Build Skills with our trainings

Sign up now!

Baticat e zbaticat në përfshirjen e minoriteteve në punësim

Maj 18, 2020

Flamuri i Kosovës gërshetohet nga gjashtë yje, nga një për secilin komunitet etnik që jeton këtu, por jashtë flamurit sa përfshihen në të vërtetë minoritetet në aspekte të ndryshme të jetës?

Minoritetet etnike përbëjnë 10.44% të popullsisë së Kosovës, sipas statistikave të vitit 2013. Nga numri i përgjithshëm në vende të punës gjenden 8.41% kurse 2.03% mbeten të papunësuar.

Sipas Zyres së Çështjes së Komuniteteve, në po atë vit 5.6% e shërbyesve civilë nga komuniteti i minoriteteve punonin në institucione qendrore dhe lokale në Kosovë, duke mos përfshirë ndërmarrjet publike. Nëse merren parasysh edhe ndërmarrjet publike, del se shumica, apo gjithsej 8.0% të punësuarve ishin nga komuniteti i minoriteteve.

Ndërkohë që përqindja e pjesëtarëve të komunitetit serb në numrin e gjithëmbarshëm të shërbyesve civilë në Kosovë sillej rreth 5.5%, vlerësohej se 38.25% e serbëve të Kosovës ishin të papunë. Ndonëse numri i të punësuarve gjithmonë mund të jetë më i lartë, krahasuar me minoritet tjera serbët hasen në më shumë vende pune.

Në të njëjtën kohë, përqindja e boshnjakëve të punësuar në shërbime civile ishte afërisht 1.5%, ndërkohë që në institucione qendrore përqindja e të punësuarve nga ky komuniteti ishte 0.9%. Në të njëjtën kohën, shkalla e papunësisë te komuniteti boshnjak në Kosovë ishte 37.68%.

Një raport i ngjashëm ishte edhe te komuniteti turk: përqindja e të punësuarve si shërbyes civilë ishte 1.2%, ndërkohë që shkalla e papunësisë arrinte 37.98%.

Vlerësohet se mosshkollimi, mungesa e përvojës së punës dhe informimit ka ndikuar që pjesëmarrja e romëve në punësim ishte vetëm 0.2%, dhe rrjedhimisht vlerësohej se 60.22% e këtij komuniteti në Kosovë ishin të papunë. Situata e ngjashme është edhe me egjiptianët: vlerësohet se shkalla e papunësisë tek ky komunitet është 80%, ndërkohë që vetëm 0,01% e tyre punojnësi shërbyes civilë.

Përqindja e shërbyesve civilë sipas Zyrës së Çështjes së Komuniteteve, viti 2013, dhe numri i të papunëve sipas Kosovo Human Development, viti 2012.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovësështë e përcaktuar struktura e Kuvendit(Kapitulli IV, neni 64.2.2.), ku garantohet njëzet (20) prej gjithsej njëqind e njëzet (120) vendeve për minoritetet etnike. Nga ana tjetër, nuk specifikohet ndonjë ligj i përgjithshëm sipas të cilat bizneset dhe organizatat kosovare do të duhej të kishin një politikë të brendshme e cila rregullon etnicitetin e punëtorëve.

Rrjedhimisht, në organizatat dhe bizniset e ndryshme kosovare, zakonisht nuk caktohet limiti i punëtorëve shqiptarë dhe i minoriteteve etnike. Megjithatë, e në mungesë të një rregulloreje që do ta përcaktonte pjesëmarrjen e minoriteteve në punë, organizatat përpiqen t’i inkuadrojnë komunitetet minoritare.

Sipas statistikave nga maji i vitit 2013, kështu ishte situata në disa ndërmarrje publike: në Korporatën energjetike të Kosovës (KEK) pjesëtarët e minoriteteve përbënin  1.6% të të punësuarve, në KOSIT punonin 0.8%, në Postë Telekomin e Kosovës (PTK) punojnë 3.2% minoritete, kurse në TrainKOS 1.3%. Nga gjithsej 10,000 punonjës, vetëm 203 ishin pjesëtarë të komuniteteve pakicë.

Fatmirësisht, shumë organizatata kosovare merren intenzivisht me inkuadrimin e minoriteteve etnike nis nga kampet disa-ditore deri te punë të llojllojshme praktike.

Sipas një raporti për të Drejtat e Njeriut OSCE Mission in Kosovo në qershor 2019, për shembull, tre Panaire Rajonale të Punësimit u organizuan në rajonet e Pejës, Gjilanit dhe Prishtinës, duke synuar romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët e Kosovës.

Një organizatë tjetër, ajo USAID Kosova, lansoi platformën e vetë të re “Up To Youth” që fokusohet në përfaqësimin e Kosovës, jo vetëm nga të rinjtë shqiptarë, por edhe nga komunitetet tjera.

Rol kyç në përfshirjen dhe promovimin e minoriteteve, pa dyshim luajnë edhe organizatat joqeveritare. Njëra prej këtyre organizatave – KOSINT, përmes projekteve diskuton për përfshirjen e komuniteteve jo-shumicë, jo vetëm në vende të punës, por edhe në shoqërinë kosovare përgjithësisht.

Gentiana Sylejmani, menaxhuese e zyrës dhe burimeve njerëzore në organizatën joqeveritare Kosovo 2.0 konfirmon se në rregullorën e brendshme të kësaj organizate nuk është i specifikuar numri i punëtorëve të rezervuar për komunitetet jo-shumicë.

“Të gjitha punësimet për pozita të lira i bëjmë përmes thirrjeve të hapura, ku kushti i vetëështë plotësimi i kritereve dhe përzgjedhja bëhet në baza meritore, duke mos diskriminuar asnjë komunitet pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, religjioze, racore apo gjinore. Poashtu, edhe shpalljet për punë ne i hapim në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht”, thotë Sylejmani.

Aktualisht në këtë organizatë janë të punësuar tre punëtorë nga komunitetet jo-shumicë: pozitën e përkthyesit tash pesë vjet e mban një pjesëtar i komunitetit serb, ndërsa dy punëtorët e tjerë janë me nënshtetësi dhe vendbanim në Bosnjë-Hercegovinë, njëri në cilësinë e përkthyesit dhe tjetra atë të redaktores regjionale.

Marigona Shabiu, drejtoresha ekzekutive e Youth Initiative for Human Rights thotë se kjo organizatë joqeveritare ka një politikë të brendshme që përcakton se vendi i punës është i hapur për të gjithë, pa asnjë dallim gjinie, race, përkatësi etnike ose orientimi seksual.

“Ne u japim munësi të gjithëve në punësim, dhe kushdo që i plotëson kriteret e kërkuara, punësohet në organizatën tonë”, thotë ajo.

Luan Hasanaj, drejtor dhe menaxhues i projekteve në organizatën joqeveritare Let’s Do It Kosova pranon se kjo organizatë nuk ka politika të veçanta në lidhje me punësimin e minoriteteve, sepse puna e tyre edhe ashtu është në të mirën e komunitetit.

“Në stafin tonë gjenden diku 38 shqiptarë dhe 13  minoritete. Kemi pasur të punësuar serb, egjiptian dhe rom. Për momentin kemi egjiptian,” thotë Hasanaj nga organizata joqeveritare Let’s Do It Kosova.

Ndër arsyet e nivelit të lartë të papunësisë tek pjesëtarë e komuniteteve, sipas Zyrës së Çështjes së Komuniteteve, përmenden edhe arsyet e përgjithshme që afektojnë këtë problematike, si gjendja e varfër e ekonomisë, në tërësi, mungesa e zhvillimit në sektorin industrial dhe mungesa e bizneseve/fabrikave të mëdha.

Mirëpo njëherësh renditen edhe arsyet më specifike, sikur mungesa e kualifikimeve, mungesa e përvojës së punës, problemet gjuhësore, mungesa e informatave mbi mundësitë e punësimit, por edhe vështirësitë në qasjen në institucione publike dhe ndërmarrje private.

Hana Kaja

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KosovaLive dhe SIT dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrimi BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM