Legjislacioni ekziston, por presionet e kërcënimet vazhdojnë
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dikur ishin pjesë e regjimeve komuniste, të ish-Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, respektivisht. Të gjitha janë ende në tranzicion, të detyruara t’i përmbushin kriteret që i shtron Bashkimi Evropian (BE). Matanë rangimeve dhe ligjeve, mund të shihen praktika të ndryshme të përdorimit të lirisë së shprehjes, e të cilat, më e pakta, mund të cilësohen si problematike.
Sa i përket shpifjeve dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes në vendin tonë, nuk është nevoja të ndërmendim raste konkrete. Në Kuvendin e Kosovës në vazhdimësi dëgjojmë akuza e kundërakuza të ndryshme nga deputetët, e po ashtu edhe fyerje e denigrim, për të cilat Prokuroria e shtetit duket se përton të ndërmarrë masa.
Gjuhë e nxitjes së urrejtjes promovohet shpesh edhe në rrjetet sociale të internetit, veçanërisht në Facebook.
Milica Sarić, kryeredaktore në Qendrën për Gazetari Hulumtuese të Serbisë (CINS) mendon se keqpërdorimet eventuale të lirisë së shprehjes mund të ndodhin dhe shpeshherë nga vetë mekanizmat shtetërorë që i mbështesin mediat financiarisht.
“Çdo e drejtë mund të kepërdoret, njësoj edhe liria e shprehjes. Ajo mund të abuzohet për shpifje të pabazuara me agjendat politike, ekonomike dhe të tjera. Sidoqoftë, mundësia e abuzimit nuk është aq e madhe sa një justifikim për të heshtur mediat. Në Serbi, mediat mbështeten nga fondet e shtetit, materialet ekskluzive dhe madje edhe frekuencat kombëtare, mirëpo shumica e popullatës së Serbisë nuk është në dijeni të ekzistencës, të punës së mediave profesionale dhe problemeve të këtyre mediave”, tha Sarić.
Njësoj mendon edhe Remzie Shahini Hoxhaj, profesoreshë e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
“Liria e shprehjes keqpërdoret në baza ditore për agjenda politike, ekonomike apo sociale dhe është shumë evidente, sidomos në kohën në të cilën jetojmë. Umberto Eco ka thënë se interneti ua ka dhënë mundësinë edhe budallenjve të krijojnë opinionin publik. Pajtohem plotësisht me thënien e tij, sepse sot njerëzit ndihen përgjegjës që të japin mendimet e tyre dhe i shprehin ato përmes rrjeteve sociale, duke e ndikuar dhe krijuar opinionin publik. Në sferën e mediave online, ne si shtet nuk kemi arritur ende mekanizma të kontrollit ose vetëkontrollit të mediave, prandaj shpesh kemi edhe joprofesionalizëm të mediave”, u shpreh ajo.
Situata të njëjta kemi edhe në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Engjëll Serjani, gazetar nga Shqipëria, mendon se tek ata mediat janë të ndërvarura nga politika, pushteti dhe biznesi.
“Në Shqipëri peizazhi i medias është i larmishëm, por mbizotëron situata e mediave të ndërvarura nga politika, pushteti dhe biznesi. Në këtë moment është shumë problem varësia ekonomike e cila qëndron mbi politikat editorialiste. Nuk bëhet fjalë për media të lira, po për media të përdorura”, thotë Serjani për KosovaLive.
Po ashtu, kemi raste të kërcënimit dhe kanosjes ndaj gazetarëve për punën e bërë, ashtu siç ndodh edhe në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sipas një analize të kryer nga Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS), në vitin 2018, gazetarët u sulmuan fizikisht shtatë herë, ishin 72 raste të presionit dhe 23 raste të kërcënimeve verbale.
Një raport mbi lirinë e medias dhe sigurisë së gazetarëve në Kosovë në vitin e kaluar, vuri në dukje 16 raste të sulmeve kundër gazetarëve, dy prej të cilave ishin fizike.
Sulmi me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala, kërcënimi me jetë i gazetarit Julian Shota, moszbulimi i autorëve të rrahjes barbare të gazetarit Elvi Fundo janë disa nga rastet e ndodhura në Shqipëri.
Një sulm ndaj një gazetari në qytetin e Banja Lukës, në Bosnje dhe Hercegovinë, ka shkaktuar protesta në të gjithë vendin. Incidenti shënoi sulmin e 41-të të raportuar kundër një gazetari në BeH në vitin 2018.
Në Maqedoni, u sulmua një gazetar duke mbuluar një ngjarje që shënonte festën e krishterë ortodokse të Epifanisë, sipas faqes lokale të lajmeve “Telma”.
Vitin e kaluar, Željko Ivanović, redaktori ekzekutiv i gazetës “Vijesti”, tha se ishin më shumë se 25 sulme ndaj gazetarëve dhe lokaleve të gazetave në Mal të Zi.
Borka Rudić, gazetare e sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Gazetarëve në Bosnjë e Hercegovinë ka treguar për KosovaLive rastet e sulmeve dhe kërcënimeve të ndodhura në vitin 2019 në BiH.
“’Free Line Help Media’, si një shërbim i veçantë ligjor brenda Shoqatës së Gazetarëve të BH, regjistroi 37 sulme ndaj gazetarëve nga janari deri në qeshor 2019. Midis këtyre rasteve ka pasur 6 sulme fizike kundër gazetarëve dhe ekipeve të mediave, 18 kërcënime e presione politike dhe 5 kërcënime me vdekje”, theksoi ajo.
Ka edhe raste të tjera kur gazetarët dhe qytetarët në pëgjithësi kërcënohen dhe sulmohen për lirinë e shprehjes, shumë raste nuk raportohen në polici, ose edhe nëse raportohen policia nuk merret seriozisht me to.
Lis Kabashi, student dhe banor i Prishtinës, ka treguar rastet kur është sulmuar dhe kërcënuar sa ka qenë aktivist i Lëvizjes “Vetëvendosje”.
“Unë mendoj se ka liri të shprehjes por varet kush flet e për kë flet. Unë kam qenë simpatizues i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe pjesë e protestave që i organizonin ata, kam dalë në shesh e kam bërtitur, gjithmonë kam kundërshtuar njerëzit që janë edhe sot pjesë e elitës politike, kam përdorur edhe fjalë fyese kundrejt Thaçit e Mustafës, e në çdo protestë kam qenë i sulmuar nga policia. Gjithashtu, para disa vjetve, kisha një llogari në Twitter, ky rrjet social nuk ka pasur shumë përdorues, mirëpo ata persona që i shihnin postimet e mia, më kërcënonin mua dhe familjen time. Unë nuk bëja asgjë, vetëm shprehja mendimin tim si një qytetar, i cili e ka këtë të drejtë. A kemi liri të mjaftueshme apo jo?! Mund të flisni e mund të shkruani çka të doni sepse e keni këtë të drejtë, por kërcënimet e sulmet duhet t’i prisni, madje duhet të prisni që personat të cilët i raportoni të mos dënohen. Nuk dua as të mendoj sa punë të vështirë bëjnë gazetarët”, tha Lisi.
Vullnet Krasniqi, gazetar e redaktor në gazetën online Insajderi, tregon që ka pasur kërcënime dhe se lidhur me dy prej rasteve që ka paraqitur në polici, ende nuk ka asnjë lajm.
“Ka ndodhur që më kanë ardhur kërcënime të ndryshme, por nuk i kam paraqitur në polici. Si gazetar satirik, autor i portalit satirik ‘Kukunews’, i kam paraqitur tri herë kërcënimet dhe sulmet. Kanë qenë dy kërcënime, njëri në rrugë dhe tjetri online, teksa sulmi ka qenë i drejtuar kundër faqes së ‘Kukunews’ në Facebook. Vetëm një rast i kërcënimit është marrë parasysh nga policia dhe prokuroria, dy të tjerët, ende që 2 vjet, nuk ka asnjë lajm lidhur me ta”, është shprehur Krasniqi.
Edhe gazetarja, Dafina Lata, deklaron se është kërcënuar disa herë, por nuk i ka paraqitur rastet në polici.
“Po, jam kërcënuar jo vetëm një herë, por disa herë. Rastet e tilla nuk i kam raportuar tek institucionet përkatëse ose nuk i kam paraqitur si rast, qoftë tek organet e sigurisë apo te ato të drejtësisë. Kërcënimet kanë ekzistuar dhe ekzistojnë kudo në botë për gazetarët, por kjo nuk do të thotë se gazetarët duhet të ndalen, përkundrazi duhet të vazhdojnë dhe t’iu tregojnë të gjithëve se thjesht janë duke e bërë punën e tyre”, thotë Lata.
Besnik Boletini, gazetar në Qendrën Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr po ashtu ishte kërcënuar dhe rastin e kishte paraqitur në polici, por ende nuk ka marrë ndonjë informacion lidhur me të.
“Gjatë punës së përditshme për këto dhjetë vjet sa merrem me gazetari kam pasur rastin të shkruaj apo të takoj persona dhe grupe të ndryshme të interesit. Ka pasur raste kur dikush pasi e kam intervistuar më ka thënë “ruaju se çka po shkruan”. Apo ndonjë rast kur më kanë shkruar ndonjë e-mail kërcënues. Një rast ka qenë kur e kam pranuar një e-mail me fyerje dhe me akuza të ndryshme. Atë e kam përcjellë në polici, por nuk kam marrë ndonjë informacion se si është trajtuar. Kërcënime edhe mund të ketë, por ato nuk do të ndikojnë asnjëherë që ne të heqim dorë nga ndonjë hulumtim që jemi duke e realizuar”, shprehet Boletini.
Gazetarja nga Mali i Zi, raportuese për UNICEF, Sofija Krivokapić, nga ana tjetër thotë se asnjëherë nuk ka marrë kërcënime.
“Nuk kam marrë asnjë kërcënim, as unë dhe as raportuesit e UNICEF-it, kështu që në përgjithësi jemi shumë të mbrojtur. Ne shkruajmë për tema sociale të rëndësishme, por nuk e drejtojmë gishtin për ta fajësuar dikë, veçanërisht jo politikisht”, thotë Krivokapić.
Raste të kërcënimeve ka pohuar që ka pasur edhe Milica Sarić nga Serbia.
“Kam marrë kërcënime përmes rrjeteve sociale dhe përmes disa kanaleve dytësore, por ajo që ndonjëherë dëmton më shumë është mungesa e fondeve për një jetë më të mirë. Serbia kalon përmes një çështjeje të lirisë së shtypit duke u mbytur, kryesisht përmes financimit të mediave. Ky është një kërcënim modern për shtypin e lirë të Serbisë”, thekson ajo.
Maja Živković, gazetare e redaktore në RTV Puls, Serbi tregon për disa kërcënime verbale ndaj saj.
“Nuk kisha ndonjë kërcënim direkt për shkak të teksteve të mia, por kam pasur disa raste të disa kërcënimeve të ashpra verbale, por faleminderit Zotit kanë mbetur vetëm kërcënime. Për mua dhe për secilin besoj, proceset politike janë më të vështirat për t’uraportuar. Mosrespektimi i shkrimit në këtë drejtim mund të ketë pasoja të rënda. Shoqëria e sotme ka shumë njerëz që nuk u pëlqen të dëgjojnë raportime të vërteta sepse e vërteta i dëmton pozicionet e tyre. Por, natyrisht një gazetar duhet të kërkojë gjithmonë të vërtetën, sepse ne jemi një dritare përmes së cilës qytetarët mund ta shohin botën. Ne ekzistojmë për shkak të lexuesve, shikuesve, dëgjuesve tanë dhe nuk duhet t’igënjejmë ata. Ata meritojnë të marrin lajme të sakta, objektive dhe në kohë”, ka thënë Živković për KosovaLive.
Sipas Borka Rudić, problemi kryesor i sulmeve dhe i kërcënimeve janë prokuroritë e gjykatat, të cilat nuk po e kryejnë punën e tyre në mënyrë efektive.
“Problemi kryesor është se prokuroritë dhe gjykatat nuk po e kryejnë punën e tyre në mënyrë efektive, nuk po kryejnë hetime profesionale dhe objektive, kjo është arsyeja pse vetëm 30% e krimeve të regjistruara ndaj gazetarëve dhe mediave zgjidhen në favor të tyre. Problemi është se as institucionet shtetërore nuk po punojnë në mënyrë efektive për ta mbrojtur lirinë e shprehjes. Ato as nuk e shohin lirinë e mediave dhe të drejtën e informacionit si një e drejtë themelore e njeriut dhe detyrim i shtetit për t’i arritur standardet e BE-së në këtë fushë”, shprehu shqetësimin Rudić.
Kërcënimet dhe sulmet a e cenojnë lirinë e shprehjes për gazetarët/qytetarët në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor
Sipas Boletinit, sulmet fizike dhe kërcënimet kanë një ndikim në lirinë e shrehjes dhe mund të ndikojnë te shumë gazetarë gjatë trajtimit të temave.
“Kjo sidomos në rastet kur ata nuk kanë përkrahje sa duhet edhe nga redaksitë ku punojnë. Siç dihet as policia dhe as gjykatat nuk janë treguar efikase në këtë drejtim”, thotë Besnik Boletini.
Vullnet Krasniqi mendon se gazetarët seriozë nuk lejojnë që kërcënimi dhe sulmi ta cenojnë lirinë e shprehjes.
“Mendoj se sulmet dhe kërcënimet mund ta cenojnë lirinë e shprehjes vetëm tek ata gazetarë që nuk e respektojnë dhe nuk e kuptojnë tamam lirinë e shprehjes. Megjithatë, një gazetar serioz, nuk lejon që kërcënimi dhe sulmi ta cenojnë këtë liri. Unë nuk i marr aspak seriozisht, as kërcënimet e as sulmet. Nëse dikush tregon se kërcënimet dhe sulmet kanë ndikuar te ta si gazetarë, atëherë e kanë humbur betejën me kërcënuesit dhe me sulmuesit. Atyre duhet treguar se nuk kryejnë punë metodat e tyre.”
Që kërcënimet dhe sulmet nuk e cenojnë lirinë e shprehjes mendon edhe Milica Sarić nga Serbia.
“Nuk besoj se kërcënimet dhe sulmet mund ta cenojnë lirinë e shprehjes, mund ta dëmtojnë vetëm vullnetin dhe forcën e luftës së përditshme për lirinë e shprehjes. Megjithëse, në çdo shoqëri të civilizuar kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve duhet të ndalen dhe një sjellje e tillë nuk duhet të tolerohet nga qeveria.”
Kristian Dukaj, gazetar dhe analist nga Mali i Zi, ndryshe nga të tjerët, mendon se sulmet dhe kërcënimet e cenojnë lirinë e shprehjes, duke ndikuar direkt në rolin e gazetarisë së lirë.
“Çfarëdo kërcënimi apo sulmi ndaj gazetarëve, kudo qoftë, e cenon lirinë e shprehjes dhe kjo, drejtpërdrejt, e kufizon rolin që duhet ta ketë gazetaria në shoqëri. Vetëm dënimet e ashpra ndaj atyre që kërcënojnë dhe sulmojnë, respektivisht rregullimi ligjor i kësaj çështjeje, mund të krijojë ambient më të sigurt për punën e gazetarëve dhe të mediave në përgjithësi.”
Borka Rudić nga Bosnja dhe Hercegovina pohon se kërcënimet dhe sulmet janë pengesa kryesore për lirinë e shprehjes.
“Kërcënimet dhe sulmet janë pengesa kryesore për lirinë e shprehjes në BiH. Gazetarët që janë çdo ditë nën presion politik dhe të kërcënuar, të cilët janë viktima të shpeshta të lëvizjes brenda mediave ose kur tekstet e tyre censurohen, nuk mund të kenë liri të shprehjes. BiH është vendi me gradën më të lartë në Ballkanin Perëndimor për sa i përket lirisë së mediave në vitin 2019 në mbulimin e ‘Reporterë pa Kufij’. Kjo për shkak se asnjë vrasje e gazetarëve nuk është regjistruar në BiH dhe ne kemi ligje të gjata, por praktikat e këqija të zbatimit të ligjit dhe sulmet e shpeshta të pandëshkuara ndaj gazetarëve, të cilat mbeten edhe sot të pandëshkuara, janë fakte që dekurajojnë dhe sugjerojnë që gazetarët në BiH nuk mund të kryejnë detyrat e tyre profesionale lirshëm, të sigurt dhe objektivisht.”
Që kërcënimet dhe sulmet cenojnë lirinë e shprehjes, mendon edhe gazetarja nga Serbia, Maja Živković.
“Sot është shumë vështirë të raportosh pa presion. Presionet janë të pranishme në të gjitha mediat. Kërcënimet dhe sulmet sigurisht që cenojnë lirinë e shprehjes. Ky është një problem global që as shoqëritë më të zhvilluara nuk po munden ta trajtojnë. Gazetarët janë gjithmonë ‘kokë në çantë’. Kjo është ajo që dua ta them për gazetarët e vërtetë, të cilët për hir të së vërtetës, do të shkonin në të gjithë rrugën duke rrezikuar veten. Prandaj, mendoj se kuadri ligjor duhet të ndryshohet, në mënyrë që të flasim lirshëm, mos të jemi në rrezik, por të jemi të mbrojtur me ligj.”
Sofija Krivokapić nga Mali i Zi mendon se sulmet dhe kërcënimet kanë ndikim në lirinë e shprehjes jo vetëm te gazetarët, por te secili qytetar.
“Po, natyrisht që sulmet dhe kërcënimet kanë ndikim te çdo qytetar, jo vetëm në vendin tonë, por në secilin vend. Asnjë person nuk duhet të marrë kërcënime, sidomos gazetarët e vërtetë të cilët janë lidhja mes publikut dhe të vërtetës, dhe e vërteta shpesh është e dhimbshme apo e fshehtë, në veçanti në Mal të Zi, kështu që, njerëzit e rëndësishëm, anëtarët e bandave shpesh po i kërcënojnë gazetarët.Nganjëherë rastet kanë të bëjnë me politikën, nëse një gazetar është politikisht neutral apo kundër qeverisë, zakonisht ai është objekt i komenteve të urrejtjes dhe kërcënimeve.”
Sara Kajolli nga Maqedonia nuk e sheh problem kërcënimin ndaj gazetarëve, por blerjen e gazetarëve apo korruptimin e tyre. Sipas saj, kjo është një strategji më e rrezikshme se kërcënimi.
“Duke pasur parasysh se gazetaria ka lindur si nevojë për kontrollimin e politikave të ndryshme dhe pasojave që ajo mund të krijojë në një shoqëri, mendoj se grupe të caktuara që merren pikërisht me këto politika për interesa personale mundohen që nëpërmjet kërcënimeve qofshin ato edhe vetëm verbale të ndikojnë në lirinë e gazetarëve, duke mos ua mundësuar shprehjen e lirë. Duhet të theksohet se kur dikush vendos të merret me gazetari duhet të jetë i guximshëm, thënë shkurt duhet të jetë trim për ta mbrojtur gjithmonë anën e drejtë. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut vitet e kaluara kemi pasur një tendencë interesante, sepse politika përveç që ka kërcënuar gazetarët, ka pasur një strategji që unë mendoj se është më e rrezikshme se kërcënimi, e ajo është blerja e gazetarëve apo korruptimi i tyre. Me këtë rast gazetarët i bëjnë dëm vetes dhe shoqërisë duke qenë pjesë e krimit dhe duke u fshehur nën petkun e ‘gazetarit’’, përfundoi Kajolli.
Lularta Buja