Build Skills with our trainings

Sign up now!

Virusi solli frikë e stres dhe ndryshoi rutinën jetësore

Kor 23, 2020

B.K, 19-vjeçare e infektuar nga Suhareka, tregon se simptomat e para kishin qenë humbja e shqisës së të nuhaturit dhe së të shijuarit. Përveç saj, kanë qenë edhe tre anëtarë tjerë të infektuar në familjen e saj.

“Përveç humbjes së shqisave, kam pasur edhe dhimbje gjoksi dhe dhimbje të shpinës, si dhe plogështi. Shqisat nuk më janë rikthy deri vonë, edhe pse kam dalë negative pas dy javësh. Edhe familjarët e tjerë kanë pasur përafërsisht të njëjtat simptoma. Disa kanë pasë edhe kollitje e temperaturë”, tregon kjo vajzë e infektuar.

Në Kosovë, rastet e para të infektuar me COVID-19, u paraqitën më 13 mars, pasi më parë ishin shfaqur edhe në Shqipëri. Dy të infektuarit e parë ishin një 20 vjeçare, shtetase italiane dhe një 77-vjeçar, kosovar.

Që nga 13 marsi e derisa po shkruhet ky tekst, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në vendin tonë gjithsej, pozitiv me koronavirus kanë dalë afër 6 mijë persona, prej tyre 124 kanë vdekur, ndërsa janë shëruar mbi 2600.

Në nivel global, numri i të prekurve me këtë virus ka kaluar 14 milionshin, gati 8 milionë janë shëruar, ndërsa COVID-19 u ka marrë jetën mbi 600 mijë njerëzve.

Vajza e infektuar nga Suhareka, shton se në fillim kur kishte dalë pozitive me COVID-19, ka pasur frikë, ndërsa edhe familjarët e saj kanë qenë të shqetësuar.

Po, kam pasur pak frikë. Në fakt, ka qenë më shumë stres sesa frikë”, shton suharekasja.

Këtë frikë te njerëzit, neuropsikiatri Sami Rexhepi e cilëson si diçka krejt normale për situatën në të cilën gjendemi.

…Përderisa është një virus i panjohur është plotësisht normale të shkaktojë frikë të madhe mes njerëzve”, thotë Rexhepi.

Përveç frikës, Rexhepi përmend edhe pasojat tjera që mund të jenë rrjedhojë e virusit.

 “Një pjese të madhe po i rrezikohet edhe jeta dhe aty automatikisht është edhe stresi, më vonë do të ballafaqohemi edhe me pasoja e çrregullime pas stresit traumatik. Pastaj, kemi ankthin e madh, i cili përcillet me çrregullim të gjumit e ky çrregullim ndikon edhe në pjesë tjera të shëndetit mendor”, thekson Sami Rexhepi.

B.K. thotë se kishte qëndruar e izoluar ndërsa shton se i kishte respektuar masat si në fillim edhe pas infektimit.

Kam qëndruar në vetëizolim më shumë se dy javë, meqë në atë kohë ishte edhe koha e kufizuar e lëvizjes. Masat i kemi respektu e sidomos tash pas atij rastit që ka dalë prapë pozitiv, pas tre muajsh”, thotë ajo.

Arta Feta, 20-vjeçare nga Podujeva, ka një muaj që kur është infektuar.

Kam pasë temperaturë pak më të lartë, ndërsa dy ditë para se me u testu kam pasë edhe ethe. Pasi kam dal pozitive kam pasë edhe dhimbje të nyjeve për disa ditë”, kujton Feta.

Në fillim nuk  i kishte besur shumë virusit, madje nuk i kishte respektuar as rekomandimet për vendosjen e maskave e përdorimin e dorëzave.

Me të thënë të drejtën në fillim nuk e kam marrë shumë seriozisht këtë punën e virusit, as maskën nuk është që e kam përdor shumë. Po pasi e përjetova edhe vetë, tash nuk dal askund pa maskë edhe dezinfektuesin e kam gjithmonë me vete në çantë”, tregon Arta.

Pavarësisht se ato e kanë kaluar virusin dhe tashmë janë shëruar, të infektuarat me SARS-CoV-2 thonë se shoqëria po i paragjykon dhe stigmatizon. Madje, e infektuara nga Suhareka, thotë se ajo po heziton edhe t’u tregojë njerëzve se ka qenë e prekur nga COVID-19, mu për këtë arsye.

“ Familjarët jo, por njerëzit tjerë të njohur kur po më shohin në rrugë e po e marrin vesh që kam qenë e infektuar po hezitojnë me më fol”, tregon ajo.

Edhe e infektuara nga Podujeva e ka pasur një problem të tillë, e stigmatizuar për një sëmundje që tashmë e ka kaluar.

Më ka ndodhë veq një herë, kur një ditë e pashë një shoqe pak më të largtë, që më pa po nuk më përshëndeti, bile kur më pa e vendosi edhe maskën. Po, prej familjarëve dhe shoqërisë jo, ata e dinë që tash jam shëruar”, pohon ajo.

Me përhapjen e virusit, vendet e Evropës mbyllën kufijtë, disa shpallën gjendje të jashtëzakonshme e disa të tjera i karantinuan njerëzit e tyre. Në këto të fundit, ishte edhe Kosova, e cila mbylli shkollat, bizneset, ndaloi të gjitha aktivitetet sportive dhe kulturore dhe kufizoi orarin e lëvizjes së qytetarëve, në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.

Izolimi parandaloi përhapjen e virusit, në njëfarë forme, por pati pasoja të tjera, në anën tjetër.

Në media u raportua për shtim të rasteve të dhunës në familje, ndërsa pati edhe disa vetëvrasje që ndodhën gjatë kësaj kohe. Sipas organizatës jo-qeveritare SIT, e cila së fundmi ka nxjerrë një hulumtim lidhur me dhunën në familje në kohë pandemie, në periudhën shkurt-maj 2020 janë raportuar gjithsej 664 raste të dhunës në familje. Kjo shifër është 28% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Numrin më të madh të rasteve të raportuara e ka Prishtina – 239 e pasuar nga Prizreni e Peja me nga 80 raste, që ndiqen nga Gjakova me 75, Gjilani me 65, Ferizaj ka 58 raste të raportuara, pastaj Mitrovica e Jugut,46 dhe Mitrovica e Veriut me 21 raste të raportuara për dhunë në familje.

Gjatë kohës së izolimit, njerëzit pashmangshmërisht kanë qenë të ekspozuar edhe ndaj lajmeve të shumta për numrin e rasteve e të vdekjeve nga pandemia. E ndikimin e këtij ekspozimi, neuropsikiatri Rexhepi e cilëson si shkatërrues për shëndetin mendor e aq më tepër, kur një numër i madh i informatave, siç thotë ai, janë të pakonfirmuara.

Posaçërisht, tash kohën kur numri është rrit përnjëherë. Kjo shkakton një frikë shumë më të madhe dhe mënyra e reagimit të popullatës është më emocionale, në formë të panikut, humbet arsyeja dhe kjo i ka pasojat e veta”, thotë Rexhepi.

Sipas Shoqatës Psikologjike Amerikane, psikologët kanë gjetur se izolimi mund të rrit mundësinë e paraqitjes së efekteve psikologjike negative duke përfshirë simptomat e stresit post-traumatik, të hutimit dhe zemërimit.

Një hulumtim tjetër i disa psikologëve, i publikuar në revistën e përjavshme mjekësore, The Lancet, tregon se izolimi tek njerëzit kishte shkaktuar çrregullim të stresit akut.

Në të njëjtin studim, te personat e karantinuar janë vërejtuar edhe shenja të rraskapitjes, distancimit nga të tjerët, të ankthit, të koncentrimit të dobët, të pasigurisë dhe të përkeqësim të përformancës në punë.

Gjithsesi, shumica e vendeve kanë dalë nga izolimi dhe i janë kthyer jetës, “realitetit të ri” të imponuar nga virusi “i padukshëm”.

Por, SARS-CoV-2, nuk ka kaluar ende, madje ai është përhapur më shumë.

Kur janë bërë rreth 7 muaj që nga shfaqja e virusit, shkencëtarët ende nuk kanë gjetur një vaksinë për ta mposhtur koronavirusin. Sipas një artikulli të Forumit Ekonomik Botëror, do të duhen 9 muaj deri në dy vjet për të krijuar një vaksinë kundër COVID-19.

Por, ana tjetër e medaljes, tregon gjërat e mira që solli pandemia.

Siç shkruan BBC, COVID-19 ndryshoi disa gjëra që do mund të zgjasnin edhe për një kohë. Të qenit i distancuar nga njëri-tjetri na bëri të zbulojmë hobi dhe talente që nuk e dinim që i kishim. Përveç kësaj shumë prej nesh po i kushtojmë më shumë rëndësi ushqimit, po i dedikojmë më shumë kohë gatimit, duke zgjedhur me kujdes recetat dhe përbërësit, ndryshe nga ushqimet e shpejta dhe të gatshme që njerëzit i preferonin më parë.

Diellza Kabashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM