Wuhan është epiqendra ku edhe shpërtheu Covid-19 e që më pas nuk ju desh edhe shumë që të degëzohej në gjithë botën.
Çdo ditë rastet sa shtoheshin ndërsa kurë për ketë lloj sëmundje nuk kishte, e kjo sfidë mbetet e pazgjidhur edhe tani. Frika, paniku e kishin kapluar të gjithë botën, popullata kishte filluar të mblidhte rezervat ushqimore dhe medicinale, u shtuan edhe vizitat në spitale dhe kujdesi i higjienës e mori një kuptim më të rëndësishëm.
Nuk qe më ndryshe as në Kosovë, nga data 13 mars u përfshimë edhe ne me të prekur nga pandemia. Ishim të papërgatitur, stresi filloi të shtohej i shoqëruar me frikë dhe panikë. Se çfarë do të bëhej me ne askush nuk e dinte.
Java e parë me të prekur me Covid-19 ishte shokuese për Kosovën. Gradualisht trajtimi i tyre filloj por rastet nuk është se ndalnin, ato fillonin të shtoheshin vazhdimisht dhe kjo gjë rriti shqetësim tek masa dhe autoritetet shtetërore.
Institucionet tona veçse kishin filluan me masat e parandalimit ndaj përhapjes së virusit njëkohësisht edhe qytetarët u bën më vigjilentë sa i përket kujdesit të shëndetit. Paniku te popullata vërehej kudo në markete, barnatore, e cila shkoi në ekstrem – qytetarët u aktivizuan në krijimin e rezervave ushqimore e medicinale, gjë që ndodhte në gjithë botën.
Kosova përjetoi një “dramë” nga marsi i këtij viti, por kjo “dramë” ende nuk ka përfunduar, Covid-19 është prezent dhe rastet vetëm po shumëfishohen.
Sipas IKSHP-së, vetëm ditën që shkruhej ky artikull, në Kosovë ishin 28 të infektuar-të shëruar dhe 152 raste me Covid-19, teksa numri i të shëruarve po rritet së bashku po rritet edhe numri i të infektuarve.
“Numri total i rasteve pozitive 3.508 raste nga 25.245 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 75 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Sot më 05 korrik 2020, janë shëruar 28 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1.902 raste, kurse raste aktive 1.531”, thuhej në komunikatën e kësaj dite të IKSHP-së.
G.L nga Podujeva, e infektuar me Covid-19, flet për trajtimin dhe shërimin e saj me këtë virus.
Për të Covid-19 mbetet një eksperiencë e paharruar, betejën e së cilës e kishte fituar dhe tani kujdeset për familjen. Tani i është kthyer normalitetit vetëm se ende janë në vetëizolim ndërsa kujdesi intensiv i shëndetit nuk mungon.
“…Vëllai im punon në gjykatë dhe pas testimeve që i ka bërë ka dal pozitiv duke mendu që kam pas kontakte të vazhdueshme me të e ndjeva nevojën me u konsultu me një doktor fillimisht në qendrën familjare, frika ishte e madhe po isha e bindun qe edhe unë kam virus dhe kjo nuk mu largu prej koke deri e bëra testin, edhe pse shenjat e virusit nuk i kisha insistoja të bëja testin, unë nga familja e bëra testin e para dhe dola pozitiv, në fillim u ndjeva mjaftë keq pasi në mendje kisha bashkëshortin dhe fëmijët por u mundova të qetësoj vetën. Frikë e madhe ishte ky lajm, disa orë mu deshën ta pranoj realitetin sepse isha shumë e shokuar, mendova që jam në një luftë, të them të drejtën vërtetë është luftë sepse duhet të luftosh me forcat tua për ta mbrojtur familjen dhe veten.”
Kjo grua nga Podujeva e ka kaluar këtë sëmundje duke u izoluar dhe duke pasur kujdes.
“Si familje i ndaluam ndejat me të afërmit dhe nuk takoheshim me askënd… Për fat të mirë dhe me ndihmën e zotit e kujdesin e mrekullueshëm të doktorëve në Podujevë dhe Prishtinë ne e kaluam këtë sëmundje si familje dhe tani jemi shëruar”, rrëfehet gruaja e prekur me Covid-19.
Pas gjithë kësaj situate me luftën ndaj Covid-19 e infektuara ka një mesazh për të gjithë ata të cilët mendojnë se virusi nuk ekziston në Kosovë. Ajo lutet që të gjithë qytetarët t’i respektojnë masat mbrojtëse kundër përhapjes së Covid-19.
Virusi në familjen e saj ka lënë edhe pasoja, siç janë frika për të jetuar normalitetin.
“Mesazhi im për krejt njerëzit është se ani pse nuk i keni të gjitha shenjat e virusit, virusi ekziston dhe duhet të kemi kujdes. Respektoni rregullat e doktorëve sepse është një situatë e keqe. Mendoni për familjen, mos rrezikoni shëndetin sepse nëse ndodh diçka e njëjtë si unë është vonë. E mira është të keni kujdes para se të infektoheni. Pasi të shërohemi plotësisht mendoj të vizitoj një psikolog unë dhe familja ime sepse kemi frikë të jetojmë jetën normale pasi të shërohemi”, thekson G.L.
E në lidhje me shëndetin mendor sa i përket pasojave nga Covid-19, psikologu Naim Telaku ka theksuar se izolimi ka bërë që njerëzit të jenë më agresiv dhe impulsiv gjatë kësaj periudhe.
“Izolimi, mungesa e kontaktit social, mungesa e aktiviteteve produktive si puna etj, njihen të dobësojnë shumë shëndetin mendor. Nëse bazohemi në statistikat nga situata te ngjashme në të kaluarën, në vende të tjera, një përqindje e konsiderueshme e popullsisë, nga 10 deri ne 20% zhvillojnë simptomatologji të ankthit dhe depresionit si formë e reagimit psikik ndaj situatave te tilla… Sa i përket efekteve afatshkurtra të izolimit, ajo që vërehet me së lehti është një rritje e irritueshmërisë, agresivitetit, impulsivitetit dhe dobësimit i aftësive vet-menaxhuese…”, thotë Telaku.
Psikologu Telaku përmend rastin tragjik të Agon Musliut, gjendja e të cilit gjatë izolimit në karantinë ia kishte vështirësuar edhe më tutje gjendjen emocionale e cila kishte rezultuar deri në vetëvrasje.
“Gjendja mendore është gjithmonë refleksion i gjendjes së përgjithshme të organizmit si dhe të funksionimit social, të punës dhe të shëndetit të përgjithshëm. Për të rritur shëndetin mendor, rrjedhimisht për të shmangur problemet psikologjike, rekomandohet që ta mbajmë vetën sa më aktiv në aspektin e punës, pastaj të vendosim qëllime afatshkurtra dhe afatgjata dhe të punojmë me vendosmëri në arritjen e tyre, të mbajmë raporte të afërta dhe për mbushëse sociale, pastaj ta ushqejmë shpirtin me art, aktivitete fizike, lexim, aktivitete rekreative etj. Përkitazi me pandeminë, rekomandohet që të mos informohemi më shumë se që na duhet, mos t’u ekspozohemi vazhdimisht lajmeve negative dhe të ikim nga zonat me energji negative”, theksoi Telaku për KosovaLive.
Një raport nga United Nations Population Fund (UNFPA), thekson se gratë dhe vajzat janë më të rrezikuara nga abuzimi më shumë se kurrë gjatë pandemisë Covid-19.
Ministria e Drejtësisë ka parë një rritje prej 17 përqind në rastet e raportuara të dhunës me bazë gjinore.
Edhe psikologu Telaku e sheh dhunën në familje si një ndër problemet më shqetësuese gjatë kësaj kohe.
“Dhuna në familje është ndër problemet më shqetësuese të shoqërisë sonë. Si e tillë ka qenë gjithnjë dhe kujtoj se dhuna në familje është ndër dëmtuesit më të mëdhenjtë të performancës jo të mirë të shumë fëmijëve tanë në aspekte të ndryshme jetësore…”, thotë ai.
I riu Fitim Shala thotë se për herë të parë lajmin për virusin e kishte pritur si krejt, si më rrezik, por se “tani u bo monoton kjo farë pune”.
“Në familje nuk kam të prekur me virus, në fillim jena frikësu, por tash jo. Për mendimin tim veç duhet të kujdesemi ndaj higjienës dhe të mbajmë distancën”, thotë ai .
Meriton Kodra nga Prishtina e përshkruan situatën në të cilën e kishte përjetuar gjatë kohës së pandemisë .
“Situata me Covid19 ka qenë kogja e vështirë duke e marrë parasysh edhe panikun që është krijuar në botë por jemi bashku me krejt njerëzit, çka bënin të tjerët bënim edhe na, për mua personalisht nuk u qenë edhe shumë për panik, familja e shokut tim e ka pas koronën po shoku nuk e ka pas asnjë simptomë edhe në teste ka rezultu negativ. Karantinimi ka qenë pak i vështirë nuk jena msu me u mbyll në shpi. Gjendja momentale është e kundërta çka ka qenë fillim, jena msu pak me virusin ndoshta. Mesazhi i fundit me bo mat mirën për familjen dhe vetën, kujdes po panik jo.”
Hajdar Raku, një i moshuar nga Prishtina tregon se vështirësia më e madhe gjatë izolimit ishte ushqimi.
“Pak problem me virusin – kemi mbetur pa bukë pa ujë, pa gjëra elementare, ekonomia është shkatërruar te ne, rreziku ka qenë tek rezervat ushqimore. Deri tani nuk kemi pas të prekur në familje nga virusi. Ka tre muaj që na ka mbyll virusi; frikë kemi sepse dëgjojmë lajmet dhe zoti e di më së miri si do të na ndihmojë… ”, thotë Raku, kalimtar rasti në sheshin e Prishtinës.
Sociologu Albert Mecini flet për sjelljet sociale që ndodhën si pasojë e izolimit e deri te frika e qytetarëve se si të përballeshin me këtë lloj sëmundje.
“Në aspektin social pandemia “Covid-19”, ndikoi shumë në kuadrin e sjelljeve sociale, kryesisht si pasojë e izolimit, karantinimit dhe kujdesit që duhej ndërmarrë në vazhdimësi. Për familjet kosovare ishte një situatë pak a shumë e re, ngase vendi ynë ka një kohë të gjatë që nuk është përballuar me situatë të kërcënimit të shëndetit publik të kësaj natyre. Natyrisht në fillimet e para kishte një frikë të theksuar dhe një kujdes të madh ndërmjet anëtarëve të familjes. Edhe rutina e daljes jashtë kishte ndryshuar dhe gjithçka organizohej me një përpikëri dhe kujdes të lartë. Fatkeqësisht kohëve të fundit edhe pse jemi ende në gjendje pandemie, qytetarët e Kosovës e kanë humbur durimin dhe nuk po sillen kujdesshëm në raport me situatën ashtu siç vepronin në fillim”, tha Mecini.
Mesazhi i sociologut për të gjithë qytetarët e Kosovës mbetet respektimi i masave mbrojtëse ndaj Covid-19, që është edhe mënyra e vetme që na ka mbetur për të mos rrezikuar shëndetin tonë.
“Këshilla më e mirë do të ishte respektimi i masave që kanë vendosur institucionet përkatëse shëndetësore dhe qeveritare. Fatkeqësisht javëve të fundit kemi pasë rastin të shohim një kujdes shumë të pakët qytetar sa i përket respektimit të masave. Kjo ka ndiku sigurisht në rritjen e rasteve. Prandaj do të ishte mirë që secili prej nesh t’ju përmbahet në përpikëri këshillave dhe masave mbrojtëse që kanë këshilluar dhe proklamuar institucionet përkatëse shëndetësore dhe qeveritare”, shton ai.
Shqipdona Gashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.