Cilado situatë e re dhe e papritur është sfidë për mediat dhe gazetarët. Si kur bëhet fjalë për ndonjë tërmet, përmbytje, konflikt të armatosur apo, siç është kjo tani specifike, sepse për gjithë botën ky është një “armik i padukshëm”, pandemia e Covid-19.
Në karrierën time gati 40 vjeçare kam parë situata nga më të ndryshmet. Kam njohur shtete të shumta dhe shumë njerëz “të rëndësishëm” (rreth 300 kartëvizita i ruaj ende, edhe pse pamjet e shumë prej tyre më janë shlyer nga kujtesa), kam qenë dëshmitare e gjërave të bukura dhe të shëmtuara, dëshmitare e qeshjes dhe e lotëve, jetës së re dhe vdekjes, okupimit dhe lirisë. Kam njohur rrezikun dhe frikën, varfërinë dhe begatinë…
Të gjitha këto i kam pranuar si një realitet. E vetmja gjë që nuk kam dashur ta pranoja ishte “gazetari” që orarin e tij të punës e kalonte në ambientet e medias së tij, i cili nuk dilte në “terren”, i cili nuk flet drejtpërdrejt me njerëzit, i cili, fundja, nuk mund t’i shkëmbejë emocionet me publikun në mënyrë korrekte.
Megjithatë, pandemia Covid-19 i hodhi poshtë pjesërisht këto bindje të mia. Kushte të reja pune, sfida të reja.
Maska mbi gojë dhe hundë, dorëzat higjienike, pa shtrëngim duarsh me kolegët, distanca e duhur, konferenca për media kryesisht jashtë objekteve të institucioneve…. karrige po ashtu të larguara nga njëra-tjetra dhe një mikrofon… stacionar, të cilit i afrohen gazetarët dhe shtrojnë pyetjet e tyre. Pyetjeve u përgjigjen përfaqësues institucionesh të ndryshme, shpesh me maska dhe dorëza.
E vetmja gjë gazmore në rastet e këtilla janë modelet e maskave, ndonjëherë janë edhe komike, qofshin të zakonshme apo “jashtëtokësore”, si dhe dorëzat jo praktike, në të cilat të djersijnë duart, por të paktën janë ngjyrash të ndryshme. Mirë, të paktën e dimë që të gjitha këto janë të dobishme.
Si korrespondente shumëvjeçare e Radios WDR në Këln që nga dita e parë e pandemisë e kam patur mbështetjen e pakursyer të redaktorëve dhe kolegëve të mi. Gjëja e parë që ma thanë ishtë që ta ruaja veten, që të dilja sa më pak dhe të mos u ekspozohesha rreziqeve për shkak të virusit korona. Më propozuan që maksimalisht ta përdorja telefonin për të marrë deklarata ose që bisedat t’i zhvilloja nëpërmjet Skype-it. Po ashtu m’u lutën që në rast të çfarëdo vështirësie të isha e lirë t’i konsultoja për të gjetur zgjidhjet e duhura. Dhe pikërisht kështu funksionoj tanimë gati dy muaj e gjysmë. Në mënyrë sa më profesionale dhe njerëzore.
Natyrisht, disa herë isha “e detyruar” edhe të dilja, t’i regjistroja deklaratat e bashkëbiseduesve të mi (në ambient të hapur), madje kam arritur edhe ta përgatisja një reportazh, i cili nuk qe i lidhur me pandeminë. Pra, megjithatë me sukses, të paktën deri tani! Megjithatë, raportimi për radio është i ndryshëm nga ai, p.sh., për televizion, i cili ka ndryshuar pjesërisht, sepse është “vizual”, ndërsa nuk përjashtohet që kjo përvojë të përdoret më shpesh edhe në të ardhmen, pas pandemisë.
Ndoshta është praktike kur gazetari qëndron në studio dhe nëpërmjet Skype-it bisedon lidhur me pandeminë ose sportin, me juristë ose analistë rreth situatës politike… por mua më mungon emocioni. E ndonjëherë më pengon edhe kualiteti i dobët i tonit, mungesa e ndriçimit, fotografia e dobët… më pengon kur ndonjë zyrtar ose profesor shfaqet në rroba sporti nën të cilat vihet re fanella pa mëngë e zhubrosur ose në një xhup në të cilin sikur para pak çastesh ka qenë i shtrirë në divan duke kërkuar kanalet televizive. Më pengon që, padashur, kam hyrë ashtu në ambientin intim të atyre njerëzve, që e di nëse kanë apo çfarë pikturash kanë në mure, nëse kanë bibliotekë, studio për punë ose çfarë mobiljesh kanë.
Të vetmet gjëra që kam mundur t’i përcjell me vëmendje ishin ato kur gazetarët nëpërmjet Skype-it bisedonin me njerëz të zakonshëm, qofshin ata nga Italia, ose Kina, lidhur me përvojat e tyre personale dhe problemet nëpër të cilat po kalonte sistemi shëndetësor i atyre vendeve në luftën kundër pandemisë.
Nëse televizionet planifikojnë që edhe pas pandemisë të vazhdojnë pjesërisht me këtë praktikë të “bisedave në distancë”, nuk do të ishte keq që të pajisen më mirë teknikisht dhe ta përgatisin më mirë veten dhe bashkëbiseduesit e tyre. Fundja, mediat nuk bën ta harrojnë se roli i tyre është edhe të edukojnë dhe të transmetojnë një kulturë komunikimi, e jo vetëm të informojnë me objektivitet.
Por, kur bëhet fjalë për informimin në kohën e pandemisë Covid-19, kam vënë re disa gjëra.
E para, që në raportet e tyre të para, ndoshta për mungesë përvoje ose përpjekjes për të qenë “ekskluzivë”, disa gazetarë jepnin hollësi mbi personat e sëmurë nga virusi korona. Kryetari i një komune (ndërsa për këtë lëshim kanë shkruar edhe disa media) jo vetëm që ka publikuar identitetin e të infektuarve me virusin, por ka rrëfyer edhe detaje lidhur me familjen e tyre në tërësi. Në kohët e fundit lëshime të tilla nuk kam vënë re. Leksioni, besoj, është mësuar!
E dyta, lehtësia me të cilën mediat online më të lexuara vazhdojnë me praktikën që, kohë pas kohe, të transmetojnë “kuriozitete” lidhur me trajtimin e “suksesshëm” të të sëmurëve nga virusi, qoftë kur bëhet fjalë për hudhrat apo rakinë, ose pohimet se bëhet fjalë për një grip “pak më të rëndë”…, se maskat nuk janë të nevojshme në rast daljeje nga shtëpia…
Është më se e sigurt se gjer më tani 3.5 milionë njerëz në botë janë infektuar me virusin, se një e treta prej tyre tanimi është shëruar, ndërsa rreth 250 mijë kanë humbur jetën… E dimë që po punohet në gjetjen e një vaksine dhe se izolimi ka dhënë rezultate… Por, nuk jam tamam e sigurt nëse është gjetur mënyra për ta zbuluar virusin te personi që ende nuk është sëmurë prej tij… Dhe mu në distancë… Për shkak të publikimit të shtuar të lajmeve pikërisht të këtilla, të cilat hyjnë në kategorinë e lajmeve “të rrejshme”, ka reaguar madje edhe UNESCO.
“Hudhra mund të jetë i shijshme, por nuk do të ju mbrojë nga coronavirusi i ri. Mos shpërndani thashetheme. Lufta ndaj COVID-19 është po ashtu luftë ndaj dezinformimit”, kanë porositur nga UNESCO.
Mesazhi është më se i qartë për mediat e papërgjegjshme, të cilat duan që edhe në këtë situatë nga më të çuditshmet në jetën tonë (sepse ende nuk e dimë sa është vërtet i rrezikshëm “armiku” ynë) të përfitojnë. Mos përhap informacione të paverifikuara. Mos nxit panik! Lajmet e këtilla mund t’u kushtojnë me jetë njerëzve naivë.
E treta, thjesht më “asfikson” ndjenja se jam e privuar nga liria. Mirë, si gazetare mund të lëviz, ky nuk është ndonjë problem, edhe pse ndjenjat i kam të ngatërruara. Edhe kam frikë nga virusi, edhe nuk kam frikë. Por, OK, rreziku është pjesë përbërëse e punës sime.
Më brengos më shumë se disi më duhet të transmetoj informacione nga konferencat për shtyp të zyrtarëve. Ato janë burime zyrtare, dhe mu ato janë më të rëndësishmet në një situatë të këtillë, por disi më mungon pak hulumtim.
Problem më vete është se duhet t’i citoj edhe përfaqësuesit e opozitës, të cilët e kritikojnë Qeverinë për “masat” e pamjaftueshme që i ka ndërmarrë në luftën kundër pandemisë. Ku jam unë dhe ku janë kolegët e mi që të nuhasim ngapak, që të shohim se si qëndrojnë gjërat vërtet. Dhe të mos jemi vetëm një “instrument” ose “mjet” i thjeshtë për publikimin e deklaratave të tyre… Natyrisht, jam më se e ndërgjegjshme se çdo ton kritik në relacion me Qeverinë, qoftë kur bëhet fjalë për pandeminë ose politikën që e zbaton, nuk të mbron nga rreziku i fyerjeve ose kërcënieve nga simpatizantët e Qeverisë në detyrë. Një koleg imi të tillët i ka quajtur “gardianë të mediave”… ose siç e kam kuptuar unë, ata janë të ngarkuar që me kërcënime verbale ta dërgojnë mesazhin: “Ti nuk ke çfarë të mendosh, ka kush mendon për ty!”
Kam mbetur e nemitur kur Përparim Kryeziu, zëdhënës në kabinetin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, në njërën nga koferencat e para për media pas shpalljes së pandemisë, duke iu drejtuar gazetarëve ka thënë që gazetarët duhet së pari atij t’ia thonë pyetjet që do t’ia parashtrojnë kryeministrit. Është një gjë e mirë që pas shkrimeve kritike këtë nuk e ka përsëritur më, sepse po ta kishte bërë një gjë të tillë besoj se shumë media do ta refuzonin një mënyrë të tillë komunikimi.
Më një rast në vend të konferencës së paralajmëruar për shtyp, kryeministri dhe Rozeta Hajdari, ministre për ekonominë, punësimin, tregtinë, industrinë, ndërmarrësinë dhe investimet strategjke, kishin vendosur që nëpërmjet një video t’i drejtohen opinionit me ato që dëshironin t’i thoshin, respektivisht që mediat ta merrnin xhirimin dhe vetëm ta emetonin atë. Interesante! Dhe natyrisht, ta pyes veten çfarë janë mediat vërtet në situata të tilla!?
Ndjeja keqardhje për një kolegen time që raporton për mediat në gjuhën serbe, e cila për mungesë përkthimi në disa konferenca për gazetarë qe e detyruar të më lutej që t’ia përktheja deklaratat e kryeministrit dhe ministrit të shëndetësisë. Ajo e kishte marrë një përgjigje, por kulmi i tërë kësaj qe arritur kur ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, i kishte shpallur masat mbi kufizimin e lëvizjes. Këto masa nuk ishin përkthyer me kohë, për ç’arsye qe shkaktuar një rrëmujë e vërtetë në komunat e veriut të Kosovës, të populluar kryesisht me popullsi serbe, e cila (siç duket për herë të parë, nëse përjashtohet dalja në zgjedhje) i kishte pranuar masat e Qeverisë së Kosovës. Për këtë arsye kanë reaguar edhe organizatat joqeveritare që funksionojnë në këtë pjesë të Kosovës…
Një pyetje që secili prej nesh e ka shtruar të paktën një herë gjatë këtyre gati dy muajve nga fillimi i izolimit është nëse pas pandemisë do të jetë gjithçka njësoj si më parë. Me siguri se diçka do të ndryshojë, por gjykuar në bazë të asaj që po ndodh aktualisht jo edhe te mënyra e bërjes politikë.
Nëse në valën e parë të pandemisë Covid-19, kur qytetarët ishin të preokupuar me një frikë të madhe nga e panjohura, liderët politikë nuk u përmbajtën dot dhe treguan që janë të gatshëm që për shkak të votuesve të tyre dhe të atyre që deri tani nuk ishin të motivuar të dalin në zgjedhje, të mos i harrojnë interesat e tyre partiakë dhe kalkulimet e ndryshme, që të paktën përkohësisht të gjejnë një “gjuhë të përbashkët”, atëherë nuk ka arsye të mendoj se diçka mund të ndryshojë. E, në këtë vorbull politike dhe në krijimin e një pasigurie të përgjithshme kanë marrë pjesë ose ende marrin pjesë të gjithë, pa përjashtim. Dhe nuk mendoj se dikush ka faj më shumë, e dikush më pak. Sepse edhe “faji” më i vogël mund të ketë pasoja të mëdha.
E, a do të ndryshojë diçka në punën e mediave dhe gazetarëve? Besoj se po!
E para, mbase e kanë mësuar leksionin gjer më tani se çdo nformacion i pakonfirmuar ose gjysminformacion, i nxjerrë nga konteksti, mund të kthehet si një bumerang. Se ashtu mund të rrezikohet jo vetëm shëndeti i qytetarëve, por edhe siguria e përgjithshme.
Se nuk ekziston një informacion ekskluziv ose një deklaratë ekskluzive.
Se nuk guxojnë ta lëndojnë të drejtën për privatësi.
Se edhe më tej duhet të luftojnë për më shumë të drejta në fushën e lirisë së shprehjes…
Dhe, më në fund, lajm i mirë është se në raportin e Reporterëve pa kufij mbi indeksin e lirisë së mediave, Kosova e zë vendin 75 për vitin 2019. Është ngritur për pesë vende në raport me vitin 2-0198. Kjo megjithë flet për diçka, disi e jep një shpresë.
Megjithë kritikat, analizat dhe dilemat, e di që mediat dhe gazetarët në thelb e kanë bërë një punë të shkëlqyeshme. Dhe më së paku kanë menduar për sigurinë e vet personale. “E kanë dhënë” një nga provimet më të rëndësishme në karrierën e tyre.
Besoj se roli i mediave në kohën e pandemisë Covid-19 do të analizohet gjatë kohë dhe, çfarë është më e rëndësishmja, besoj se do të bëhet pjesë përbërëse e literaturë obligative për gazetarët e ardhshëm.
Për autorin/en:
(Violeta Oroshi Berishaj është gazetare dhe redaktore në KosovaLive, gjithashtu është korrespodente nga Kosova në Radio WDR (Këln, Gjermani). Violeta më parë ka qenë e angazhuar si këshilltare në ngritjen e kapaciteteve të mediave serbe dhe shqiptare. Ajo ka implementuar një projekt trajnimi për të rinjtë e interesuar në karrierën e gazetarisë në Paris, Francë, dhe ka qenë Kryeredaktore e byrosë së Kosovës. Ajo ishte autore e disa analizave të mediave në Kosovë dhe pjesëmarrëse në një numër debatesh në media në lidhje me zgjedhjet në Kosovë.
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasades Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Kosovalive dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.