Build Skills with our trainings

Sign up now!

Vaksinimi i fëmijëve jorrallë përcillet edhe me mosinformim e frikë

Shk 25, 2020

Në një anketë jopretencioze të realizuar nga KosovaLive rezulton se mbi gjysma e respodentëve 55.4% konsiderojnë se vaksinimi ka efekte pozitive dhe se një pjesë e respodentëve 35.5% janë ndikuar nga nga informatat ne internet dhe rrjete sociale se vaksina MMR, kundër fruthit mund të shkaktojë edhe autizëm te fëmijët.

Në vitet e fundit edhe në Kosovë janë “përhapur” lajme, sidomos në internet dhe rrjete sociale se gjoja kjo vaksinë është e ndërlidhur me autizmin. Këto informata, tek një pjesë e prindërve, kanë shkaktuar një lloj frike dhe dileme.

Dr. Florina Ushaku-Grezda, mjeke në repartin e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), thotë se ndërlidhja e vaksinës kundër fruthit me autizmin mund të koincidojë me moshën e paraqitjes së autizmit, dhe se rrjedhimisht prindërit që në familje kanë pasur fëmijë me autizëm gjithmonë kanë insistuar ta shtyejnë kohën e vaksinimit.

Dr. Edita Goranci-Haxhiu, epidemiologe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), thotë se pas qarkullimit të disa pretendimeve të tilla në rrjetet sociale, një numër i prindërve e kanë ndërlidhur vaksinën me simptomat e para të autizmit. Ajo mendon se pretendime të tilla janë pa bazë dhe është shumë e rëndësishme se pas një kohe të shkurtër, gjithashtu nëpër internet, janë publikuar edhe infomata se vaksina MMR nuk shkakton autizëm.

“Për herë të parë ka dal si lajm në Angli, ku nënat kanë besuar se fëmiu, pasi e merr vaksinën MMR në moshën 12 mujore, fillojnë të shfaqen simptomet e para të autizmit. Mirëpo, pas hulumtimeve të shumëta të cilat janë bërë në këtë drejtim (ky lajm) ka ra si teori”, thotë Haxhiu për KosovaLive.

Erleta, nënë e tre fëmijëve nga Prizreni, pohon që informatën se marrja e vaksinës shkaktuaka autizmin e kishte marrë nga interneti.

“ Unë nga frika nuk ia kam dhënë asnjë vaksinë fëmijëve dhe ata sot kanë shëndet të plotë… Edhe pse më kanë paralajmëruar familjarët dhe mjeku që t’i vaksinojë fëmijët, kam pas frikë sepse kam lexuar tekste të llojllojshme në internet se vaksinat shkaktojnë autizmin”, thotë ajo.

Drejtori i Shoqatës “Autizmi”, Cenë Krasniqi, edhe vet prind i një fëmiu autik, shprehet skeptik lidhur me informatat se vaksina është shkaktar i autizmit. Thekson se edhe po të kishte ndonjë ndikim, përsëri do t’ia jepte vaksinën djalit të tij.

“Fëmijët e mi janë binjakë, vajzë dhe djalë. Djali ka autizëm ndërsa vajza jo edhe pse i kanë marrë të njëjtat vaksina dhe i kanë të njëjtat gjene. Edhe shkenca sot nuk e ka zbuluar ende çka e shkakton saktë autizmin, por unë jam në një lloj dileme. Duke dashur t’i besoj më shumë shkencës e komentoj në këtë mënyrë që e mira e përgjithshme është në llogari që të merren vaksinat…. me të gjitha këto njohuri që i kam unë djalin prap do ta kisha vaksinuar”, thotë Krasniqi.

Krasniqi thotë se ka prindër që vijnë në shoqatë me konstatim se pas vaksinimit fëmiu është bërë autist dhe shton se numri i fëmijëve me autizëm është në rritje. Sipas tij, para dhjetë vjetëve nga 120 fëmijë njëri ka qenë me autizëm, kurse tani një fëmijë nga 58 fëmijë është me autizëm.

“Por tek prindi është edhe një lloj subjektivizmi. Ka dëshirë prindi të ketë një satisfakcion për ta arsyetuar rastin. Ka plot prind që e kanë lexuar diku që vaksina e shkakton dhe i kanë parë ndryshimet te fëmiu”, tregon Krasniqi.

Në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, në qershor të vitit 2019 është publikuar “ Plani Strategjik i Imunizimit 2019-2021”. Sipas këtij plani, sistemi i mbikëqyrjes së efekteve të padëshirueshme pas-vaksinale ( EPPV) është një sistem pasiv në Kosovë, dhe për këtë arsye, për shkak të sigurisë së klientit, rekomandohet përforcimi i këtij sistemi.

Në plan gjithashtu theksohet se pas marrjes së vaksinës kundër fruthit me dy doza, një rast i rëndë i EPPV-së mund lajmërohet tek çdo 15 vjet.

Epidemiologja Haxhiu siguron se vaksina kundër fruthit nuk ka përmbajtje që rrezikon ose shkakton dëm në shëndetin e njeriut dhe se janë duke ndërmarrë fushata për t’i stimular prindërit që të vaksinojnë fëmijët e tyre.

“Në vaksinën MMR, apo vaksina kundër fruthit, janë tre komponente, pra tre lloje të viruseve të gjallë të atenuar të cilat e krijojnë një imunitet deri 92 % në dozën e parë dhe 98% në dozën e dytë të vaksinës kundër fruthit, rubellës dhe parotitit. Ekipet e vaksinimit na raportojnë vazhdimisht rastet ku familjet refuzojnë vaksinimin. Me ata punohet vazhdimisht dhe në 90% të rasteve kemi sukses që t’i bindim se nuk kanë ndonjë efekt anësor… Apeloj te prindërit që të gjithë t’i vaksinojnë fëmijët”, thotë Haxhiu.

Gjatë epidemisë së fruthit në vitin 2018 në Kosovë, nga 181 të infektuar kishin vdekur dy persona të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera kronike, gjë që ua ka komplikuar gjendjen shëndetësore.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, spjeguan se të dy viktimat e kësaj epidemie, fëmiu një vjeçar dhe një person 23 vjeçar nuk kishin qenë të vaksinuar.

Doktoresha Florina Ushaku-Grezda thotë se për 20 vjet sa punon në repartin e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare nuk ka parë ndonjë problem të veçantë kundër vaksinës së fruthit.

“Kemi pasur ndoshta hezitim të vaksinojnë fëmijët të cilët kanë pasur alergji në vezë. Për shkak se vaksina e përmendur përpunohet në embrionin e vezës dhe sa i përket mënyrës se si përfitohet në fabrikë, nësë fëmiu ka alergji në vezë në një farë mënyre është i rrezikuar të reagojë edhe në vaksinë” , thekson ajo.

Sipas saj, ishin toleruar vetëm disa raste ku në familje kanë pasur rast të autizmit. Për shkak të shqetësimit të prindërve dhe se këtë tolerim e bëjnë deri para se fëmiu t’i mbush 18 deri 20 muaj.

Ushaku-Grezda tregon se si më 2017, përmes fushatave të vaksinimit ishte parandaluar përhapja e epidemisë së fruthit në Kosovë.

“Prej Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës kemi marrë të drejtën që fëmijët të vaksinohen prej (moshës) 10 muaj e lartë. Edhe pse teoretikisht faza është nga 8 muaj ata kanë konsideruar se është pak e hershme… Me një përkushtim të madh që e kemi bërë në një periudhë disa mujore që ka qenë fundi i vitit 2017 dhe fillimi i 2018- ës kemi arritur që të jemi më të mirët në listë prej vendeve ballkanike me zhdukjen e sëmundjes së fruthit dhe mospërhapjes së epidemisë në atë kohë”, thotë ajo.

Sipas Agjencisë së Statistikavë në Kosovë brenda vitit lindin rreth 27 mijë fëmijë. Çdo vit fëmijët e moshës shkollore vaksinohen në hapësirën e shkollës, sipas kalendarit të vaksinimit.

Këto vaksina sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë përmes UNICEF-it, me qëllim të sigurimit të vaksinave të cilësisë së lartë, me çmime më të lira dhe nga prodhuesit e kualifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në Kosovë sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, vaksinimi ndaj sëmundjeve ngjitëse si psh., tuberkulozit, hepatitit B, kollës së bardhë, difterisë, paralizës së fëmijëve, tetanosit, fruthit, parotitit dhe rubellës është eshte i obliguar.

“Vaksinimit i nënshtrohen të gjithë fëmijët e Kosovës të moshës prej 0 ditëve deri në 19 vjeç, bazuar në kalendarin e vaksinimit”, përshkruan ligji.

Ndryshe, të dhënat rreth vaksinave dhe kalendari i vaksinimit për fëmijë janë të inkuadruara në kartelën e imunizimit ose pasaportën e imunizimit e cila është e personalizuar për çdo fëmijë. Pos asaj, të dhënat mbahen në institucionet mjekësore në Kosovë dhe në kartelën e imunizimit vendoset data se kur duhet të merret vaksina e radhës.

Nga “Hulumtimi i kualitetit të shërbimeve të imunizimit përmes teknikës së kualitetit të LOT-it” të Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike, studim ky i përkrahur nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, nga 390 fëmijët e intervistuar, 314 ose 76.2 % ishin vaksinuar me MMR dhe posedonin kartelë. Prej tyre, 154 ishin nën moshën 15 muajshe dhe 160 mbi moshën 15 muajshe”, shkruan në këtë studim.

Më 2010 shkalla e vaksinimit të rregullt në Kosovë kishtë qenë mbi 90% , mbulueshmëria me vaksinim në Kosovë tash mbërrin mbi 95%.

Ndërkohë që buxheti i sivjetëm i Kosovës ende nuk është miratuar, vitin e kaluar Ministria e Shëndetësisë kishte ndarë 539.000 euro për sigurimin e vaksinave nga kalendari i vaksinimit të obliguar me ligj dhe 350.000 euro për vaksinat sipas indikacioneve epidemiologjike, sikur vaksina kundër gripit sezonal.

Erma Karahoda

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM