Ndryshe, prej viteve tjera, këtë vit studentët e disa universiteteve publike e private, provimeve të afatit të jashtëzakonshëm të prillit dhe atij të rregullt të qershorit, u janë nënshtruar edhe në formën online.
Univeristeti i Prishtinës për herë të parë ka organizuar provimet në një formë të tillë, i shtyrë edhe nga gjendja e krijuar pas përhapjes së COVID-19.
Bubulina Peni, studente e gazetarisë, në Universitetin e Prishtinës rrëfen përvojën e saj me këtë mënyrë të të testuarit. Ajo tregon se vetëm një provim e ka mbajtur në formën online, ndërsa e cilësoi si stresues të gjithë këtë proces.
“Forma në të cilën u mbajtën provimet ishte përmes Google Meet. Pyetjen e provimit e merrnim nga chat-i në këtë platformë e më pas e dorëzonim atë te profesori përmes e-mailit…Për mua personalisht ka qenë stresuese, për shkak se koha ka qenë e kufizuar dhe nuk mund të ktheheshim prapa në pyetjet paraprake”, thotë studentja nga Gjakova.
Gjithsesi, ajo e sheh këtë formë si mjaft efektive për kushtet në të cilat është zhvilluar, derisa e vlerëson edhe ndihmën e profesorëve.
“… Si formë zëvendësuese ka qenë e mirë dhe efektive, në mënyrë që të mos mbetemi prapa me mësimet. E po ashtu edhe profesorët kanë qenë të gatshëm të na ndihmojnë për çdo paqartësi”, shton Peni.
Ndryshe nga Bubulina, kolegia e saj, Sala Gashi këtë formë të provimeve nuk e vlerëson si fort efektive.
“Nëse kishim qenë të izoluar sikur në prill, që nuk kemi mundur të lëvizim, atëherë sado me e quajt joefektive, prapë do kishte një efekt te ne, por në gjendjen që i kemi mbajt ne, për mua nuk kanë qenë efektive”, thotë studentja nga Skënderaj.
Megjithatë, Gashi rrëfen se provimet e mbajtura virtualisht kanë qenë një përvojë mjaft e mirë për të, por edhe stresuese.
“Duke pasur parasysh vështirësitë që kam hasur atë ditë në mungesë të energjisë, edhe emocionet e bëjnë të vetën, nuk e kam prit me qenë ashtu. Ka qenë hera e parë dhe një eksperiencë tepër e mirë me e provu se çka është një provim online”, tregon Sala.
Përkundër kësaj, ajo provimet preferon t’i mbaj në fakultet, pasi sipas saj mundësia e kopjimit në provimet ku mbikqyresh drejtpërdrejt nga profesorët është më e vogël, krahasuar me ato online.
Remzie Shahini-Hoxhaj, ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, e cila ka mbajtur 9 provime në këtë formë, 4 prej tyre në nivelin Master, thotë se ky proces nuk ka pasur ndonjë parregullsi, ndërsa shton se këtë mënyrë komunikimi e kanë përvetësuar edhe përmes ligjëratave.
“…Kemi vendosur që për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve t’i mbajmë edhe provimet në formën online, përmes platformës Google Meet. Kjo platformë ofron një mundësi shumë të mirë të komunikimit, për shkak se ne kemi pasur mundësi që t’i ndajmë studentët edhe në grupe, nëse ka qenë nevoja ose edhe t’i ndajmë me orë të caktuar apo edhe t’i pyesim veç e veç”, tregon Shahini-Hoxhaj.
Ajo thekson se studentët notohen gjatë gjithë semestrit, ndërsa ata që nuk kanë qenë të kënaqur me notën e tyre kanë pasur mundësinë të pyeten.
“Përmes kurikulës dhe sistemit të Bolonjës, studentët gjatë gjitë semestrit i grumbullojnë pikët e mjaftueshme për të pasur një notë, ndërsa kur vie deri te provimi, nota vetëm konfirmohet. Ne jemi marrë me konfirmimin e notave dhe me pyetjen e studentëve të cilët nuk kanë qenë të kënaqur me rezultatin me të cilin kanë përformuar gjatë semestrit, por shumica kanë qenë të kënaqur”, thotë profesoresha Shahini-Hoxhaj.
Provime në formën virtuale ka mbajtur edhe Vlona Tahiri, studente e Infermierisë, në Kolegjin AAB.
Vlona tregon se ka mbajtur gjashtë provime online, ndërsa thotë se në njërin prej tyre kishte pasur problem me internetin.
“Unë personalisht, në njërin nga provimet kam pasur problem, për shkak të internetit. Edhe pse ka qenë në rregull prapë asnjëra nga përgjigjet nuk ishte dërguar dhe provimi nuk është pranuar”, rrëfen Tahiri, derisa shton se gjitha provimet i kishin mbajtur përmes E-testimi, që është në kuadër të E-service, në uebfaqen e kolegjit.
Lidhur me këto probleme të disa studentëve, Shahini-Hoxhaj rrëfen se ajo u ka treguar me kohë studentëve të tyre që në ditën e provimit duhen të kyçen me kamerë dhe me mikrofon të ndezur.
“Kjo ka qenë kërkesa ime e vetme dhe këtë ua kam bë të ditur qysh në fillim, në provim duhet të ju punojë kamera dhe mikrofoni”, thotë ajo, derisa tregon se ka pasur raste kur dy studente i kanë kërkuar të mbajnë provimin në një ditë tjetër, për shkak se njëra ishte e sëmurë, ndërsa tjetra në punë.
“Kjo platformë-Google Meet dhe komunikimi online t’a mundëson që me i pyet studentët dhe ata të përgjigjen në çfarëdo ore, do të thotë i kam pyet në ora 9 në mbrëmje”, shton tutje, profesoresha në Departamentin e Gazetarisë.
Megjithatë, pavarësisht se provimet online mund të kryhen edhe nga shtëpia, studentja e vitit të parë, Vlona, mendon se kjo formë nuk është më efektive se ajo e zakonshmja, por për nga niveli i stresit që të japin ajo i cilëson stresuese të dy format.
“Të dy mënyrat në formën e vet,…provimet në mënyrën e zakonshme janë më reale, por ndoshta stresuese, ndërsa ato online kanë qenë stresuese për faktin se do të mund të ndodhte ndonjë problem elekronik”, thotë Vlona Tahiri. “Gjithmonë më efektive janë provimet e mbajtura fizikisht në fakultet”.
Në formën online i janë nështruar provimeve edhe studentët e Kolegjit UBT. Njëra prej tyre, Era Xani, tregon se deri më tani vetëm provimet e prillit i kanë mbajtur në formën online, përmes uebfaqes së kolegjit, ku profesorët i vendosin edhe ligjëratat.
“Provimet e semestrit të dytë i filloj prej javës tjetër, po provimet e afatit të prillit i kemi mbajt në maj. Tash (provime) të semestrit të dytë prej 6 lëndëve, 4 kemi me i mbajt online, ndërsa dy të tjerat në UBT”, thotë ajo.
Studentja nga Prishtina, tutje, rrëfen për formën e provimit.
“Koha ka qenë e kufizuar, për shembull, në një lëndë kam pasur kohë një orë, në lëndën tjetër një orë e gjysmë. Aty ku kemi mbajt provimin automatikisht u hap dhe u mbyll vet. Pyetjet kanë qenë të hapura dhe me alternativa”, thotë Xani.
Edhe për të kjo formë e mbajtjes së provimeve ka qenë më stresuese, sepse, siç tregon ajo, kjo ishte hera parë që u nënshtroheshin provimeve virtualisht.
Se provimet online janë stresuese e thotë edhe një artikull i Inside Higher Ed, kur rendit pesë arsyet se pse duhet ndaluar kjo formë e të testuarit. Ky artikull vlerëson se koha e kufizuar në provimet online shkakton stres të panevojshëm, ndonëse jo për të gjithë dhe jo çdo provim.
Përhapja e shpejtë e koronavirusit në botë bëri që mbi 150 vende të mbyllin institucionet e tyre shkollore, duke prekur kështu rreth 80% të nxënësve në gjithë botën.
Vetëm në Shtetet e Bashkuara janë mbyllur 4,234 institucione të arsimit të lartë me mbi 25 milionë studentë. Ky numër përfshin edhe Universitetin e Harvardit e atë të Uashingtonit, të cilët kanë njoftuar se mësimin do ta vijojnë online përmes platformës Zoom.
Njëjtë do veprojnë edhe universitetet në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë këtu edhe Universitetin e Kambrixhit e të Oxfordit. Madje, siç raporton “The Guardian” , shtatë studentë të këtij të fundit kanë dalë pozitiv me COVID-19.
Diellza Kabashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.