Build Skills with our trainings

Sign up now!

Pse nuk po votohet ligji ‘AntiCovid’ nga Kuvendi i Kosovës

Kor 27, 2020

Virusi COVID-19 ka prekur pothuajse të gjitha vendet e botës dhe një gjë të tillë vetëm sa po vazhdon ta bëjë me kalimin e ditëve.

Së fundmi, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka miratuar disa vendime të reja sa i përket parandalimit dhe menaxhimit me virusin COVID-19. Vendimi i parë i cili u mor nga kryeministri Hoti, ishte obligimi i të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mbajnë maska nëpër ambiente publike, pra jashtë shtëpive/banesave të tyre.

Duke pasur parasysh që në disa qytete si Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë numri i të infektuarve është rritur dhe është vendosur që të ndalohet qarkullimi i personave fizik jashtë ambientit të tyre ku banojnë, nga ora 21:00-05:00.

Përpos gjithash, nga këto rregulla është vendosur edhe të mbyllet gastronomia me orar të njëjtë sikurse në ndaljen e qarkullimit në disa komuna të Kosovës. Gjithashtu, në gastronomi lejohet puna vetëm në ambientet e hapura dhe “merr me veti”. Përgjysmimi i stafit nëpër institucione, duke nënkuptuar kështu vetëm stafin esencial. Për fund edhe përgjysmimi i personave që përdorin autobusët publik.

Megjithatë, në Kosovë virusi çdo ditë e më tepër po rritet. Në kohën kur po shkruhet ky tekst, janë mbi 5700 raste të konfirmuara, më shumë se 2600 raste aktive dhe më tepër se 135 persona të vdekur. Përpos kësaj, edhe afër 3000 persona të tjerë janë shëruar nga ky virus.

Një tjetër përpjekje për të ndaluar përhapjen e këtij virusi ështe duke e bërë edhe kryeparlamentarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila ka inicuar Ligjin AntiCovid para më shumë se një muaj.

Në Kosovë, ekziston Ligji për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse dhe gjithashtu një inspektorat që nuk ka asnjë detyrë tjetër pos zbatimit të tij. Mirëpo, shpërthimi i madh i pandemisë COVID-19 ka alarmuar politikanët, mjekët dhe gjithë qytetarët mbi të ardhmën e tyre. Prandaj, kryeparlamentarja Osmani, po kërkon me ngul që të votohet një Ligj i ri në mënyrë që menaxhimi i këtij virusi të arrij nivelet më të larta të menaxhimit.

Çfarë përmban Ligji ‘AntiCovid’ ?

Siç, e shpjegon edhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Drejtësisë së Kosovës (IKD), Ehat Miftaraj, ligji për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 do të duhej të përmbante të gjithë masat që qeveria i ka paraparë përmes vendimeve duke përfshirë masa të cilat rregullojnë edhe fusha tjera që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe fusha tjera që ndikohen nga kjo pandemi.

“Fatkeqësisht partitë politike në Kosovë si ato në pushtet si në opozitë e kanë vënë në rend të dytë qytëtarin, sundimin e ligjit, qeverisjën e mirë dhe çka është më e rëndësishmja sigurinë juridike dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut duke mos pasur vullnet për të miratuar një ligj të tillë”, komenton Miftaraj mosvotimin e këtij ligji.

Ai beson se inatet personale dhe politike mes aktorëve politikë kane degraduar në masë aq të madhe sa edhe këtë krizë politikanët tanë janë duke e shfrytëzuar në maksimum për të përfituar politikisht në kurriz të qytetarit, demokracisë dhe sigurisë juridike.

Duke ditur se Gjykata Kushtetuese ka kërkuar miratimin e një ligji të tillë, Miftaraj thotë se në një shtet ku zbatohen standardet minimale të demokracisë dhe sundimit të ligjit nuk duhet të ndodh injorimi i Gjykatës Kushtetuese.

Kjo që është duke ndodhur në Kosovë dëshmon se kemi institucione si Qeveria dhe Kuvendi që nuk kanë asnjë  respekt për Kushtetutën, ligjin dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës”, thotë Miftaraj.

Miftaraj gjithashtu shprehet se ky ligj nuk do të thotë domosdoshmërisht se e parandalon pandeminë, por ai mendon se do të ishte mesazhi më i mirë për popullin se kjo pandemi është e rrezikshme dhe se ka nevojë për mobilizim shtetëror dhe shoqëror për të tejkaluar këtë pandemi, pasojat e së cilës do të jenë afatgjata pothuajse në të gjitha fushat.

Çka është më e rëndësishmja padyshim se ky Ligj do të parandalonte që edhe më tutje kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe tubimit të bëhet në mënyrë kundër kushtetuese, të ndalohet praktika e ndalimit dhe arrestimit të kundërligjshëm të qytëtarëve pa bazë ligjore përfshirë faktin që do të ndalej praktika e kundërligjshme e gjobitjes së qytetarëve duke shkelur ligjin, procedurat dhe duke shkelur në mënyrë arbitrare të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, përfundon Miftaraj.

Duhet theksuar se Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD i ka rekomanduar Kuvendit të Republikës së Kosovës që sa më shpejtë ta miratojnë këtë ligj, pra me një urgjencë të theksuar. Përpos gjithash, kur ka mundësi ligjore, të shkurtojë dhe shmangë aspekte procedurale, në pajtim me rregulloren e Kuvendit të Kosovës, me qëllim të ekonomizimit të procedurës legjislative.

Si erdhi deri te Ligji AntiCovid?

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, në një deklaratë për KosovaLive ndanë të njëjtin mendim si Miftaraj mbi miratimin e këtij ligji. Ajo edhe e shpjegon se si erdhi deri te inicimi i këtij ligji nga kryeparlamentarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

“Unë si nënkryetare, me pesë deputetë të tjerë dhe kryeparlamentaren kemi ndërmarrë përsipër të bëjmë një Ligj të tillë, sigurisht këtë hartim të ligjit e kemi bërë me ndihmën e ekspertëve”.

Megjithatë, edhe pse është përfolur dhe po vazhdon të flitet për këtë ligj, ai akoma nuk po mund t’i marrë votat për t’u miratuar.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ishte ajo që nuk dëshironin të merrnin mendimin e qeverisë Kurti në prill të këtij viti dhe e paraqitnin si pengesë. Mirëpo, edhe kur u ndryshua qeveria ne kërkuam përsëri që ky ligj të kaloj. Përsëri qeveria e re mendoi se nuk është i nevojshëm”, thotë Nagavci.

Arbërie Nagavci duke punuar nga shtëpia gjatë pandemisë.

“Ligji më shume ka të bëjë në krijimin e insfrastrukturës së nevojshme përmes së cilës menaxhohet edhe situata me pandeminë, institucionet do të vepronin në bazë të kompetencavë që i caktojnë institutet përkatëse dhe në shtimin e respektimit të masave. Menaxhimi sa më i suksesshëm i pandemisë kërkon një punë serioze nga të gjitha nivelet, pra, nga vetëdijësimi qytetarëve, profesionalizmi i institucioneve kompetente, marrja e masave dhe më pas rezultatet do të pasojnë rrjedhshëm”.

Sipas Nagavcit ligji tashmë është në procedura, pasi që vetem opinioni i qeverisë nuk është obligativ, nismat e deputetëve nuk mund të pengohen.

“Ligji tashmë shqyrtohet në Kuvend nga komisionet adekuate në mënyrë që të sheh lidhshmëri me gjithë aspektet procedurale. Tani është koha e deputetëve që të mendojnë për qytetarët, ta amendatojnë atë, dhe pasi që të vie në rilexim të hy në votim dhe të votohet përfundimisht”, përfundon nënkryetarja e parlamentit të Kosovës.

Ardian Shala, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pajtohet se Kosova ka pasur nevojë për një ligj AntiCovid qysh prej fillimit të pandemisë.

“Kosova ka pasur nevojë për një ligj të tillë. Nuk e di se a është më shumë çështje e mosdakordancës në mes eksperteve ligjor për këtë çështje apo e inateve politike”.

Sipas Shalës ky polizim mendimesh ka ardhur si rezultat se në interpretimin ligjor, disa thonë që ky ligj është për SARS, e disa të tjerë thonë që ai duhet të jetë më specifik për SARS-COV-19. Gjithsesi, ai është i mendimit që më mirë është të kemi një ligj më shumë, sesa në të ardhmen të këmi shkelje të Kushtetutës.

Besa Ismaili, pjesë e parlamentit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se ligji për sëmundje ngjitëse është ligj i përgjithshëm që e posedojnë pothuajse gjithë shtetet e botës, një ndër ta edhe Kosova. Ajo ka edhe mendimin personal mbi këtë çështje.

 “Praktikat aktuale ndërkombëtare tregojnë se shtetet e Bashkimit Evropain dhe shtetet tjera të zhvilluara kanë ligj të veçantë per këtë pandemi. Ligji për semundjet ngjitese nuk parasheh masat mbrojtëse specifike dhe as sanksionet specifike për situatën në të cilën gjendemi, andaj mendoj se Ligji AntiCovid përveç që do të ishte më i kontekstualizuar për rrethanat e reja”.

Ismaili thotë se personalisht angazhohet për këtë ligj dhe shton se Kuvendi i Kosovës mund të kërkojë llogaridhënie dhe të mbikëqyrë mbarëvajtjen e saj.

 “Shpresoj kjo nismë të përkrahet nga deputetët tjerë. Do ta pasuronim përmbajtësisht këtë ligj duke përligjur edhe ndëshkimet, edhe specifikuar masat mbrojtjese e të tjera. Në të kundertën, kam frikë se sërish do të përballemi me legalitetin e masave të ndërmarra, e mos te flas për efikasitetin e tyre”, përfundon deputetja e PDK-së.

Uranik Emini

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM