Dhimbja e kokës, temperatura, marramendja, vështirësi në frymëmarrje, kollë e simptoma të tjera e kishin shoqëruar si në herën e parë po ashtu edhe të dytë Petrit Bylykbashin, të prekurin me Covid-19.
Bylykbashi është një ndër të prekurit me Covid-19 në Kosovë, i cili rezultoi pozitiv dy herë.
Ani pse ai doli dy herë pozitiv, në familjen e tij nuk ka pasur asnjë të infektuar nga virusi.
Prishtinasi në herën e parë u infektua me virus gjatë orarit të punës, simptomat i kishte të theksuara me temperaturë, marramendje, dhembje koke, ndërsa të njëjtat po i përjeton edhe tani.
Për Bylykbashin është hera e dytë që rezulton pozitiv me Covid-19, ndërsa uron që familjarët e tij të mos infektohen asnjëherë.
“…Në herën e parë jam infektuar në shesh xhirimi, ka qenë fillimi i muajit mars, në Kosovë ende s’kishte ndonjë rast të konfirmuar, pak ditë pasi që unë jam prekur u konfirmua dhe rasti i parë ndërsa më vonë filluan simptomat te unë dhe u testova, ku fatkeqësisht dola pozitiv. Familja ime nuk është e infektuar dhe uroj të mos infektohen asnjëherë. Simptomat e para u shfaqen në mbrëmje, ditën isha mirë, kisha sulme të ndryshme si ato në nyje, muskuj, gjoks, frymëmarrje dhe kokë dhembje madje kisha edhe marramendje, temperaturë e djegie të syve. Tani edhe në herën e dytë që jam prekur me virus po i përjetoj të njëjtat simptoma me shtesën e etheve, për momentin simptomat i kam shumë më agresive, theksoi ai.
Ndërsa pak më ndryshe thuhet në një postimin në rrjetin social facebook nga mikrobiologu i IKSHPK-së, Lul Raka.
Aty është thënë se një person nuk mund të infektohet dy herë me virus. Personi i cili rezulton negativ në dy testet e fundit nuk mund të infektohet sërish nga Covid-19.
“Kjo mund të ketë ndodhur për shkak të gabimeve gjatë testimeve laboratorike. Nëse pacienti lëshohet nga spitali me dy teste të njëpasnjëshme negative nuk ndodh të sëmuret prapë”, ka thënë Raka.
Mirëpo, Bylykbashi rrëfen se herën e parë që ishte shëruar nga Covid-19, e kishte ndjerë vetën shumë mirë, por tani gjendja e tij është renduar, të gjitha simptomat i janë rikthyer. Në testin e fundit ka rezultuar pozitiv dhe tani është në vetëizolim duke marrë terapi intensive me rekomandimet e IKSHPK-së.
Bylykbashi ende është duke u përballur me simptomat e njëjta, pavarësisht se është shëruar herën e parë nga Covid-19. Ai më tej shton se virusi ekziston, është prezent kudo dhe se duhet të kemi kujdes nga ai.
“Pas 3 muaji shërim po përballem përsëri me simptomat e njëjta, isha i përgatitur për një gjë të tillë….Aman, bota po vuan nga kjo pandemi. Më vjen keq shumë për mendjecektë të cilët e vënë në dyshim ketë çështje, uroj mos të kenë kurrë probleme më të mëdha sesa kjo që e thonë “Virusi nuk ekziston”, përfundon prishtinasi Petrit Bylykbashi.
Kujtojmë se mikrobiologu Lul Raka ka sqaruar se Covid-19 përhapet lehtë te personat, dhe se kontakti direkt siç është shtrëngimi i duarve dhe mosrespektimi i distancës sociale është rreziku më i madh i përhapjes së virusit. Simptomat e para të virusit janë temperatura mbi 37.5°C, kolla e thatë, frymëzënia, dhimbje fyti etj.
“Përhapet nga një person në tjetrin përmes stërpikëzave (spërklat) nga hunda ose goja kur i sëmuri ose infektuari me COVID-19 i nxjerr jashtë me kollitje, teshtimë apo të folur. Përhapet edhe me kontakt direkt, si p.sh. përshëndetja me shtrëngim duarsh, me ç’rast e prekim fytyrën pa i pastruar duart. Simptomat më të zakonshme janë ethet (temperatura mbi 37.5°C), kolla e thatë dhe frymëzënia. Disa pacientë mund të kenë edhe dhimbje fyti, rrjedhje hundësh ose barkqitje”, thuhet në një komunikatë.
Skender Ramadani, një tjetër qytetar i infektuar me Covid-19, gjendja e të cilit është stabile, ishte prekur nga ky virus së bashku me familjen, duke u vetëizoluar pastaj, dhe me terapi me rekomandimin e IKSHPK-së.
Lajmin se virusi është prezent në familjen e tij Skenderi e kishte pritur me shqetësim.
“…Lajmin për përhapjen e Covid-19 e kam prit me shqetësim të madh është diçka që e ka ndryshuar botën, është diçka e jashtëzakonshme nuk e kam besuar aq shumë deri sa e përjetova se çka është”, rrëfehet i infektuari nga Covid-19 Skender Ramadani, ish kryetari i klubit të hendbollit “Kastrioti” nga Ferizaji.
Ramadani nuk e di se nga e ka marrë virusin ndërkohë që thotë se probleme më të theksuara me virus, i përjeton gjatë natës.
“Nuk e di se nga e kam marrë, kur e kuptova se jam i prekur me Covid-19 jam shqetësuar shumë por kur e kuptova se edhe familja ime është prekur shqetësimet ishin akoma më të mëdha. Unë dhe familja ime jemi duke e përjetuar shumë rëndë këtë situatë. Shpresoj t’i vie fundi sa më shpejt. Problemet zakonisht i kam gjatë natës, ato më të mëdha janë me temperaturë, ethe e ëndrra të rënda”, tha ai.
Ky 61 vjeçar rrëfen se menjëherë pas rezultateve të testit nga IKSHPK-ja ishte vetëizoluar së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Familja Ramadani ende është duke marrë terapi dhe për një kohë do të qëndrojnë në vetëizolim.
“Nuk kam qenë mirë dhe e kam njoftuar menjëherë IKSHPK-n dhe me rekomandimet e tyre e bëra edhe testin ku për fat të keq rezultova pozitiv. Pastaj testimet filluan edhe tek gruaja dhe fëmijët, ku edhe ata dolën pozitiv, tani e gjithë familja jemi të vetëizoluar dhe po kujdesemi për shëndetin tonë. Terapia jonë është vitaminë C dhe paracetamol. Mesazhi im për të gjithë është përmbajuni rregullave të IKSHPK-s dhe MSH, me lehtë është të e parandaloni se të luftoni me virusin Corona, virusi është vdekjeprurës dhe ekziston përnjëmend”, thotë për KosovaLive Ramadani.
Në ndërkohë, IKSHPK vazhdimisht apelon për kujdes të veçantë nga të gjithë qytetarët për t’a kaluar më shpejt këtë pandemi. Ligji mbetet – bartja e maskave, kujdesi ndaj vetës si dhe distanca sociale.
“Virusi është kudo! Ju lutemi përmbajuni rekomandimeve! Virusi vret! Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët. Së bashku ia dalim. Bartja e maskave mbetet obligative”, thuhet në një komunikatë të IKSHPK-së.
Mikrobiologu Lul Raka, vazhdimisht apelon tek qytetarët për kujdes ndërkohë që konsideron se higjiena, distanca sociale dhe qëndrimi në shtëpi janë parandaluesit më të mirë ndaj përhapjes së Covid-19.
“Mbani higjienën e duarve me ujë e sapun apo gel alkoolik; kollituni ose teshtini në faculetë dhe hudheni atë në mbeturina. Qëndrimi në shtëpi e ndërpret zinxhirin e përhapjes nga njeriu në njeri, e parandalon përhapjen e mëtejme, redukton intensitetin e epidemisë dhe e ulë numrin e rasteve të reja. Kjo njëkohësisht, i mundëson sistemit shëndetësor të përgatitet për fluksin eventual të rasteve të reja dhe të furnizohet me pajisje përkatëse”, kishte deklaruar më herët Lul Raka.
Simptomat si temperaturë, lodhje dhe dhembje të trupit i kishte përjetuar edhe i infektuari tjetër, Lulzim Abazi. Gjendja e familjes Abazi është stabile, janë në vetëizolim duke marrë terapi të nevojshme ndaj virusit.
Lulzim Abazi, kujton se me Covid-19 është infektuar nga muaji qershor së bashku me familjen. Ky kryefamiljar thotë se e gjithë familja është duke zbatuar rekomandimet nga instituti me shpresë për shërim të plotë.
“…Më datën 24 qershor kanë filluar simptomat e para me temperaturë të lartë prej 38.5, ethe, marramendje, lodhje dhe dhimbje të trupit. Pas meje të njëjtat simptoma filluan tek e gjithë familja. Me datën 28 qershor kemi vizituar Qendrën Infektive në Prishtinë ku edhe u konfirmua se unë dhe familja ime ishim të prekur me Covid-19. Menjëherë pas rezultateve nga IKSHPK-ja, si familje jemi vetëizoluar, kemi ndërpre kontaktet me të afër, shoqëri. Po mundohemi t’i përmbahemi rekomandimeve nga instituti ndërsa terapia me paracetamol dhe vitaminë C ka filluar nga dita e parë dhe do të vazhdojë deri të shërohemi. Shpresoj si familje të dalim negativ në testin e ardhshëm që e kemi pas 10 dite dhe t’i kthehemi normalitetit pasi që situatën jemi duke e përjetuar keq, është diçka shumë e vështirë dhe nuk e kupton pa e provuar vetë”, rrëfen Lulzim Abazi, ndryshe asambleist në Kuvendin Komunal të Ferizajit dhe anëtar i bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Abazin e kishte kapluar frika qysh nga fillimi i përhapjes së virusit në botëedhe në bazë të asaj se çka është folur nëpër mediat informuese për këtë lloj virusi që nuk ka “ilaç”.
“Me të vërtet ka qenë një frikë mjaftë e madhe për mua dhe familjen time. Nuk e kam kuptuar se nga e kam marrë virusin por i kujtoj momentet e para që nuk isha mirë, menjëherë kam telefonuar tek IKSHPK-ja dhe ju kam treguar për të gjitha simptomat e mundshme, më pas me 28 qershor me rekomandimet e institutit kam bërë edhe testin dhe rezultatet ishin pozitive, familja në anën tjetër po ashtu rezultuan pozitiv, tani jemi në vetëizolim duke marrë terapi në bazë të rekomandimeve të institutit”, theksoi ai.
Në Kosovë mendimet e qytetarëve për Covid-19 janë të ndryshme disa mendojnë që duhet të kemi kujdes dhe t’i respektojmë rregullat parandaluese ndaj virusit, por ka edhe që e mohojnë ekzistencën e tij.
Ndërkohë që prishtinasi Arben Rexha 27 vjeçar e sheh Covid-19-shin si një ndër viruset ngjitëse më vdekjeprurëse dhe ankohet që në hapësirat publike mungon distanca sociale dhe aplikimi i maskave nga qytetarët, bashkëqytetarja e tij, 19 vjeçarja Uresa Bajrami mendon se virusi nuk ekziston dhe gjithçka deri më tani janë lojëra politike.
Ilir Jaha, 67 vjeçar nga Fushë Kosova, po ashtu shprehet skeptik duke mohuar ekzistencën e Covid-19.
“As në Kosovë as në botë nuk ka virus këto janë krejt për politikë, po unë mendoj se virusi nuk ekziston”, ka thënë ai për KosovaLive.
Ndërkaq realiteti është paksa tjetër: sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës në ditën kur po shkruhej ky tekst në Kosovë ishti 1,951 raste aktive të të infektuarve me Covid-19, ndërkohë që numri i të vdekurve kishte arrutur në 86.
Shqipdona Gashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.