Një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës, tashmë të mpirë nga aktualiteti, nuk kanë ndonjë ndjesi të caktuar kur përdoren terme si “liria e shtypit” apo “liria e shprehjes”.
Jo fort larg, në vitet ‘90-ta, mungesa e lirisë së mediave ishte një ndër telashet kryesore me regjimin jugosllav që çoi në trazira politike.
Shqyrtimi i raporteve të përzgjedhura ka shpalosur që gjendja e lirisë së medias dhe e sigurisë së gazetarëve në pesë vitet e fundit nuk ka pësuar ndonjë ndryshim. Në raportet që bëjnë rangimin e vendeve, siç janë ato të Freedom House, IREX Media, Kosova vazhdon ta mbajë pak a shumë të njëjtën pozitë nëpër lista.
Freedom House vazhdon ta kategorizojë Kosovën si “pjesërisht të lirë”, ndërsa rangimi sipas Reporters without Borders (RSF) vazhdon të jetë gati-gati i njëjtë, me një ngritje të lehtë për pesë vende që nga viti 2012, një rimëkëmbje kjo që kur Kosova pati shënuar rënie të madhe në rangim në vitin 2010.
Që të dyja organizatat e sipërpërmendura reaguan në disa raste në vitin 2012 në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe integritetit të gazetarëve në Kosovë, duke iu bërë thirrje institucioneve që t’i hetojnë kërcënimet ndaj gazetarëve dhe duke i bërë apel Kuvendit të Kosovës që të del në mbrojtje të lirisë së shprehjes, duke i rishikuar dispozitat e diskutueshme të ligjit përkatës.
Agron Bajrami, kryeredaktor i së përditshmes“Koha Ditore”, mendon se në kohën e sistemit komunist nuk ka pasur shtyp të lirë.
“Një liri e cunguar, cenzuruar dhe e ndikuar nga pushteti”, shprehet ai
Në periudhën pas vitit 1997, kur gazeta “Koha Ditore” doli si gazetë e parë e pavarur dhe private në Kosovë, shqiptarët jetonin në një sistem paralel të cilin shteti pushtues Serbia nuk e rregullonte fare. Kjo ka bërë që në Kosovë të mos pengohen format e ndryshme të lirisë së shprehjes, siç ishte krijimi i partive politike, sindikatave të pavarura dhe mediave jashtë kontrollit të Serbisë.
Të flasësh apo të shkruash të vërtetën para luftës, sidomos atë që lidhej me rrethanat politike në Kosovë atë kohë, sipas tij ishte një gjë e rrezikshme.
“Shprehja e lirë dhe publikimi i të vërtetave të pakëndshme ka qenë i përndjekur. Në rastin tonë, “Koha Ditore” ka qenë e dënuar nga Serbia për publikimin e informacioneve dhe deklaratave që kishin të bëjnë me UÇK-në. Më pas një numër jo i vogël i gazetarëve ka qenë cak i sulmeve dhe i dhunës nga policia serbe, për shkakun e vetëm se ishin gazetarë shqiptarë”, tha Bajrami.
Sipas tij, shumicën e ngjarjeve të cilat ndodhën në Prishtinë në vitet 1974-1999, mediat e regjimit si në Kosovë, në Beograd ashtu edhe në Jugosllavi, tentonin t’i mbysnin në heshtje. Një protestë studentore që kishte ndodhur në atë kohë, gazeta “Rilindja” ia kushtoi vetëm dy-tre rreshta të marrura nga agjencia zyrtare “Tanjug”.
“Gjithkush kishte frikë të tregonte më shumë atë që po ndodhte”, tha Baton Haxhiu, gazetar në televizionin Klan Kosova, në dokumentarin e tij “Një çerek shekulli”.
Për Nehat Islamin, drejtor i Zyrës së Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, thotë se liria e shtypit është pakrahasim më e madhe pas luftës se para luftës.
“Para luftës së fundit në Kosovë ka pasur liri shumë të kufizuar të shtypit. Regjimi serb i mbylli në vitin 1989 të gjitha mediat në gjuhën shqipe. Gazetarët e Rilindjes së mbyllur me dhunë, filluan të shfrytëzonin titullin e revistës për bujqësi ‘Bujku’ për ta botuar një ‘Rilindje’ të re, por me emër tjetër. Për botimin e ‘Bujku’-t nuk nevojitej leje nga Beogradi, pasi ‘Bujku’ ishte e regjistruar që nga vitet e 70-ta”, rrëfen Islami.
Ai rrëfen se si gazetarët dëboheshin nga mediat, nga vendet e tyre të punës dhe mbeteshin pa paga, e ata që vazhdonin punën e tyre, kërcënoheshin, maltretoheshin, rriheshin, burgoseshin.
“Beogradi është përpjekur me dhunë duke burgosur gazetarët shqiptarë t’ua imponojë politikat e veta, por nuk ka pasur sukses, sepse qëndresa e gazetarëve si dhe e mbarë popullit kundër robërisë është shprehur si në jetën e përditshme ashtu edhe në shkrime”, tha Nehat Islami.
Sipas Agron Bajramit të “Kohës Ditore”, në Kosovë para dhe gjatë luftës nuk ka pasur media që kanë raportuar dhe kanë qenë të dirigjuara nga Beogradi. Por, natën kur nisën bombardimet, policia serbe e dogji shtypshkronjën e ‘Kohës Ditore’, hyri me dhunë në zyret e saj dhe aty vrau rojën dhe shkatërroi të gjitha paisjet.
Në një hulumtim të Kosovo 2.0 doli se shumë gazetarë në Kosovë besojnë se situata nuk ka ndryshuar në krahasim me vitet e kaluara dhe se po vazhdon trendi i presionit, i sulmeve e madje edhe sulmeve të armatosura. Ata, megjithatë ende besojnë se rezistenca ekziston dhe se presioni aplikohet nga gazetarët kundër institucioneve, në mënyrë që këto të fundit të paktën të kryejnë punën e tyre si duhet.
Bajrush Morina, redaktor në gazetën “Bota Sot” pajtohet rreth dallimit mjaft të madh në lirinë e shtypit para dhe pas luftës.
“Para luftës ka pasur mungesë të lirisë së shprehjes në gjuhën shqipe për shkak të regjimit komunist dhe diktatorial serb. Pas luftës ka një ‘vetëcenzurë’ që imponohet nga shumë faktorë, si varshmëria financiare dhe orientimet politike”, konsideron ai.
Në listen e arsyeve që në njëfarë mënyre e justifikojnë kufizimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave ai shton…
“Janë shumë, mbi të gjitha ndikimet politike, varshmëria materiale dhe marketingu”
Merita Azemi
Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Mediatnik i cili financohet nga BE-ja, menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga BIRN dhe AGK.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve