Build Skills with our trainings

Sign up now!

Lugina e Preshevës e sheh reciprocitetin si zgjidhje për mirëqenie

Jan 13, 2020

Secilin 28 nëntor, administrata komunale e Bujanocit, qytet ky afër vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, e i cili banohet me shqiptarë, serbë dhe romë, e vendos gati fshehurazi flamurin shqiptar, në shenjë feste për Ditën e Flamurit, kryesisht në një interval të shkurtër kohor. Dhe pas një apo dy orëve, të njëjtit e heqin prapë flamurin kuq e zi, për të pasur një shans të shpëtojnë nga gjobat që i shqipton Serbia nëpërmjet autoriteteve të saj.

Dënimi për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar dhe të flamujve të atyre pakicave që nuk e kanë ende të rregulluar me ligj çështjen e përdorimit të simboleve të tyre kombëtare në Republikën e Serbisë, sipas nenit 22b të Kushtetutës së kësaj Republike shkon deri në 1.200 euro. Këshilli Kombëtar Shqiptar paguan përafërsisht diku deri në 800 euro dënim për përdorimin e Flamurit kombëtar shqiptar në rastin e festës së Ditës së Flamurit.

“Jemi të gatshëm me vetëdije të përballemi edhe me ligjin dhe të gjitha ato që na vijnë nga prokuroria, sepse konsiderojmë se është më e rëndësishme të theksojmë se çfarë jemi, të theksojmë të vërtetën, se sa të fshihemi pas dënimeve”, shton kreu i institucionit më të lartë politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa.

Kërkesat e vazhdueshme të lidershipit shqiptar për shqyrtimin e përdorimit të simboleve, hasin në vesh të shurdhër nga ana e Serbisë, ngase sipas nenit 16 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, “simbolet kombëtare nuk mund të jenë të ngjashme me atë të ndonjë shteti tjetër”.

“Sa i përket çështjes së simbolit kombëtar, ne e kemi bërë që në fillim të qartë se simboli kombëtar është ai që është dhe ne nuk e kemi as mandatin e as autorizimin për ta ndryshuar atë, andaj nuk do të bëjmë asgjë në këtë drejtim. Për më tepër Serbia është i vetmi vend nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, e cila e ka ndaluar përdorimin e flamurit tonë kombëtar, me pretekstin se i ngjanë një flamuri të një shteti tjetër. Por, ne jemi të vendosur se nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë qoftë simbolet apo qoftë të gjitha ato veçori që përcaktojnë identitetin tonë kombëtar të ndryshohen, apo të lakohen ndryshe nga ato që janë”, thotë Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Problemin e përdorimit të lirshëm të flamurit kombëtar që e kanë shqiptarët etnik në Serbi, nuk e kanë edhe pakicat tjera të cilat këtë çështje e kanë zgjidhur me kohë. Pakica hungareze dhe disa pakica tjera në Serbi e kanë tejkaluar këtë problem me disa ndryshime me ç’rast flamurin që është në përdorim në Serbi e dallon nga ai i shtetit amë.

Mustafa ilustron ironinë se si kjo çështje është e rregulluar në Serbi.

 “Pakica hungareze e ka zgjedhë flamurin i cili daton nga koha e AustroHungarisë, që ka përcaktuar rajonin e Vojvodinës si pjesë të saj, kështu që flamuri i tyre mund të themi se ka pretendime territoriale në këtë drejtim. Nëse e shohim flamurin e pakicës kroate, ata kanë bërë ndryshimin e fushës së shahut dhe e kanë lënë “banovinën” siç i thonë ata, e cila përbën pjesën hapësinore  që shtrihet në  Serbi, por që do duhej të jetë pjesë e Kroacisë. Pra, pakicat që kanë ngjashmëri me ne kanë adaptuar flamuj, që korrespondojnë me komunitetin dhe kanë një lidhshmëri historike me shtetet amë. Tek ne këtu nuk njohim ndonjë simbol tjetër përveç flamurit tonë kombëtar, i cili na ka simbolizuar dhe na ka përceptuar neve si shqiptarë”, shton mes tjerash Mustafa.

Deputeti në Parlamentin e Republikës së Serbisë, ndryshe kryetar i degës së Partisë Përparimtare Serbe  të  presidentit Aleksandar Vučić, në Bujanoc, Nenad Mitrović arsyeton zvarritjen e problemit të përdorimit të flamurit shqiptar.

 “Edhe kur isha këshilltar komunal e kam potencuar shpesh se bashkësia etnike shqiptare ka të drejtë ta përdor flamurin e saj kombëtar, por që duhet ndryshuar nga ai i shtetit amë me një kërkesë, propozim që Këshilli Kombëtar Shqiptar t’ia adresojë Ministrisë së Administratës shtetërore dhe vetadministrimit lokal. Mirëpo, ata një gjë të tillë nuk e kanë bërë, duke këmbëngulur që flamuri kombëtar të mos ndryshohet nga ai i shtetit të tyre amë. Por, ligji në Serbi është i përpiktë dhe nuk lejon përdorimin e një flamuri të shtetit të huaj, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjitha pakicat që jetojnë dhe veprojnë në Serbi”, thekson Mitrović duke insistuar se duhet diskutuar bashkërisht “çdo problem që na preokupon dhe duhet të gjejmë zgjidhje afatgjate “

Përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë u përfshi gjatë vitit 2002. Me Nenin 79 të Kushtetutës së Serbisë lejohet përdorimi i gjuhës së pakicave nëpër institucionet komunale dhe ato shtetërore, por gjuha shqipe në Luginë të Preshevës dhe më gjerë, në praktikë nuk zbatohet. Nëpër dokumentet zyrtare e shtetërore si në gjykata, polici, kadastër, gjeodezi, doganat, etj, gjuha shqipe nuk respektohet, ndërkohë që edhe në organet komunale, në mungesë të përkthyesve, ajo shpesh lihet pas dore.

“Përdorimi i gjuhës shqipe në këtë rast është i rregulluar me konventën evropiane mbi përdorimin e gjuhëve të pakicave dhe gjuhëve rajonale, e adaptuar në ligjin në kuadër të Republikës së Serbisë, e cila thekson se në çdo njësi administrative e cila ka mbi 15%  të bashkësisë etnike, do të duhej të jetë gjuhë zyrtare gjuha e asaj pakice. Fatmirësisht në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, me statutin e këtyre komunave është i rregulluar me ligj përdorimi i gjuhës zyrtare shqipe, mirëpo kemi probleme të jashtëzakonshme me përdorimin e gjuhës zyrtare nga institucionet e nivelit republikan që funksionojnë në nivel lokal, ngase ata as nuk kanë punësuar shqiptarë të cilët e njohin gjuhën shqipe, ashtu siç e thekson ligji”, thotë Mustafa i KKSh-së.

Sipas tij, mohimi i përdorimit të gjuhës zyrtare është një shkelje e rëndë e Konventës Evropiane mbi Gjuhët Rajonale dhe Gjuhët e Pakicave si dhe një shkelje e rëndë mbi përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në kuadër të statutit të komunës dhe ligjeve në fuqi.

Ka vite që shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës, ballafaqohen me mungesën e teksteve shkollore, të cilat nuk lejohen të sillen nga shteti amë Shqipëria apo edhe Kosova, sepse arsimimi në këto komuna zhvillohet sipas plan-programeve të Serbisë.

“Në këtë drejtim, ka një kohë të gjatë që ne nuk kemi tekste, dhe tashmë bëhen 10 vite të Këshillit Kombëtar Shqiptar, që ekziston, e si masë urgjente kemi theksuar se do të duhej të importohen tekstet nga Republika e Shqipërisë, dhe në këtë drejtim kemi fokusuar të gjitha energjitë tona dhe kemi pas arritur që t’i takojmë edhe ministrat gjegjës në Bujanoc, si ministrja e Arsimit të Republikës së Shqipërisë Besa Shahini dhe ministri i arsimit të Republikës së Serbisë, Mladen Sarcevic. Në këtë drejtim ata janë takuar edhe në disa konferenca ministrave, në të cilat është diskutuar ekskluzivisht edhe çështja e teksteve mësimore”, shprehet Mustafa.

Edhe deputeti Nenad Mitrović e sheh si çështje serioze mungesën e teksteve mësimore në gjuhën shqipe.

“Plotësisht pajtohem se nuk është në rregull, që nxënësit shqiptarë të mësojnë nga librat e botuara në vitet 60-ta e 70-ta dhe mendoj se këta fëmijë meritojnë të kenë libra adekuate për mësim. Kjo nuk varet vetëm nga Republika e Serbisë, e cila nuk duhet të fajësohet se është duke bërë pak në këtë drejtim, por edhe nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, i cili duhet të ofrojë listën e librave nga Republika e Shqipërisë, në harmoni me ligjet e arsimimit në Serbi”, shprehet ai.

Mitrović kujton edhe qëndrimin e presidentit Vucic, i cili gjatë vizitës në Preshevë dhe Bujanoc, në vitin 2015, kishte deklaruar se problemi i teksteve mësimore do të zgjidhej me ndihmën e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë.

Probleme ka edhe në arsimin e lartë arsimor meqë nuk janë duke u zbatuar disa nga marrëveshjet nga dialogu teknik Kosovë–Serbi (2011–2012), siç është edhe njohja e diplomave universitare. Universitetet në Serbi dhe punëdhënësit vazhdojnë të mos i pranojnë si të vlefshme diplomat e studentëve të cilët studiojnë në Kosovë.

 “Sa i përket pranimit të diplomave nga Republika e Kosovës edhe me tej hasim një refuzim të ashpër ndaj njohjes së diplomave nga autoritetet e Beogradit”, thotë Mustafa, i cili beson se kjo çështje do të qartësohet në marrëveshjen finale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Deputeti Mitrović konsideron se procesi i njohjes së diplomave ka stagnuar për shkak ndërprerjes së bisedimeve Beograd-Prishtinë.

“Mendoj se me vazhdimin e bisedimeve në mes këtyre dy qendrave, problemi i nostrifikimit të diplomave do të kryhet. Kuptohet se deri tash janë njohur vetëm ato diploma me vulë të UNMIK-ut, për shkak se është garantuesi dhe mbikëqyrësi i situatës në Kosovë, e me fillimin e procesit të dialogut mendoj se do të gjendet një zgjidhje edhe për diplomat tjera”, shton Mitrović.

Por, pos (mos)përdorimit të flamurit, gjuhës dhe arsimit, probleme ka edhe gjetkë – shqiptarët në Serbi po shlyhen edhe nga regjistrat e gjendjes civile dhe po iu pasivizohen vendbanimet, kryesisht atyre që banojnë përgjatë vijës së kufirit me Kosovën (Malësia e Bujanocit, Karadaku i Preshevës dhe fshatrat e Medvegjës).

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani  thotë  se kjo problematikë është ngritur në parlament, sikur edhe në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe në Këshillin për Drejtat e Njeriut.

“…shteti i Serbisë i përdorë disa metoda sa i përket kësaj çështje duke pretenduar se ka mbulesë ligjore për ata njerëz të cilët me të vërtetë nuk jetojnë në Serbi. Institucionet gjegjëse, respektivisht organet e policisë, kanë të drejtë t’i çojnë në verifikim deri në tri herë shqiptarët për të cilët dyshon se nuk banojnë më në Serbi. E nëse për ndonjë arsye këta banorë nuk gjenden në vendbanimet e tyre, atëherë mbushet procesverbali që banori/ja e atij vendi nuk jeton aty, meqë tri herë ka qenë e verifikuar. Në këtë aspekt njerëzit tanë do të duhej me qenë pak më të kujdesshëm”,  thotë Hasani.

Përkundër kërkesave të vazhdueshme të spektrit politik dhe institucional shqiptar, përfshirë edhe shoqërinë civile, në adresë të Beogradit dhe faktorëve ndërkombëtarë, problemet e shqiptarëve të këtij rajoni nuk po zgjidhen, por po komplikohen edhe më shumë.

Sipas Belgëzim Kamberit, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut – Preshevë, pavarësisht nga ngritja dhe alarmimi për shkelje të të drejtave të njeriut, qeveria e Serbisë dhe organet ekzekutive të saj nuk ndërmarrin veprime.

“Nëse e shihni, ne, sidomos në Luginë të Preshevës, në përgjithësi qytetarët, por në veçanti shqiptarët, vazhdojmë ta kemi të njëjtin diskriminim që nga viti 2001 dhe qeveria serbe nuk ndërmerr asgjë përveç se jep deklarata të cilat shpesh herë mund të tingëllojnë bukur për faktorin ndërkombëtar, por nuk ka vendime konkrete dhe fatkeqësisht kjo ndikon edhe negativisht edhe te organizatat si kjo e jona, e cila nganjëherë krijon mendime se është e pafuqishme”, thotë Kamberi i KDNj-së.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës më 1 dhe 2 mars 1992 organizuan Referendumin për “Autonomi territorialo-politike me të drejtë bashkimi me Kosovën”, ndërkohë që konflikti i armatosur mes forcave serbe dhe atyre të UÇPMB-së përfundoi me Marrëveshjen e Konçulit të vitit 2001. Periudha e pas konfliktit në Luginën e Preshevës vazhdoi me protesta, greva e peticione, gjithnjë në kërkim të përmirësimit të statusit politik të shqiptarëve të këtyre anëve, por që nuk reflektuan pozitivisht për avancimin e të drejtave të tyre. Në këtë drejtim është kërkuar edhe përkrahja institucionale e Tiranës dhe Prishtinës, për të bërë presion te ndërkombëtarët dhe Beogradi, për t’i dhënë fund diskriminimeve ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Politikanët shqiptarë në Luginë të Preshevës vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e shqiptarëve në Serbi, duke insistuar në reciprocitet në të gjitha sferat. Me reciprocitet ata nënkuptojnë të gjitha të drejtat që gëzojnë banorët serbë në Kosovë, t’i kenë edhe banorët shqiptarë në Serbi, e cila, ndryshe, është nënshkruese edhe e Konventës Kornizë e cila garanton mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.

Prania e shtuar e policisë dhe e xhandarmërisë serbe në zonat shqiptare të Luginës së Preshevës është tregues i vazhdimësisë së jostabilitetit të këtij rajoni, dhe frikës së shqiptarëve të atjeshëm nga kthimi i mundshëm i incidenteve të dikurshme, përjetimin e sërishëm të të cilave nuk e do  askush.

Driton Hyseni

Artikulli dhe video janë  prodhuar nga KosovaLive në kuadër të programit “Internship & Mentorship”.

Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e KosovaLive.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

Pandemia kërcënoi dhe cungoi aktivitetet dhe jetën kulturore

Pandemia kërcënoi dhe cungoi aktivitetet dhe jetën kulturore

Ndonëse ka kaluar një vit e sa që kur Covid-19 zbarkoi në çdo cep të botës, gjendja momentale e pandemisë nuk është edhe aq stabile dhe shpresëdhënëse.  Pothuajse të gjitha sferat e jetës janë prekur nga kjo fatkeqësi, përfshirë këtu edhe sferën e organizimit dhe funksionimit të aktiviteteve kulturore. Një numër i madh i koncerteve, premierave, festivaleve, diskutimeve publike, punëtorive e shumë të tjera janë anuluar, duke lënë disa hapa prapa zhvillimin dhe progresin e jetës kulturore.

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM