Build Skills with our trainings

Sign up now!

Trashëgimia për gratë luhatet ndërmjet zakoneve dhe ligjit

Jan 4, 2020

B.K, 50 vjeçare nga Prishtina pohon se kishte  luftuar vite me radhë që të merrte të drejtën për trashëgimi, por këtë të drejtë ia kishin mohuar vëllezërit e saj. Babai, i cili kishte ndërruar jetë,  ua kishte lënë trashëgiminë vetëm djemve të familjes, ndërkohë që ajo kërkonte që trashëgimia të ndahej në pjesë të barabarta, në të kundërtën do t’iu drejtohen organeve kompetente.

“Pasi që nuk e kisha përkrahjen e nënës, ajo nuk deshi të vazhdojë këtë procedurë me ligj, sepse mendonte që kjo do t’i acaronte marrëdhëniet mes meje dhe vëllezërve të mi, dhe kështu që kam hequr dorë nga trashëgimia”, thotë ajo.

Heshtja e B.K lidhet me dëshirën e saj për qasje në trashëgimi, por lidhet edhe me mosinformimin e qytetarëve për të drejtën e trashëgimisë. Rrugën drejt informimit për trashëgimi, gratë në Kosovë, shpeshherë e marrin vetëm kur ndeshën me probleme.

Këtë e pohon edhe avokati nga Oda e Avokatëve të Kosovës, Avdullah Hoti.

“Deri më tani në rastet që ka pasur në procedurat kontestimore gratë zakonisht informohen vetëm kur paraqesin ndonjë kërkesë për realizimin e së drejtës  së tyre pasurore, gjegjësisht procedimin e trashëgimisë.  Mirëpo, sa i përket trashëgimisë në kuptimin procedural nuk kanë qenë të informuara parapraktisht për arsye të drejtave zakonore e patriarkale të familjeve”, thekson Hoti.

Një rast tjetër mjaft i njohur, ai i Shyhrete Berishës, dallon meqë ajo kishte vendosur të mos heshte dhe për të drejtën e saj kishte luftuar për 17 vite. E mbijetuara e masakrës të Suharekës të vitit 1999, në të cilën u humbi bashkëshortin dhe katër fëmijët e saj, pas luftës nuk kishte mundur të jetojë në shtëpinë e saj. Kunetët nuk e lejonin të qëndronte më në këtë shtëpi me arsyetimin se burri  dhe fëmijët i kishin vdekur  dhe shtëpia më nuk i takonte. Ajo nisi një betejë gjyqësore duke i paditur kunetët e saj. Pas insistimit të Shyhretës, kunetët e saj i ofruan para në vlerë të shtëpisë, por ajo nuk pranoi. Pas 17 viteve, Shyhrete Berisha e fitoi të drejtën t’a gëzojë shtëpinë ku kishte jetuar me bashkëshortin dhe fëmijët e ndjerë.

Se rasti i  Berishës nuk është i vetmuar dhe rastet e ngjashme shpesh zhagiten me vite të tëra dëshmon edhe avokati Avdullah Hoti, i cili rikujton se gjykatat në Kosovë janë të stërngarkuara me lëndë të tilla edhe për shkak të kontekstit.

“Nuk është faji i gjyqtarëve apo i avokatëve, por këto lëndë  vonohen për shkak të volumit të lëndëve, edhe pse Republika e  Kosovës është dashur t’i jep prioritet lëndëve të trashëgimisë”, thotë – Hoti.

Arjeta Gashi është nga gratë e pakta në Kosovë që gëzon trashëgimi nga ana e prindërve.

Pjesëmarrjen në trashëgimi sikur Arjeta, sipas Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, e gëzojnë vetëm 17.3% e grave në Kosovë.

Sociologu nga Ministria e Drejtësisë, Tefik Halili, rrëfen se ka shumë raste kur gruas nuk i jepet e drejta e trashëgimisë, e ndër arsyet kryesore sheh edukimin dhe dallimet që bëhen në shoqërinë tonë – ndyshe sillemi me vajza ndryshe me djemtë, të cilët janë më të privilegjuar.

“Hezitimi për të diskutar çështjen e trashëgimisë familjare nga gratë ndërlidhet ngushtë me rolin e tyre kulturor e zakonor në shoqërinë shqiptare. Historikisht burrat kanë qenë bartësit e trashëgimisë, pasi që ata janë kujdesur për prindërit, kur vajzat janë martuar për familjet e tjera dhe për këtë pritje kanë qenë që e gjithë pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme t’ju shkojë atyre”, thotë ai.

Sipas avokatit Hoti, kjo mendësi kulturoro-zakonore fatkeqësisht është bartë mes gjeneratash, përkundër evolumit të rolit të gruas në shoqërinë shqiptare. Edhe në ditët e sotme, kur nga gratë pritet të bëjnë punë, përtej atyre shtëpiake/amvisore, të kujdesen për fëmijët dhe të udhëheqin familjen në mënyrë të barabartë, trashëgimia përsëri vazhdon të ndahet jo e barabartë, me pjesën më të madhe  apo të tërësishme duke i’u dhënë djemve burrave të shtëpisë.

Edhe sociologu Halili pajtohet me ndërlidhjen e kësaj dukurie me të drejtën zakonore dhe patriarkale dhe edukatën në baza kanunore, por shton se këtë diskriminim e bëjnë edhe vetë gratë.

“Gratë janë vetë  fajtore për fatin e tyre në trashëgimi në mosavancimin e tyre dhe kjo ndikon në mosinformim. Problem sekondar në këtë aspekt është se dhe vetë gruaja e diskriminon gjininë e vet. Ka raste ku gruaja, në qoftë se ka vetëm vajza, vazhdon të lind fëmijë deri sa të ketë një djalë, dhe ajo vetë e diskriminon gjininë e vet’’, thotë Halili.

Shumë nga zakonet e traditat tona janë ngritur mbi bazën e Kanunit të  Lekë Dukagjinit, duke qenë ligji vetëm i shekullit XIX.

“Grueja shqyptare fare trashigimit s’ka te prindja , as në shpi, as në plang –kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi. Prindja s’mendon për pajë as për kurnji send për vajzë të vet: qi e xen do t’i a boj  kujdesin. Prindja e djalit , qi e xun vajzën do të mendojnë për gjithë shka duhet për martesë të saj”, shkruan mes tjerash në Kanun.

Ky, ndërkaq nuk ishte i vetmi ndikim në shoqërinë tonë kur është në pyetje trashëgimia – kultura jonë është ndikuar në masë edhe nga feja Islame që nga shekulli 14-të. Por, për dallim nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, feja Islame e parasheh të drejtën e trashëgimisë tek femra në një masë të caktuar.

“…për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre u takojnë dy të tretat e pasurisë  që trashëgohet; nëse është një femër, asaj i  takon gjysma; për prindër, për secilin nga ata, u takon e gjashta nga ajo që u ka lënë (i vdekuri) nëse ka fëmijë; e në qoftëse nuk ka fëmijë (i vdekuri) e atë trashëgojnë (vetëm) prindrit, atëhere nënës së tij i takon një e treta; në qoftëse i vdekuri ka vëllezer, nënës së tij i takon vetëm një e gjashta(kjo e drejtë në trashëgimi bëhet) pasi të kryhet testamenti (vasijeti)…” shkruan mes tjerash në njërin prej ajeteve të Kuran-it.

Krishterizmi e trajton femrën  si qenie njerëzore në tri nivele, personale, familjare dhe shoqërore, dhe si të tillë ia njeh të gjitha të drejtat dhe liritë e barabarta me mashkullin.

Në legjislacionin e Republikës së Kosovës trashëgimia familjare është obligative që të ndahet në mënyrë të barabartë.

“Të gjithë personat fizikë në kushte të njëjta janë të barabartë në të drejtën e pronës”, thotë paragrafi 1 i Nenit 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sipas Ibadete Maxhuni Rexhepit, zyrtares së Agjencisë Kadastrale të Kosovës, të drejtat e grave mbeten një nga sfidat kryesore për zhvillimin e shoqërisë së Kosovës, në veçanti e drejta e tyre në pronë dhe trashëgimi.

“Duke u bazuar në statistikat e AgjencisëKadastrale të Kosovës, numri i vajzave/grave që trashëgojnë pronë është shumë i vogël. Mirëpo, regjistrimi i dy partnerëve po vazhdon të rritet si efekt i  Udhëzimit Administrativ të Kosovës për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve i cili është në zbatim që nga viti 2016”, thotë për KosovaLive, Ibadete Maxhuni Rexhepi.

Megjithatë, nga statistikat e Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ende vërehet disbalanca e dukshme në ndarjen gjinore të pronësisë: nga gjithsej 546,046 pronarë të evidentuar më 2019,  440,268 ose 80.63% janë pronarë të gjinisë mashkullore,  e vetëm 94,961 ose 17,39% të gjinisë femërore.

Naxhije Jonuzi

Artikulli dhe video janë  prodhuar nga KosovaLive në kuadër të programit “Internship & Mentorship”.

Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e KosovaLive.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM