Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një sistem shëndetësor që po e frymëzon “ikjen”

Jan 30, 2020

Edita Krajkova, kryeinfermiere e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka pasur oferta për t’u punësuar jashtë Kosovës në profesionin e saj, por për disa çështje familjare hoqi dorë. Një mundësi të këtillë e shfrytëzuan disa kolege të saj në repartin ku ajo punon.

“Një infermiere është larguar në Amerikë, sepse i është ofruar një punë shumë më e mirë, si nga ana financiare edhe profesionale”, tregon ajo.

Në repartin ku punon tash 20 vite, Krajkova thotë se balafaqohen me vështirësi të shumta, ndërto si kryesore rritja e numrit të pacientëve dhe mungesa e stafit. Shqetësim tjetër mbetet fakti se infermiereve që e përcjellin kemioterapinë nuk iu paguhet rreziku për ekspozimin nga disa preparate që përdoren gjatë kësaj terapie.

Në sistemin shëndetësor në Kosovë, përpos pagës joadekuate, shumë infermierë/e pas

përfundimit të studimeve, nuk kanë mundësi të punësohen në sektorin publik apo edhe atë privat shëndetësor, një nga arsyet që i ka shtyrë disa të kërkojnë zgjidhje gjetkë.

E.S. (emër i njohur për redaksinë), tash e dy vite punon si infermiere në Gjermani.

“Kam aplikuar përmes një organizate në Kosovë që kishte bashkëpunim me punëdhënësit gjermanë të cilët më kanë përzgjedhur përmes një interviste. Kam ndjek kurs të gjuhës gjermane për 7-8 muaj, deri në nivelin B1. Punëdhënësit kanë garantuar vendqëndrim këtu në Gjermani”, rrëfen ajo.

Edhe pse kushtet e punës në Gjermani nuk janë ashtu siç i kishte menduar, krahasuar me Kosovë i vlerëson shumë më të mira.

Sipas Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, vetëm në vitet 2010–2013, nga Kosova janë larguar rreth 400 mjekë, ndërkohë që ndër vite nga shëndetësia kosovare janë larguar mbi 600 punonjës të profileve të ndryshme.

Vetem ditëve të fundit dy kardiokirurgë dhe katër anesteziologë janë larguar nga QKUK.

Kryetari i kësaj sindikate, Blerim Syla, thotë se në sistemin shëndetësor publik në Gjermani, aktualisht punojnë rreth 290 mjekë nga Kosova, ndërkohë që tek ne ndihet mungesa e stafit mjekësor.

“Në sektorin publik shëndetësor në Kosovë mungojnë 5,000 punëtorë, në shëndetësinë familjare, mungojnë rreth 200 mjekë. Në anën tjetër 400-500 mjekë janë të papunë… Mosha mesatare te mjekët e mjekësisë familjare është 57 vjet, e në përgjithësi është 53 vjet”, tregon ai.

Në Odën e Mjekëve të Kosovës thonë se gjatë vitit 2019, gjithsej 115 mjekë kërkuan certifikatën e pastërtisë etiko-profesionale (çertifikatë që nevojitet për punësim në shtetet e BE-së), shumica dërmuese mjekë të sapodiplomuar.

Se sa alarmante është gatishmëria e mjekëve të rinj që të largohen nga Kosova, tregon edhe një hulumtim i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës në vitin 2013, ku nga 1,050 studentë në vitin e fundit të studimeve në mjekësi, 73% kanë deklaruar se janë duke vijuar kurset e gjuhëve të huaja dhe se do të largohen nga Kosova.

“Interesante ishte se në përgjigjet e studentëve paga kishte qenë numër 3-4 si arsye për t’u larguar: e para ka qenë ta gjejnë një vend të punës, e dyta ka qenë që t’i ikin politizimit, pra të punësohen sipas meritokracisë, dhe e treta ka qenë kushtet e punës më të favorshme, këtu janë të përfshira specializimet dhe edukimet e vazhdueshme”, tregon Syla.

Sipas përllogaritjes së Sindikatës së Shëndetësisë, një kuadër mjekësor deri në përfundim të studimeve, shtetit të Kosovës i kushton 100 mijë euro. Nuk është vështirë të llogariten dëmet që po i shkakton imigrimi i stafit mjekësor Republikës së Kosovës.

Eridë Ferizaj, nxënëse në klasën e 12, në Shkollën e Mesme të Mjeksisë në Pejë, që tash i ka filluar përgatitjet që të largohet nga Kosova.

“Në Gjermani vlerësohet më shumë puna dhe kushtet janë të volitshme. Kam filluar të interesohem të mësoj gjuhën gjermane. Synoj të fitoj vizë pune nëpërmjet konkurseve ose agjencioneve të punësimit”, thotë Ferizaj.

Ligj i ri për fuqinë punëtore që e ka miratuar Gjermania hyn në fuqi më 1 mars 2020. Me këtë, personave që jetojnë jashtë Bashkimit Europian, ku përfshihet edhe Kosova, u kërkohet verifikimi i diplomës së shkollimit profesional në Gjermani, si dhe njohja e gjuhës gjermane në një nivel të caktuar.

Interesimi për punësim të punëtorëve shëndetësorë në Gjermani po reflektohet edhe në rritjen e numrit të kurseve të gjuhës gjermane.

Një ndër organizatat që merren me këtë, “Euro-Lingua – kurse të gjuhës gjermane”, ka lidhur marrëveshje me firmën për ndërmjetësim-rekrutim të stafit medicinal “IPP-health” nga Kolni në Gjermani.

Studentët infermierë që regjistrohen në këtë kurs plotësojnë një CV. Kushtet që kërkohen janë: diploma e shkollës së mesme të mjekësisë/infermieri, licenca e punës dhe njohja e gjuhës gjermane në nivelin B1.

Nëse i përmbushin kushtet e kërkuara kandidatëve u mbulohen shpenzimet e kursit të gjuhës deri në nivelin B1, që zgjatë 6 muaj.

Nexhmije Sahiti, profesoreshë e gjuhës gjermane në “Euro-Lingua” thotë se kursin aktualisht e vijojnë rreth 80-90 studentë.

“Deri në këtë nivel përgatitja kushton afër 700 euro. Më pas studentët i nënshtrohen testit në institutin gjerman ‘Goethe’, që kushton 110-120 euro”, thotë ajo.

Një ndër arsyet që specialistët por largohen, sipas Arbër Morina, specialist në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK, është mungesa e kushteve për punë.

“Pajisjet janë të stërvjetëruara. Ne ndjekim trajnime jashtë Kosovës shumë të avansuara, ndërsa kur kthehemi këtu përballemi më kushte jo të mira. Në këtë mënyrë nuk kemi rezultate”, rrëfen Morina.

Ai pohon se edhe departamenti i Kirurgjisë Abdominale dhe të Përgjithshme ka mungesë të specialistëve.

“Mungojnë 1/3 nga 43 kirurgë, sa janë të nevojshëm që të mbulojmë nevojat tona…Mund të them së paku edhe për 20 kirurgë kemi nevojë. Fatkeqësisht, shumica e profesorëve që kanë qenë në Universitet, në pesë vitet e fundit, kanë dalë në pension. Ky është një deficit i madh i kuadrove”, thotë ai.

Ministria e Shëndetësisë në tri vitet e fundit nuk ka hapur konkurs për specializantë të ri.

Sipas Blerim Sylës, mungesa e mjekëve të rinj specialistë është shkaktar që Qendrat e Mjekësisë Familjare (QKMF) janë duke u mbyllur në disa komuna të Kosovës.

Ndër to është komuna e Kamenicës, ku që gjashtë vjet nuk ka shërbime të gjinekologjisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Suna Zajmi, drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Kamenicës, thotë se prej vitit 2014 kur ka dal në pension gjinekologu, në këtë komunë nuk ka shërbime gjinekologjike. Ka pasur përpjekje nga Gjilani të vijnë me rotacion gjinekologë, por kjo nuk ka zgjatur më shumë se gjashtë muaj, thotë ajo.

Gratë e kësaj komune lindjet i kryejnë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, i cili ndodhet 27 kilometra nga Kamenica. Nga zonat më malore të Kamenicës udhëtimi deri në spitalin në Gjilan, zgjat deri në 55 kilometra.

Në marrëveshje më 26 dhjetor 2019, me Ministrinë e Shëndetësisë, QKMF në Kamenicë ka siguruar shërbime shëndetësore-gjinekologjike. Mirëpo vetëm për tre ditë brenda javës, nga 4 orë në ditë.

Në sektorin publik të shëndetësisë kosovare, më 2018, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), punonin 13,180 persona.

Nga ana tjetër, për pesë vitet e fundit në Kosovë numri i institucione private shëndetësore është rritur për 600. Nga 1,003 institucione private shëndetësore sa ishin në vitin 2013, sipas të dhënave të ASK-së, më 2018 u bënë 1,592 të tilla.

Edhe vet kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, është orientuar në sektorin privat.

“Kemi dy zgjidhje, ose të punojmë edhe në klinika private, ose të largohemi nga Kosova. Mjeku specialist paguhet 635 euro (në muaj), prandaj është i detyruar të punoj në sistemin privat shëndetësor”, thotë ai.

Ligji i Ri për Pagat në Sektorin Publik (Ligji 06/L-111), ishte miratuar më 2 shkurt të vitit 2019, në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe është dashur të bëhet i plotfuqishëm nëntë muaj nga dita e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës..

Sipas tij, pagat e infermierëve parashiheshin të jenë me koeficient 2.2 – ose 525 euro, ndërsa ato të mjekëve me koeficienti 5 respektivisht 1,195 euro bruto.

Avokati i Popullit, bazuar në mandatin kushtetutes, më 5 dhjetor 2019, ka dërguar Ligjin në Gjykatën Kushtetutese për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik. Gjykata Kushtetuese, më 19 dhjetor 2019, ka nxjerrë vendim për të pezulluar zbatimin në tërësi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik në kohëzgjatje deri më 30 mars 2020.

Blerim Syla, paralajmëron se nëse Gjykata Kushtetuese nuk mandaton Ligjin për paga, mjekët specialistët do të vijnë me kërkesa të tjera.

“Nëse ndodh që Ligji i ri për paga të mos votohet nga Qeveria e re, mjekët specialistë nuk do të pajtohen me koeficientin e pagave 5.0”, thotë ai.

Arbër Morina përfaqësues i Kolegjiumit të kirurgëve, nuk pajtohet as me koeficientin 5.0 për specialistët.

“Për ne ky koeficient është fyes dhe denigrues. Duhet ligj komplet i ri. Si kemi pritur 20 vite do të presim deri në përmirësimin e kushteve të dinjitetshme për specialistët. Ose Kosova rrezikon të mbetet pa mjekë specialistë”, thotë ai.

Edhe nga Oda e Mjekëve të Kosovës pagën e mjekut në Kosovë e cilësojnë diskredituese dhe denigruese.

“Pas vendimit për pezullimin e ligjit për paga do të jetë shumë e veshtirë që të fitohet besimi për një stabilitet financiar të mjekëve. Ata që e kanë krijuar këtë kaos të panevojshëm, le ta bartin edhe barrën për imigrimin e mjekëve”, porosit kryetari i kësaj Ode, Pleurat Sejdiu.

Liridon Llozani

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM