Build Skills with our trainings

Sign up now!

Paragjykimet në punësimin e personave me aftësi të kufizuara

Kor 13, 2020

Jeta për njerëzit me aftësi të kufizuara në Kosovë, shpesh është e mbushur me sfida duke filluar që nga kushtet e papërshtatshme për një jetesë normale e deri te pamundësia për të gjetur punë, shkak i të cilave mbeten paragjykimet, diskriminimet, përbuzja e aftësisë së kufizuar dhe vetëdija e ulët e shoqërisë dhe mospërfillja nga ajo.

Sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë, personat me aftësi të kufizuara duhet të bëjnë pjesë në 2% të të punësuarve në ndërrmarrje dhe i punësuar me aftësi te kufizuara duhet të jetë së paku çdo i pesëdhjeti i punësuar.

Sipas një hulumtimi të Handikos-it, personat me aftësi të kufizuara janë pjesa më e diskriminuar e shoqërisë kur bëhet fjalë për punësimin në institucionet publike dhe kompanitë private.

Organizatat e personave me aftësi të kufizuara, përmes parimit “Asgjë për ne pa ne” kanë arritur të ndikojnë në zgjerimin e fushëveprimit të elementeve që përbëjnë të drejtën për personat me aftësi të kufizuara.

E drejtë, jo kujdes që do të thotë se është e drejtë e natyrshme që këta persona të punojnë dhe jo vetëm të marrin mbështetje financiare nga shteti. Kjo, gjithashtu nënkupton se puna duhet të jetë e dobishme, produktive dhe e shpërblyer.

Barazia e cila përfshin të drejtën që të gjithë punëtorët të trajtohen dhe mbrohen barabartë pavarësisht aftësive të tyre dhe ndalimin e diskriminimit në bazë të aftësisë së kufizuar duke shtuar kështu përfshirjen e kushteve të nevojshme në vendin e punës. Në të bëjnë pjesë edhe ndalimi i punësimit të ndarë siç janë disa kompanitë që punësojnë vetëm persona më aftësi të kufizuara.

Akomodimi/përshtatja e arsyeshme ka të bëjë me krijimin e kushteve të përshtatshme në vendin e punës, në mënyrë që njerëzit me aftësi të kufizuara të jenë në pozitë të barabartë me të tjerët dhe të mos ketë asnjë barrë apo të ndjehen si të tillë. Kjo nënkupton vënien e personave me aftësi të kufizura në pozitë të barabartë me të punësuarit e tjerë duke zbutur kështu dallimet mes këtyre dy palëve dhe krijimin e mundësive të barabarta për avancimin në karrierë. Ky element përveç se në punë është më se i nevojshëm edhe në të gjitha fushat e tjera si arsimi, shërbimet sociale etj.

Inkurajimi njeh shfrytëzimin e mekanizmave të ndryshëm për përfshirjen e përsonave me aftësi të kufizuara si në tregun e hapur të punës ashtu edhe në sferën publike.

Drejtoresha e organizatës “Handikos” në Gjakovë, Brilanda Ballata tregon se përpos vështirësive me kushtet jo të mira në vendin e punës, personat me aftësi të kufizuara diskriminohen edhe në baza të tjera, e më të prekura nga ky diskriminim janë femrat të cilat disfavorizohen edhe në baza gjinore. Diskriminimet në vend të punës, edhe pse hasen në të dyja sektoret, janë më të theksuara në sektorin privat.

Dhjetë përqind nga anëtarësia e kësaj organizate janë në marrëdhënie pune, e vetëm gjysma nga ky numër e ushtrojnë profesionin e tyre të dëshiruar, ndërkohë që ligji që përcakton 1 person me aftësi të kufizuat të punësuar në çdo 50 punëtorë, zbatohet shumë pak.

Shumica e personave më aftësi të kufizuara punojnë në biznese familjare ku edhe kanë mundësinë edhe të roleve udhëheqëse.

“Hoteleria, administratat, rrobaqepësia dhe mirëmbajta janë punët që u ofrohen më së shumti njerëzve me aftësi të kufizuara”, thotë Ballata.

Sipas saj, problemet kryesore të identifikuara si pengesë në punësim janë qasja, lëvizshmëria në hapësirat e punës, shkollimi, mosnjohuria e shkrim-leximit… Trajnimet në profesione të ndryshme, panairet e punës me bizneset dhe mundësia e praktikës për t’i parë aftësitë e tyre, por edhe përshtatja e hapësirave të punës, shihen si disa prej mënyrave që do ta zbusnin këtë problem.

Fjolla Rraci, aktiviste për personat me aftësi të kufizuara, tregon se një prej problemeve tek shoqëria është fakti që ky grup njerëzish shikohet me mëshirë dhe keqardhje, në vend që të kenë të drejta dhe mundësi të barabarta.

 “Kur një person me nevoja të veçanta punësohet, në Kosovë ai trajtohet si një rast bamirësie ose thurrin lavde për kompaninë e caktuar ku ai/ajo do të fillojë punën e rasti shihet me sytë e mëshirës, gjë që është shumë e gabuar sepse punësimi është e drejtë e të gjithëve”, shprehet ajo.

Sipas saj, që shoqëria të përparojë dhe të vetëdijësohet lidhur me këtë është të hiqen pikëpamjet paragjykuese.

“Në momentin që një shoqëri veti parësore e ka paragjykimin është shumë e vështirë të ketë edhe barazi. E vetmja mënyrë që shoqëria jonë të mos e konsideroj si të pa vlerë kontributin e personave me nevoja të veçanta në fushën e punësimit është duke ju dhënë mundësinë që ju takon, tek e fundit nuk duhet të bëjnë asgjë më shumë veç se t’i përmbahen ligjit. Nëse secili njeri jeton dhe e trajton tjetrin si veten ne nuk do të kishim probleme të tilla”, thotë Rraci.

Fabrika e tekstilit “Creative” në Gjakovë është një prej ndërmarrjeve që ka respektuar ligjin, duke punësuar kështu një të ri me Sindromën Down – Meriton Rraci prej vitit 2018 punon këtu në pjesën e paketimit të produkteve finale.

Menaxherja e Burimeve Njerëzore dhe Administratës, Venera Axhemi nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen kjo kompani të punësojë edhe persona tjerë me nevoja të veçanta.

“Jemi shumë të kënaqur me punën e Meritonit. Është shumë i sjellshëm, i shoqërushëm dhe gjithmonë i gatshëm për punë. Jemi shumë me fat që e kemi në mesin tonë”, thotë Axhemi duke shtuar se ndaj tij kurrë nuk ka pasur disriminime e as paragjykime nga kolegët e as nga klientët.

Edhe ëma e tij, Gjylfidone Rraci, shprehet falënderuese që atij iu dha mundësia për të punuar.

Jam mirënjohëse për të gjithë ata që kanë perkrahur Meritonin për pikën që i duhet në jetë, dhe jo vetëm ndaj Meritonit por e tërë shoqëria duhet të mendojnë për këta persona”…. Ne si shoqëri nuk duhet t’ju shohim paaftësitë por duhet t’ju zbulojmë aftësitë me të drejtë edukimi dhe arsimimi si çdo fëmijë tjetër”, shton ajo.

Për Ymer Lotën nga Gjakova, i njohur nga rrethi dhe miqtë si Mela, paragjykimet që bartë shoqëria nuk kanë qenë asnjëherë pengesë që të bëjë një mori punësh dhe të arrijë sukses si trajner i notit pavarësisht faktit se ka lindur pa gjysmën e dorës së majtë. Përkundrazi. Përpos punës si trajner, ka kryer edhe një mori punësh të tjera si i vetëpunësuar, ndër to edhe si moler.

Ai tregon se notin e ka mësuar vet që kur ishte i vogël pasi që gjithmonë është dalluar si fëmijë i gjallë dhe se është munduar të bëjë atë që të tjerët nuk kanë mundur.

“Ka pasur plot raste kur njerëzit i kanë paragjykuar dhe nënvlerësuar aftësitë e mia vetëm në bazë të pamjes së jashtme, por kanë qenë pikërisht këto komente nënvlerësuese dhe negative që vetëm më kanë dhënë forcë më tepër dhe më kanë shtyrë që të vazhdoj më tej dhe të mos dorëzohem”, shprehet ai.

Ndër të tjera, Ymeri tregon se përpos punës si notar ai ka kryer edhe një mori punësh të tjera si i vetëpunësuar ku ndër to edhe profesionin e molerit, e për sa i përket profesionit të tij aktual si trajner i notit. Lota aktualisht është i licencuar nga FINA si trajner në nivelin 2, e nëse kalon në nivelin e tretë mund të bëhet trajner botëror.  Si trajner i klubit të notit “Vëllaznimi” në Gjakovë ai është edhe anëtar i bordit të Federatës së Notit në Kosovë. Ai është i licencuar edhe në hedhje në ujë, e si i ri është nderuar edhe si kampion i kërcimeve nga Ura e Fshenjtë.

“Këshilla ime është që asnjëherë të mos demoralizohen nga fjalët që mund të thonë të tjerët, pasi shoqëria jonë është e mbushur me paragjykime, jo vetëm ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara por edhe ndaj të gjithë të tjerëve. Por pikërisht këto duhet t’ju bëjnë edhe më të fortë dhe jo t’ju rrëzojnë poshtë. Tek e fundit, secili njeri i ka të metat e veta, është e pamundur që dikush të jetë i përkryer”, porositë Mela.

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KosovaLive dhe SIT – Center for Counseling, Social Services and Research dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ.

Për autoren

Bubulina Peni, është studente e gazetarisë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ajo ka qenë pjesë e grupit të dytë në programin “Gazetaria Transformuese” në KosovaLive.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM