznesmenë apo grupe të ndryshme të interesit, i ndalin këto tema. Aspekti i dytë është se të njëjtit për të përfituar një reklamë, heqin dorë nga publikimi i hulumtimit. Kjo dukuri është më e shprehur sidomos viteve të fundit. Këto dy aspekte e cenojnë më së shumti lirinë e shprehjes në Kosovë. Por kjo e dyta është më shqetësuese për shkak se ndalen temat brenda redaksive. Në rastet kur dikush i sulmon apo i kërcënon gazetarët, jo domosdo arrin ta ndalë publikimin e hulumtimit. Për më tepër, me rritjen e numrit të mediave online, shumë politikanë apo biznesmenë, në të vërtetë qëndrojnë prapa disa mediumeve dhe ua përcaktojnë politikën redaktuese, duke ndaluar tema të ndryshme, por edhe duke goditur rivalët e tyre me shkrime tendencioze”, thotë Boletini.

Krahasimi me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor

Sipas rangimeve të bëra nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare, Kosova hyn në mesin e shteteve që kanë vetëm pjesërisht liri të shprehjes. Rezultate të ngjashme me vendin tonë marrin edhe shtetet e tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor.

Freedom House e vlerëson Kosovën në vendin e parafundit, me 54 nga 100 pikët e mundshme.

Edhe sipas World Press Freedom Index (WPFI) rezultati është i ngjashëm, veçse dy vendet e fundit sipas Freedom House te WPFI rangohen në fillim, Bosnja dhe Hercegovina në të 63-in dhe Kosova në të 75-in.

Kosova, njësoj si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në legjislacion garanton lirinë e shprehjes.

“Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush”, shkruhet në Nenin 40 të Pikës 1 të Kushtetutës.

Në vitin 2013, Kosova ka miratuar ligjin për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve dhe ka dekriminalizuar shpifjen si shkelje ligjore. Kjo bën që gazetarëve të mund t’iu kërkohen burimet vetëm me urdhër të gjykatës, ndërsa për shpifje mund të paguhet vetëm gjobë.

Ligje që garantojnë lirinë e shprehjes kanë edhe vendet e tjera të BP-së duke qenë se të gjitha aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian (BE).

Rezultati i Bosnje Hercegovinës  tregon se mediat e tyre të shtypura, të transmetuara dhe të bazuara në internet aktualisht janë “pjesërisht të lira”. Agjencia Rregullatore e Komunikimeve (CRA), e mbikëqyr punën e mediave dhe lëshon licencat për transmetim, siç përcaktohet me Ligjin për Komunikim.

Në Shqipëri, fjala e lirë është e mbrojtur me Kushtetutë dhe e pranuar në mënyrë uniforme nga politikanët. Ligji për shtyp, ligji për mediat audiovizuele si dhe ligji për qasjen në informata shërbejnë si garanci të mëtejme për lirinë e medias.

Në Serbi censura është e ndaluar me Kushtetutë. BE-ja ka kërkuar që Serbia ta përmirësojë dhe ta garantojë lirinë e shprehjes dhe të shtypit.

Liria e shtypit në Mal të Zi garantohet nga Kushtetuta dhe ligjet që mbrojnë lirinë e shtypit. Në praktikë, këto mbrojtje ligjore nuk respektohen gjithmonë dhe shumë krime të kryera ndaj gazetarëve mbeten të pandëshkuara.

Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut përfshin mbrojtje themelore për lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes.

A ka Kosova liri të mjaftueshme të shtypit në relacion me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

“Liria e shprehjes është ndër liritë themelore të të Drejtave të Njeriut dhe njëra ndër parimet kryesore të funksionimit të demokracisë. Pas luftës së fundit në Kosovë, që nga viti 1999 është punuar shumë në krijimin e një ambienti plural të mediave në Kosovë. Duke pasur parasysh që Kosova është një vend ku liria e shprehjes në të kaluarën ka qenë e privuar, mund të themi se sot kemi përparime në këtë drejtim. Sa i përket lirisë së shtypit në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, unë mendoj që ne si Kosovë qëndrojmë më mirë, përkundër faktit që në raportet ndërkombëtare pozicionohemi më keq”, thotë Remzie Shahini Hoxhaj, profesoreshë e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Sara Kajolli, gazetare në televizionin Alsat M, konsideron se kohëve të fundit në Maqedoninë e Veriut, gazetarët janë të lirë të informojnë e të shkruajnë lirshëm përfshirë edhe tema të ndjeshme.

“Duke pasur parasysh se tani gjërat në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) kanë filluar të ndryshojnë dhe është krijuar një atmosferë pak më e relaksuar sa i përket kësaj teme, mendoj se ka një tendencë në rritje që gazetarët të jenë më objektivë, qoftë ata të mediumeve sociale apo të mediumeve informative. Shihet se gazetarët, sidomos ata më të rinj, kanë më shumë guxim për të informuar për tema të ndjeshme politike dhe mendoj se ka një dallim nga vendet e rajonit, tek ne është më mirë. Liria e mediumeve sociale është më e theksuar në raport me ato televizive pasi që në RMV ende nuk ka dispozita ligjore që i kontrollojnë mediumet online”, thekson Kajolli.

Kristjan Dukaj, gazetar e analist në Mal të Zi, mendon se të arriturat sa i përket lirisë e shprehjes në Mal të Zi, krahasuar me vendet e tjera të rajonit janë përafërsisht të njëjta.

“Duhet pranuar se Mali i Zi ka bërë hapa të duhur në këtë drejtim, edhe pse jo të mjaftueshme. Duhet pranuar gjithashtu, se vendet në tranzicion të përballura me nevojën e realizimit të reformave gjithpërfshirëse, nuk kanë arritur ende të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e plotë të lirisë së mediave. Nëse i referohemi të arriturave në Mal të Zi, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, mendoj se situata është përafërsisht e njëjtë. Në tregjet e vogla, arritja e pavarësisë së mediave, është më e vështirë, pasi në ato rrethana, nuk është e lehtë mbijetesa në hapësirën mediatike”, u shpreh Dukaj.

Borka Rudić, gazetare dhe sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Gazetarëve në Bosnje e Hercegovinë (BH), konsideron që në BH ka ende shumë probleme reale dhe shumë serioze me lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

“Bosnja dhe Hercegovina (BiH) ka probleme reale dhe shumë serioze me lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave. Megjithëse ka kornizën më të mirë ligjore për punën e mediave dhe të gazetarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, profesionistët e mediave në BiH janë vazhdimisht shënjestra e sulmeve, e presionit politik, e kërcënimeve me vdekje, e diskriminimit, cenzurimit dhe ndikimit të partive politike në punën e mediave publike”, thotë Rudić.

Lularta Buja

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM