Build Skills with our trainings

Sign up now!

Leximi, një shprehi e “trashëguar” apo…!?

Jan 9, 2020

Prindërit që lexojnë 1 libër me fëmijët e tyre çdo ditë u sigurojnë fëmijëve të tyre ekspozim me  rreth 78,000 fjalë çdo vit, zbulon një studim nga  Jessica A. R. Logan, nga Universiteti Shtetëror i Ohios.

Bazuar në hulumtimet e OJQ Etea, që ka për qëllim themelor edukimin publik, 47.4% e nxënësve nuk iu kujtohet hera e fundit kur kanë parë babain ose nënën duke lexuar, lëre më të iu lexojnë atyre,  ndërsa 6.2% e tyre i kanë parë prindërit duke lexuar vitin e kaluar.

Hulumtimet në nivel nacional, konfirmojnë një marrëdhënie të zhdrejtë të shoqërisë kosovare me kulturën e të lexuarit – leximi është shumë i mangët, dhe vazhdon të zbehet.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në vitin 2018 numri i lexuesve të regjistruar në biblioteka ishte 156,533: një vit më parë kishte gjithsej 158,176 lexues të regjistruara, përderisa më 2016, kishte mbi 100 mijë lexues më shumë.

Fatime Mehmetaj, shefe e bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, në Prishtinë, thotë se numri i lexuesve gjatë dy viteve nga 2017 në 2018 ka rënë drastikisht.

“Biblioteka e qytetit të Prishtinës “Hivzi Sylejmani” gjatë vitit 2017 kishte 9,750 lexues, ndërsa në vitin 2018 kishte 6,290 lexues”, thotë Mehmetaj për KosovaLive

Sebahate Çavdarbasha, punëtore në shtëpinë e librit “Dukagjini” në Prishtinë nuk pajtohet me pohimin se nuk ka lexues, përkundrazi flet me shumë optimizëm për sa i përket trendit të leximit në kryeqytet. Sipas saj, frekuentimi në librari është shumë i kënaqshëm, e frekuentojnë njerëz të moshave të ndryshme.

“Ne jemi, shumë të kënaqur. Te ne frekuentojnë prej moshave më të vogla mund të  them prej foshnjave e deri te moshat e shtyera”, thotë Çavdarbasha.

Rënia e lexueshmërisë së librave dhe gazetave të shtypura në Kosovë me gjasë se po ndikohet në masë të madhe nga transformimi teknologjik – tani, për dallim nga më herët, çdo njëri ka qasje për  informata në telefon e në laptop, përmes internetit.

Edhe pse gjithnjë e më shumë po i nënshtrohemi dixhitalizimit dhe se këndejmi libri i shtypur po përballet me çështje që po ia “kërcënojnë” të ardhmen, lexuesit sikur ende po u qëndrojnë besnik librave të shtypur. Vetëm 20% e lexuesve në SHBA deklarojnë se lexojnë më shumë libra elektronikë sesa libra të shtypur.

Ani pse teknologjia është zhvilluar prapë shihet një dominim i librit të shtypur. Sipas një hulumtimi, në SHBA, 81% e të rriturve nga 18 deri 29 vjeç kishin lexuar një libër në çfarëdo formati të një viti më parë.

Bazuar në hulumtimet e OJQ Etea, edhe nxënësit  kosovarë më shumë preferojnë librat e shtypur – vetëm 6.71% e tyre lexojnë libra në formë eletronike.

Hulumtimi për lexueshmëri nga Organizata Joqeveritare “Etea” (Prill, 2018)

“Mediat sociale, teknologjia, telefonat e mençur na kanë bërë dembel, në vend se të krijojnë një platformë shtesë për të lexuar”, thotë Rrahman Paçarizi, profesor i Gjuhës Shqipe dhe Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Përderisa tekstet nga plan-programe e lëndëve të shkollave dhe fakultetit lexohen për shkak të obligimit, të rinjtë, nëse lexojnë, preferojnë më shumë të lexojnë libra të tjerë, autorë bashkohorë ose romane rozë.

Sipas Fatime Mehmetaj, shefe e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, numrin më të madh të lexuesve e përbëjnë studentët, dhe gjatë periudhës së provimeve në ditë ka 500 lexues.

Sipas raporteve hulumtuese mbi lexueshmërinë në OJQ Etea nga prilli i vitit  2018, në arsimimin parauniversitar, 72.29% shkollarët e mesëm lexojnë jashtë planprogramit mësimor me vullnetin e tyre ndërsa 27.71% e tyre nuk lexojnë.

Hulumtimi  për lexueshmëri nga  Organizata Joqeveritare “Etea” (Prill, 2018)

M.E, 22 vjeçar nga Ferizaj, student i Degës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës, tregon se lexon vetëm literaturën e fakultetit.

“Literaturën nga silabusi e lexoj, por vepra e romane nuk lexoj sepse nuk i kam në qejf dhe pritoj të lexoj”.

Qasja e lehtë në informata në telefona po i demotivon të rinjtë të lexojnë libra të shtypur e të gjatë, por 21 vjeçari, Ardit Mehmetaj nga Klina, student i Degës së Gjuhës dhe Letërsisë  në Universitetin e Prishtinës thotë se literatura sipas silabusit më shumë është detyrë se qejf, ndërsa kjo që lexon “jashtë silabuseve vetëm detyrë s’është”.

“Hapësirën e lirë kohore e plotësoj me libra e autorë bashkëkohorë që përkojnë me shijet që kam”, thotë ai.

Profesoresha e gjuhës angleze në Zas Trade, 26 vjeçarja Uresa Hasani, tregon se përveç librave akademik, kur lexon për kënaqësi, lexon vetëm romane rozë dhe bestsellerë gjë për të cilën shpesh kritikohet nga shoqëria,“se nuk janë libra të mirëfilltë”.

Përderisa, leximet semantike, të bëra për relaksim, janë më të preferuarat tek lexuesit e tanishëm, shihet qartë se ka një mungesë të leximeve semiotike, për studime më të thella për tema të caktuara.

Agron Gashi, ligjërues në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e Re” konsideron se librat rozë janë vetëm për të ushtruar leximin ndërsa kurrë nuk e lejojnë të kalojnë në libra të mirëfilltë.

“Nëse në familje ke libra të seleksionuar çfarëdo natyre qofshin, leximi kultivohet dhe nëse nuk është kultivuar atëherë lexojnë Nicholas Sparks, Daniele Steel etj., që janë lexime të vonuara, prandaj përpiqen të mbulojnë një boshllëk. Nëse ke lexime letrare nuk është që patjetër merr dije dhe shndërrohesh në enciklopedi, apo bëhesh erudit, por megjithatë krijon shprehinë, durimin për studime dhe natyrisht krijon kulturën dhe të shprehurit dhe të komunikimit dhe mbi të gjitha kulturën e shkrimit”, thotë Gashi.

Në kryeqytet duket se prindërit janë më të informuar se sa ka rëndësi familja në  krijimin e shprehisë së të lexuarit. Sebahate Çavdarbasha tregon se prindërit me fëmijë në librarinë “Dukagjini” vijnë gjithmonë dhe e sheh që ka ndikim sepse i motivojnë për të lexuar.

Rolin e familjes në  krijimin e shprehisë  së  të  lexuarit e thekson edhe profesori Rrahman Paçarizi.

“Nëse fëmijët e mi nuk rriten në një ambient ku shohin libra ata nuk e krijojnë as shprehinë e të lexuarit, unë kot i them fëmijës tim për shembull lexo nëse ai nuk më sheh duke lexuar, kur ai më sheh duke lexuar ai do të ketë komunikim tjetër me mua, dhe do të përpiqet të komunikojë me mua përmes leximit, domethënë e ngrisin standardin e komunikimit dhe kur ngritet standardi i komunikimit ia krijon tjetrit nevojën për të lexuar, kështu lind nevoja në familje”.

Vanesa Zhugolli

Artikulli dhe video janë  prodhuar nga KosovaLive në kuadër të programit “Internship & Mentorship”.

Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e KosovaLive.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM